E thotë profesori ndërkombëtar: Në samitin e Berlinit kërkesat e Thaçit dhe Haradinajt vështirë të imponohen

Politika

E thotë profesori ndërkombëtar: Në samitin e Berlinit kërkesat e Thaçit dhe Haradinajt vështirë të imponohen

Nga: G.B Më: 25 prill 2019 Në ora: 14:19
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se në Samitin e Berlinit do të flitet edhe për liberalizimin e vizave, duke shtuar se kjo është një shtytje në perspektivën evropiane.

Lidhur me këtë, profesori universitar Enver Bytyçi, duke folur për gazetën “Bota sot” se Samiti i Berlinit do të merret me zgjidhjen e konfliktit dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam përshtypjen se Samiti i Berlinit do të merret në mënyrë përmbajtësore me çështjet e Ballkanit Perëndimor, veçmas me zgjidhjen e konfliktit dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, i cili përbën thembrën e Akilit në konfliktin dhe stabilitetin rajonal”, është shprehur ai.

Bytyçi përmend deklaratat e kryeministrit dhe presidentit për këtë Samit, derisa thotë se në deklaratën e Haradinajt ka sinqeritet deri diku, ndërsa Thaçi thotë se duket i pakënaqur nga ky Samit dhe kërkon që zgjidhjen e krizës mes Kosovës dhe Serbisë ta “kushtëzojë” me njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që nuk na kanë njohur.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

“Kryeministri Haradinaj thotë se në këtë Samit do të kërkojë liberalizimin e vizave me Kosovën. Ndërsa presidenti Thaçi tha se veç liberalizimit të vizave do të kërkojë edhe njohjen e shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende atë. Në këto dy deklarata kam vënë re një diferencë të dukshme: Ndërsa zoti Haradinaj duket se mendon deri diku me sinqeritet rreth asaj që ka të bëjë me liberalizimin e vizave, presidenti Thaçi ka bërë një deklaratë në vazhdën e deklaratës së gushtit të vitit të kaluar kundër kancelares Merkel. Asokohe ai i thoshte zonjës Merkel pak a shumë kështu: “Bëni që ta njohin Kosovën dhe shtetësinë e saj ato pesë vendet anëtare të BE-së dhe unë heq dorë nga ideja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë”! Kësaj Radhe Thaçi duket se është i pakënaqur nga ky Samit dhe kërkon që diskutimin për zgjidhjen e krizës midis Kosovës dhe Serbisë ta “kushtëzojë” me njohjen e Kosovës nga këto vende. Në fakt ka një mundësi për ta shfrytëzuar këtë moment. Haradinaj kërkon ta shfrytëzojë në dobi të liberalizimit të vizave. Ndërsa Thaçi, nëse është burrë dhe shtetar i zoti le ta kushtëzojë dialogun më Serbinë me njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së. Pra le ta vendosë një kusht tjetër veç taksës, të cilën ua ka var në qafë kryeministri si Beogradit edhe Brukselit”, ka vlerësuar profesori.

Sipas tij, edhe nëse në Samit ngritën këto dy çështje, as vizat e as njohjet nuk mund të imponohen dhe se mund të ketë mospajtime në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e pastaj Berlini, Brukseli e as Uashingtoni nuk mund të vendosin asgjë.

“Por më lejoni të them se edhe nëse ngrihen këto dy çështje në atë Samit, as Haradinaj për vizat, as Thaçi për njohjet nuk do të munden të imponohen. Në këtë Samit palët në dialog, pra Prishtina dhe Beogradi, mund të mos pajtohen me ndonjë projekt-zgjidhje të konfliktit dhe pa pajtimin e palëve Berlini, as Brukseli, as Uashingtoni nuk mund të vendosin asgjë”, ka theksuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori thotë se kur Thaçi dhe Haradinaj shkojnë me ide dhe projekte të ndryshme në Berlin, e kanë të vështirë të imponohen aty, derisa shton se Haradinaj përpos taksës nuk ka asnjë mundësi të vendos ndonjë kusht për liberalizimin të vizave.

“Por derisa Haradinaj dhe Thaçi shkojnë me ide vizione dhe projekte të ndryshme në Berlin, vështirë se ata mund të imponohen aty. Haradinaj është përpjekur ta evitojë karshillëkun ndaj presidentit, atje deri në atë masë sa në fillim pati deklaruar se “Për politikën e Jashtme është Hashimi, unë jam për punët tona këtu në Kosovë”! Por ideja dhe projekti serb për shkëmbimin e territoreve në gojën e Hashim Thaçit, e nervozoi kryeministrin. Kësisoj ai vetvetiu u bë faktor në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd. Por veç taksës, zoti Haradinaj nuk ka asnjë mundësi të vendosë ndonjë kusht liberalizimi vizash për vazhdimin e dialogut. As pranimin e një marrëveshjeje të imponuar me liberalizimin e vizave ai nuk mund dhe besoj se nuk do ta pranojë”, është shprehur më tej Bytyçi.

Andaj, sipas tij, liberalizimi i vizave mbetet të diskutohet si pjesë e një diskursi të zakonshëm politik.

“Kësisoj mbetet që liberalizimi i vizave në Berlin të diskutohet si pjesë e një diskursi të zakonshëm politik, gjë që thjesht u kujton protagonistëve evropianë se ky problem duhet zgjidhur, sipas rekomandimit të Komisionit Evropian dhe premtimeve që janë dhënë. Ndërkaq duhet të theksoj se Thaçi e ka të vështirë të flasë për liberalizimin e vizave, sepse dosja e tij e papastruar në Hagë, por jo ajo e Haradinajt, e kërcënon edhe në tavolinën e bisedimeve në Berlin”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat