“UÇK-ja” imagjinare e Xhavitit dhe FARK-u luftëbërës i Rugovës

Politika

“UÇK-ja” imagjinare e Xhavitit dhe FARK-u luftëbërës i Rugovës

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 24 prill 2019 Në ora: 15:24
Agim Ramadani, Anton Quni, Sali Çekaj

Xhavit Haliti, lëpekeisti që tradhtoi gardën e vjetër të LPK-së dhe iu bashkua Kryesisë së re bandite, të dominuar nga klani i Drenicës, vazhdon gënjeshtrat falsifikuese, deri në mohimin e ekzistencës të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK).

Megjithëse, ne kemi shpjeguar, madje, saktësisht, emërtesat, raportet dhe aktivizimin në luftën e Kosovës të dy faktorëve ushtarakë, FARK dhe UÇK-e, e përbashkëta e tyre ka qenë vetëm uniforma. Njerëzit, në mungesë të informacionit, si element përbashkues, shtojnë edhe qëllimin, pra, çlirimin e Kosovës.

Por, faktet e bollshme e demantojnë këtë. Sepse përçarja e popullit, zhvatja e fondeve, me shantazh e kërcënime, haraçi i përgjakur, vrasja e kundërshtarëve politikë dhe krime e pisllëqe tjera, të bëra nga krerët e "UÇK-së" të LPK-së, përkatësisht, të Kryesisë të saj të re, dëshmojnë bindshëm se qëllimi i tyre ndryshonte shumë nga ai i FARK-ut, për të mos thënë i dyshimtë dhe, për më keq fare, e parathonin dështimin e pritshëm të luftës.

Xhaviti thotë: " Nëse e kanë pasur uniformën e UÇK-së, nuk kanë mundur të jenë FARK".

Arsyeja pse FARK-u përdori emërtesën UÇK-e, është parimore dhe atdhetare. Ishte vullneti, shpresa e Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, për bashkimin e faktorit ushtarak. Sjellja e tij njerëzore dhe atdhetare, minimizonte elementet ndarëse, në mes të LDK-së dhe LPK-së, përkatësisht, FARK-ut dhe UÇK-së.

Ai ishte ushtarak i mirëfilltë, profesional dhe trim. Ai ishte pinjoll i një familjeje të përgjakur nga Serbia, edhe vet ishte i lindur në kazimatet jugosllave. Andaj, vizioni i tij shkonte larg nga kundërshtarët e tij mediokër e rrugaçë politikë, argatë të Serbisë, të cilët, si hiena, në errësirën e një nate shtatori, e privuan nga jeta. Dhe, sot, "duke shkelur mbi kufoma", siç thotë ish-ministri i Informacionit, Xhafer Shatri, i listuar për ekzekutim, po nga këta kriminelë, janë në kupolë të shtetit dhe të pushtetit të tyre të përgjakur.

Në përballjen me pushtuesin serbo-sllavë, ai i donte shqiptarët e bashkuar. Pata rastin ta njohë dhe të bashkëpunoj me Kolonel Krasniqin, meqë me axhën e tij, Aziz Zhilivoda-Krasniqi, kishim vuajtur burgun shqiptar. Në muajt e fundit të jetës, ai u kërcënua me jetë nga banda e LPK-së. Edhe pse i vetëdijshëm për shënjestrimin e tij, ai vendosi të qëndrojë në krye të detyrës të shenjtë, duke i shpërfaqur planet e luftës, me shprehjen e njohur dhe shpesh të përsëritur se "nëse nuk vritem, do ta bëjmë edhe këtë....". Paralajmërime serioze vrastare, të kushtëzuara, kishin pasur edhe Shaban Manaj e Smajl Hajdaraj. Edhe pse dihen kërcënuesit, askush nuk i ka hetuar për këtë!!!

Xhaviti pjesë e falsifikimit të historisë

LPK-ja i ka prirë falsifikimit të historisë me të re të Kosovës. Përmasat e falsifikimeve serike, janë aq banale, sikur ngjarjet të jenë zhvilluar në lashtësi dhe jo në kohën digjitale. Pjesë e këtij falsifikimi është edhe lëpekeisti i rreshkur stalinist, Xhavit Haliti. Këto falsifikime janë numerike, por, ne po cekim vetëm disa syrësh:

1) Dështimin e Marrëveshjes të Osllos, e bëri Xhaviti dhe Demaçi me shokë. Por, falsifikueshëm akuzuan FARK-un!

2) LPK-ja themelimin e UÇK-së e bartë, falsifikueshëm, ndër vite e dekada më parë. E vërteta është se konturet e UÇK-së vihen në maj të vitit 1998.

Batalionet, më vonë Brigadat e krijuara, për Kolonel Krasniqin, ishin të pamjaftueshme, për t`u quajtur UÇK-e. Prandaj, ai thoshte se kur ta integrojmë edhe pjesën tjetër, grupimet ushtarake të LPK-së, do ta themelojmë UÇK-në e vërtetë.

3) Qendresa e Hamëz dhe Adem Jasharit, me babë Shabanin e dajë Osman Gecin, LPK-ja e falsifikon si luftë e UÇK-së, për më tepër, "Epopeja e UÇK-së!" Pra, dublohet falsifikimi i historisë në Prekaz!

Sepse, së pari, në mars 1998 nuk kishte asfarë UÇK-je;

Se dyti, pa ekzistencën e UÇK-së, si të luftonte ajo?!!

4) Krerët kriminelë të LPK-së, bënë krimin e radhës, falsifikueshëm, Ademin nga Hamza, edhe pse ata kanë qenë të pandashëm kudo. Qëllimi i marrëzishëm ka qenë kundërvënia Prisidentit Rugova!

5) Hashim Thaçi vizitonte një skuadër ushtarësh në stërvitje, në Malet e Martaneshit, 200 kilometra larg Kosovës. Gazetari i LPK-së falsifikonte, duke e spostuar, se kinse Hashimi i inspektonte luftëtarët në fushë-betejë brenda Kosovës.

6) Falsifikatorët ngulmojnë për pjesëmarrjen e Operacionit "Shigjeta" në Koshare. Ndërkohë që, organizimi i këtij operacioni të dështuar, ka ndodhur më vonë në Pashtrik, pra, pas thyerjes së kufirit në Koshare. I pyetur për këtë komandanti Xhafer Gashi, tani, pjesë e një partie-bandë, belbëzon, pa pasur guximin ta thotë se është gënjeshtër. Megjithatë, ai shprehet: "Jo, nuk ishte, veç ndërlidhet më vonë!" Kur?! Pas pilafit!

Themi se Operacioni "Shigjeta" ishte i dështuar, sepse u mundua ta kopjonte aksionin e Koshares, por, u nxitua, tregoi amatorizëm, hiç profesionalitet, i futi ushtarët në Lugështajën e Gorozhubit. Ndërsa forcat e armikut, të pozicionuara në të dy shpatet e Luginës, i goditën, lehtësisht, duke i vrarë 26 ushtarë dhe plagosur e sakatosur shumë të tjerë. Ndërkohë, eprorët garonin se kush duhet komanduar, oficeri nga Shqipëria apo i Kosovës?! Karrierizmi i LPK-së, i trashëguar nga ideologjia e mykur sllaviste, ka qenë proverbial.

7) Përpjekja për ta përvetësuar, fillimisht, Betejën fillestare, aksionin e thyerjes të kufirit, më vonë, edhe Luftën e Kosharës, është sa e ethshme, aq edhe dështake. Gjenerali i Garnizonit të Kukësit, Kudusi Lame, që mbulonte ushtarakisht Tropojën dhe tri rrethet tjera veriore, kërcënoi oficerin e Tropojës se "nëse ua dorëzon -Topin - oficerëve të FARK-ut, do të përgjigjesh me ligjin ushtarak të luftës!" Ndërsa, tani, gënjen, pacipshëm, se "unë urdhërova t`u jipet - Topi - komandantëve të Koshares!"

Aksioni për thyerjen e kufirit ndërshqiptar, në Koshare, është veprim ekskluziv i ushtarakëve të FARK-ut. Varianti i rrëfyer nga komandanti Hisen Berisha, pinjoll i Familjes të Agë Rashkocit, është absolutisht i saktë, sepse është kallëzim i jetuar, është protagonist i Betejës. Shiko filmimet origjinale, të realizuara nga gazetari, pjesë e LPK-së, atëbotë, aktiv kundër Rugovës dhe partisë së tij.

Ndërhyrjet e gjeneral Kudusi Lamës, por, edhe e shtabit të Laprakës, me shef ministrin e ri, Halil Bicaj, për përcaktimin dator të nisjes të aksionit në Koshare, ishin të dyshimta. Ishte vrarë Ministri i Luftës, në vlugun e luftës. Rast pa precedent në historinë botërore! Në Canhasin e gjeneral Lamës, ishte hapur burgu i torturës, deri në mbytje, të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve FARK-istë të Ibrahim Rugovës.

Krerët e LPK-së, veç veprimeve sabotuese të luftës, në vijimësi, lakoheshin edhe si argat të Sigurimeve konspirative armike. Ata kishin dhënë prova se donin, me çdo kusht, sabotimin, dështimin e thyerjes së kufirit, nga forcat FARK-iste, meqë ata nuk ishin protagonistë të këtij aksioni shumë domethënës. Edhe Nasim Haradinaj e pranon se ndërhyrja e atyre që ishin jashtë kontigjentit të ushtarakëve të FARK-ut, ishte e gabuar, sepse përgatitja vazhdonte me bartjen e armatimit në pozicionin e përzgjedhur.

8) Pretendimi se Lufta e Koshares u bë nën komandën e Ramush Haradinaj, sepse ishte Zonë e Dukagjinit, është falsifikim, rrenë groteske. Garda profesionale e ushtarakëve të FARK-ut, nuk do të pranonin, assesi, të komandoheshin nga një bari, profan në artin ushtarak. Kur Ramushi provoi të bëhet pjesë e Betejës së Loxhës, tek TV T7, në bisedë me Berat Buzhalën e Leonard Kërçukun, majori në komandë të kësaj Beteje fitimtare, Nazif Ramabaja, u tallë me Rambon në "Facebook": "Veç në ëndërr!" Kjo është e mjaftueshme edhe për Kosharen.

Dyfytyrësia e Ramushit, fillimisht, njohja e Kolonel Tahir Zemaj për Komandant të Dukagjinit, pastaj loja e tij e pistë, hileqare e banditeske me Hashimin, ndërroi mendje. Po të mos ishte mençuria dhe atdhetaria e Kolonel Zemaj, Ramushi ishte gati për gjakderdhje ndërshqiptare. Andaj, ishte absolutisht i papranueshëm për FARK-istët e Rugovës.

9) Falsifikatorët e bluajnë trashë gënjeshtrën e tyre, sikur Ushtria Shqiptare, mori pjesë në Betejën e Koshares!? Jo, ndihmë logjistike kanë ofruar individualisht oficerët shqiptarë, madje, pa lejen e eprorëve të tyre.

Për "mungesën" e ushtarëve, armatimit si dhe për Fondet dhe të tjera, siç dizinformon dhe shtrembëron eksponenti namkeq i LPK-së, Xhavit Haliti, do të shkruajmë në vazhdim, së afërmi.

Por, një e vërtetë dihet: Se pa sigurimin e bazës njerëzore, ushtarët dhe bazën materiale, armatimin, ushtarakët profesionistë të FARK-ut, nuk do t`ia mësynin kufirit në Koshare, përballjen heroike me Armatën e koracuar serbo-sllave.

Shtrohet pyetja vendimtare:

Kush luftoi, realisht dhe, kush mrizoi, faktikisht?! FARK-u i Rugovës apo "UÇK-ja" e LPK-së?

Pa fije mëdyshje, FARK-u i Rugovës bëri luftën. Dëshmi janë fushë-betejat me emër, datimet e tyre dhe sukseset faktike.

Ndërsa mrizoi "UÇK-ja" e LPK-së. Sepse u mungojnë emërtesat e betejave, datimet dhe nuk kanë asnjë sukses të shënuar, përgjatë luftës.

Arsyen pse "UÇK-ja" e LPK-së nuk hyri fare në luftë, me formacione ushtarake, e shpjegojnë vetë pretenduesit themelues të saj: Ibrahim Kelmendi, Muhamet Kelmendi, Jakup Krasniqi, Bislim Zyrapi me shokë. Dhe, për këtë tradhti, të bërë ndaj Kosovës, akuzojnë bashkëpartiakët e tyre: Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin, Kadri Veselin, të cilët, konspiruan me shtetet armike të Kosovës, për ta sabotuar luftën dhe çlirimin e saj.

Akuzë e rëndë, por, shumë bazike.

Djemtë heroikë, nga radhët e LPK-së, të zhgënjyer nga shefat e tyre aksidentalë, të katapultuar në krye të LPK-së, nga shërbimet konspirative armike, pa përfillur "eprorët" e tyre, individualisht apo në grupe të vogla, hynë në luftë, u flijuan për idealin e madh të lirisë. Disa syrësh, në shenjë hakmarrjeje, për mospërfillje, u dekonspiruan, u vunë në prita të armikut, përfshi edhe grupin prej 42 ushtarësh, të prirë nga Mujë Krasniqi.

Atëherë, kush nuk ka ekzistuar: FARK-u apo "UÇK-ja" e Xhavitit?!

Edhe pse komenti është i tepërt, në respekt të informimit të drejtë të shqiptarëve të kudondodhur, e themi, madje, me bindje e konfirmim faktik, se FARK-u ekzistencën e tij e ka dëshmuar e faktuar me tytën e armëve, në luftën e Kosovës.

Ndërsa "UÇK-ja" e LPK-së, edhe pse e proklamuar, në vite e dekada, mbeti në letër, nuk u lëndëzua, nuk hyri në luftë të organizuar. Mjerisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat