Me PAN-in në Qeverisje Kosova ka degraduar procesin e liberalizimit të vizave

Politika

Me PAN-in në Qeverisje Kosova ka degraduar procesin e liberalizimit të vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 26 prill 2019 Në ora: 21:35
Foto ilustrim

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë në zonën Schengen. Derisa premtimet nga zyrtarët shtetërorë vazhdojnë, një gjë e tillë nuk dihet se kur do të ndodhë.

E mundësi të mirë për liberalizimin e vizave, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e sheh Samitin e Berlinit.

Duke thënë se jemi vonuar shumë në këtë proces, Haradinaj ka thënë se Samiti është një shtyje në perspektivën tonë evropiane.

“Po, jemi të interesuar shkuar në Samitin e Berlinit, është një ngjarje e respektueshme. Nuk jemi veç Kosova e Serbia, janë edhe vendet e rajonit. Mendoj se kjo është një shtytje në perspektivën tonë Evropiane. Ajo që na intereson është edhe liberalizimi i vizave, qysh e dini jemi vonuar shumë në këtë proces”, është shprehur Ramush Haradinaj të mërkurën në Panairin Ndërkombëtar Prishtina 2019.

Por, sa ka mundësi që në Samitin e Berlinit të diskutohet dhe të bëhet më shumë për liberalizimin e vizave për Kosovën?

Millaku: Liberalizimi nuk besoj se do të jetë temë

Image
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se në Samitin e Berlinit do të diskutohet për dialogun me Serbinë, ndërsa nuk beson që temë do të jetë edhe liberalizimi i vizave.

“Në Samitin e Berlinit pritet të diskutohet për dialogun me Serbinë por delegacioni i jonë mund ta potencojë edhe liberalizimin e vizave si problem por nuk besoj se do të jetë temë”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, qeveritë e kanë zakon të bëjnë lajme të tilla që janë të rënda dhe të papërshtatshme.

“Qeveritë tona e kanë për zakon që ta dezorientojnë opinionin publik me trajtime jo të duhura të temave që janë të rënda dhe të papërshtatshme mundohen t’i paraqesin ndryshe në opinion”, ka deklaruar Drita Millaku për “Bota sot”.

Gecaj: Kryeministri të kalojë “prej fjalëve në vepra”

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se çështja e liberalizimit mund të preket shkarazi por që nuk mund të ketë depërtim të rëndësishëm, derisa kjo është kompetencë e Këshillit.

“Unë besoj se edhe liberalizimi i vizave mund të preket shkarazi, por nuk e besoj që qëllimi i takimit është liberalizimi. Çështja e liberalizimit të vizave është tani në kompetencën e Këshillit, prandaj nuk besoj se do të kemi ndonjë depërtim të rëndësishëm në këtë drejtim. Është mirë që Kryeministri të kalojë “prej fjalëve në vepra”, e për liberalizim mos të flasim me hamendje”, ka deklaruar Gecaj për “Bota sot”.

Lepaja: Krizat në marrëdhëniet me BE, e kanë afektuar këtë proces

Image
Fadil Lepaja

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se përjashtimi nga liberalizimi i vizave për Kosovën ka dëmtuar jo vetëm Kosovën por edhe vendet përreth.

“Gjithsesi, vonimi, madje përjashtimi nga liberalizimi i vizave për Kosovën, ka dëmtuar jo vetëm kosovarët por edhe vendet përreth, sepse presioni i qytetarëve të Kosovës për tu pajisur me pasaporta të vendeve fqinje është rritur dhe gjithë kjo duket se ka shkuar nëpër rrugë korruptive”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, faktori kryesor mbetet burokracia evropiane dhe mënyra e vendimmarrjes për këto çështje.

“Duke lanë anash diskriminimin e vrazhdë, me arsyetime shpeshherë banale, duke u përpjekur të mbulojnë (keq)përdorimin e këtij procesi për presion politik, mund të thuhet se "fajtori" kryesor mbetet burokracia evropiane dhe mënyra e vendimmarrjes për këto çështje, ku mjafton një rezervë e shfaqur nga një shtet dhe procesi vështirësohet”, ka vlerësuar ai.

Lepaja thotë se lobimi jo vetëm i Kosovës por edhe vendeve mike, do të duhej të tejkalonte keqpërdorimin e këtij procesi dhe lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës të bëhet realitet.

“Nuk ka dyshim se qeveria ka pasur në agjendë si prioritet këtë çështje, por krizat në marrëdhëniet me BE, në disa vitet e fundit e kanë afektuar këtë proces. Mendoj se lobimi, jo vetëm i kosovarëve por edhe vendeve mike, do të duhej të tejkalonte keqpërdorimin e këtij procesi për presion politik dhe lëvizja e lirë e kosovarëve drejt Evropës të bëhet realitet ashtu si është për të gjithë fqinjët”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Abdullahu: Sugjërimi për zgjedhje do të ishte lajmi më i mirë nga Berlini

Image
Faton Abdullahu

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, duke folur për këtë çështje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se do të ishte mirë që të flitet edhe për vizat në Samitin e Berlinit, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

“Do të ishte mirë sikur në Samitin e Berlinit të diskutohet edhe për viza. Ka kohë që Kosova ka përmbushur kushtet për të siguruar vizat për qytetarët e vet. Por në anën tjetër me atë çfarë ka bërë kjo qeveri dhe përgjithësisht ky koalicion mund të thuhet se ne vetëm kemi degraduar procesin e sigurimit të vizave që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, pushtetarët nuk po tregojnë se në Berlin do të diskutohet mbi të gjitha për dialogun me Serbinë, ku pushtetarët tanë po shkojnë të përçarë për këtë çështje dhe se po ashtu do të diskutohet edhe për taksën.

“Si duket pushtetarëve aktual nuk po ju konvenon të tregojnë drejtë e troç se çfarë do të diskutohet në Berlin. Atje do të diskutohet mbi të gjitha për dialogun Kosovë – Serbi dhe kjo është çështje për të cilën pushtetarët tanë po shkojnë atje të ndarë, në të vërtetë të përçarë. Atje do të diskutohet edhe për heqjen e taksës një çështje tjetër për të cilën në Prishtinë ka mosmarrëveshje deri në vlerësime diametralisht të kundërta”, është shprehur ai.

Lajmi më i mirë nga Berlini, sipas Abdullahut, do të ishte që të sugjerohet që koalicioni PAN të shkojë në shtëpi dhe të kemi zgjedhje të parakohshme.

“Nga Berlin lajmi më i mirë mund të vijë nëse sugjerohet që koalicioni PAN të shkojë në shtëpi dhe të kemi zgjedhje të parakohshme. Thjeshtë ky koalicion nuk është në gjendje të na sjell diçka të mirë nga Berlini edhe përkundër vullnetit të mirë të Gjermanë dhe Francës”, ka deklaruar Faton Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Liberalizimi do të jetë temë kyçe

Image
Skënder Zogaj

Ndërkaq, analisti politik Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se në Samit diskutohen çështje që i brengosin shtete të caktuara, derisa beson se çështja e liberalizimit të vizave do të jetë tema kyçe.

“Samitet zakonisht mbahen për të diskutuar çështjet e rëndësishme nga aktualiteti, që i preokupojnë shtetet e caktuara. I këtillë do të duhet të jetë edhe Samiti i Berlinit, ku, nëse se do të bisedohet për Kosovën, nuk ka dyshim se çështja e liberalizimit të vizave besoj fort se do të jetë tema kyçe”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, kryeministri do ta shfrytëzojë rastin që t’ua sqarojë miqësisht përfaqësuesve të shteteve mbajtjen e Kosovës të izoluar, duke shtuar se Samiti do të jetë me ndikim të madh për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kryeministri i Kosovës jam i bindur se do të shfrytëzojë rastin që t‘ua sqarojë miqësisht përfaqësuesve të shteteve mike mbajtjen nën izolimin e pameritueshëm të qytetarëve të Kosovës! Kjo nuk do të thotë se Samiti merr vendim por mund të jetë me ndikim të madh preferues që sa më shpejt edhe Kosova të gëzojë liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, Samiti i Berlinit do të mbahet me 29 prill, ku bashkë me kryeministrin Haradinaj, në Berlin do të shkojë edhe presidenti Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat