Drejtori i AKI-së dhe drejtori i Policisë “viktimat” e Thaçit në rastin e shtetasve turq

Politika

Drejtori i AKI-së dhe drejtori i Policisë “viktimat” e Thaçit në rastin e shtetasve turq

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 prill 2019 Në ora: 21:40
Shtetasit turq të dëbuar nga Kosova

Ndonëse ka qenë i ftuar të intervistohet në Komisionin Hetimor në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, presidenti Hashim Thaçi nuk morri pjesë. Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla ka thënë se kanë marrë një letër nga Presidenca ku janë informuar se presidenti s'mund t’i përgjigjet ftesës, por është kërkuar që kjo të shtyhet për datën me 26 prill.

Anëtari i komisionit nga AAK, Muharrem Nitaj ka thënë se komisioni nuk ka arritur ta përpilojë një raport brenda afatit kohor dhe kanë kërkuar 1 muaj shtesë.

Ai ka thënë se, nëse presidenti ka shprehur interesim të raportojë lidhur me këtë rast, komisioni nuk duhet ta pengojë. Edhe Driton Selmanaj i LDK-së ka thënë se presidentit duhet t’i jepet mundësia që të flasë për rastin e turqve.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se presidenti Hashim Thaçi, është bartësi kryesor i aksionit të dëbimit të gjashtë turqve të ashtuquajturave “Gylenistë” nga Kosova.

Ata thonë se, kidnapimit të tyre nga shërbimi i inteligjencës turke me ndihmën e AKI-së dhe të Policisë së Kosovës.

Sipas tyre, ky veprim i presidentit Thaçi ishte bërë me kërkesën e homologut të tij turk Erdogan, veprim ky që ishte antikushtetues, kundër çdo konvente ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.

Mehmeti: As në seancën e 26 prillit nuk do të paraqitet Hashim Thaçi

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se nuk gjen ndonjë veprim që ka firmën e Thaçit dhe mos të jetë i gabuar dhe që s’mund të jetë ndryshe, madje as rasti i dëbimit të shtetasve turq.

Sipas tij, mungesa e Thaçit në Komision është papërgjegjësi e njeriut që nuk i jep nder postit, por Hashim Thaçi në emër të postit fshihet pas mëkateve që ka bërë dhe vazhdon të bëjë.

“As në seancën e 26 prillit nuk do të paraqitet Hashim Thaçi, i cili njihet për dinakëritë dhe mashtrimet e tija, e kjo edhe në këtë rast është prezentë. Faktikisht kemi një president që nuk është i gatshëm të përballet edhe me dështimet, por ato i kalon në heshtje përmes injorimit ndaj atyre ku duhet të jep përgjegjësi. Ky njeri i papërgjegjshëm nuk i bën nder as Kosovës dhe as presidencës”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Haziri: Thaçi frikësohet nga gjetjet e komisionit parlamentar

Image
Nexhat Haziri

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, është bartësi kryesor i aksionit të dëbimit të gjashtë turqve të ashtuquajturave “Gylenistë’ nga Kosova apo më mirë të themi kidnapimit të tyre nga shërbimi i inteligjencës turke me ndihmën e AKI-së dhe të Policisë së Kosovës.

Sipas tij, ky veprim i presidentit Thaçi ishte bërë me kërkesën e homologut të tij turk Erdogan, veprim ky që ishte antikushtetues, kundër çdo konvente ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut si dhe me këtë veprim presidenti Thaçi bëri një puç institucional në Kosovë.

“Dhe tani kur është shtuar presioni edhe ndërkombëtar për këtë rast që po ashtu u kundërshtua nga partnerët tanë amerikan dhe evropian, për zbardhjen e tij dhe nxjerrjen e përgjegjësisë, është e natyrshme që presidenti Thaçi të frikësohet nga gjetjet dhe evidentimet e shkeljeve nga komisioni hetimor parlamentar.

Ai do të mundohet ta bëjë obstruksione të ndryshme deri sa ai të përgatitë viktimizimin e njerëzve të tjerë në mënyrë që ti ik përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që kishte ai lidhur me këtë ngjarje e cila goditi rënd imazhin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, që si një vend me ambicie për tu integruar në strukturat euro-atlantike, u shndërruar në një vend i influencuar nga një lider diktatorial siç është presidenti aktual i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan”, ka thënë opinionisti Haziri.

Krasniqi: Thaçi është përgatitur me planin para dëbimit të tyre

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se Presidenti Thaçi është kapësi më i madh i institucioneve të Republikës së Kosovës, por edhe shkelësi më i madh i Kushtetutës.

Ai ka thënë se, mos shkuarja e Thaçit që të raportojë para komisionit hetues, për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, e dëshmon edhe njëherë se këtu kemi të bëjmë me një president me tendenca diktatoriale, që nuk respekton institucionet shtetërore, njeriu që mban postin e presidentit të vendit.

“Assesi nuk besoj që mos pjesëmarrja e tij, ka të bëj me frikën, por siç thashë sjellët e tij janë diktatoriale. Ai është përgatitur me planin para dëbimit të tyre se çfarë të bëj, nëse dikush do të përgjigjet një ditë. Por kush do jenë "kurbanet" e tij dihet tashmë dihet se janë drejtori i AKI-së dhe ai i policisë”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Burjani: Nisma e Kuvendit jo serioze

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, ka thënë se kjo ishte ikje nga përgjegjësia dhe realiteti dhe se dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë.

Sipas tij, ideja ishte të përfundojnë hetimet pa asnjë propozim konkret, pasi komisioni hetues është më tepër moral pa mekanizma ekzekutiv të vendimeve.

“Andaj Thaçi nuk e merr serioz këtë nismë sikurse asnjë nismë tjetër me kësi komision moral si Komisioni Hetues për nepotizëm në PTK dhe Vala nuk ka gjë prej kësaj pune, pasi kjo temë është përmbyllë kaherë, dhe këtij ka veç punë koti”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat