Koalicioni LDK-LVV - Shoqëri Civile dhe Diasporë mundësia e vetme për shpëtimin e Kosovës

Politika

Koalicioni LDK-LVV - Shoqëri Civile dhe Diasporë mundësia e vetme për shpëtimin e Kosovës

Nga: Armira Shaqiri Më: 27 prill 2019 Në ora: 08:24
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Gjendja politike në Kosovë nuk është e qëndrueshme. Andaj, qytetarët po e shohin si zgjidhje për të dalë nga kjo situatë një koalicion ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se një koalicion i partisë së tij me LDK-në, është mundësia e vetme për shpëtimin e Kosovës.

“Unë besoj që koalicioni LDK-VV e shpëton Kosovën, por tash nuk jemi atje”, ka thënë Kurti në një emision televiziv.

Millaku: LDK-VV alternativa e vetme

Image
Drita Millaku

Lidhur me këtë, Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku për gazetën “Bota Sot”, ka thënë se, e vetmja mënyrë për t’i hequr qafe njëherë e mirë matrapazët nga pushteti është koalicioni LVV-LDK.

“Është alternativa më e mirë edhe e vetme, dhe mendoj se edhe koalicioni parazgjedhor është shumë i nevojshëm. Ajo nënvizon se një koalicion parazgjedhor do t`i jepte fund përveç qeverisë edhe Hashim Thaçit”, përfundoi deputetja Millaku.

Gecaj: Ka ardhur koha që PDK të shkojë në opozitë

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj për gazetën “Bota Sot” ka thënë se, besoj është herët të flitet për koalicione si para ashtu edhe pas zgjedhore.

“Është me rëndësi që LDK tregon rritje të vazhdueshme në sondazhe, por edhe nga kontaktet e rregullta me elektoratin dhe anëtarësinë tonë. Tanimë është provuar se ky vend mund të eci para vetëm nën udhëheqjen e LDK-së dhe me një koalicion i cili e vendos vendin para interesave individuale, klanore e grupore”, është shprehur ai.
Gecaj ka potencuar se, sistemi ynë politik është ndërtuar në atë mënyrë që thuaja se e pamundëson udhëheqjen e vendit nga vetëm një parti politike, prandaj edhe koalicionet janë të domosdoshme.

“LDK nuk duhet të vendosi vija të kuqe në lidhje me këto koalicione, por duhet që ççdoherë të ketë prioritet interesin e vendit. Megjithatë, besoj fuqishëm që ka ardhur koha që PDK të shkojë në opozitë, pasi që kjo do të ishte e mirë si për PDK ashtu edhe për vendin”, ka thënë Gecaj.

Abazi: Duhet koalicioni LDK-LVV -Shoqëri Civile dhe Diasporë

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi për gazetën “Bota Sot” ka thënë se, koalicioni LDK-LVV -Shoqëri Civile dhe Diasporë është e vetmja formë për të larguar këtë sistem të korruptuar dhe diktaturë kapilare që ka vendosur Thaçi dhe klika e tij.

“Tani duhet kuptuar se përveç që është punë e madhe që duhet në heqjen e këtij sistemi, qytetarët nuk kanë durimin e përjetshëm dhe ka nevojë për një mobilizim të gjitha forcave mendore e intelektuale për të riparuar dëmet e jashtëzakonshme që kanë shkaktuar dhe që të punohet në vizionin e avancimit dhe përfshirjes së qytetarëve në procese dhe në integrimin politik, social, ekonomik të vendit drejt Bashkimit Evropian”, ka nënvizuar ai.

Abazi tutje ka thënë se, kjo është një punë e madhe dhe ne jemi mbrapa të gjitha vendet në rajon dhe një koalicion i shpëtimit tani duhet shndërrohet ne koalicion e zhvillimit të shpejtë dhe me dinamika të përshpejtuar për tëzënë hapin.

“Një koalicion i tillë gjithashtu është domosdoshmëri për të larguar disa ameba në politikë siç janë PSD, AKR e Alternativa dhe për ta kthjellur AAK-në që ka devijuar plotësisht dhe NISMËN e cila nga një parti rebeluese të PDK u bë parti e darkave me Thaçin dhe njerëzit e tij”, ka thënë ai.

Burjani: Deri më tani nuk është provuar vetëm LDK dhe LVV

Image
Blerim Burjani

Kurse, analisti politik Blerim Burjani, për gazetën “Bota Sot” ka thënë se, deri tash qytetarët kanë humbur shpresën se këto parti aktuale mund të sjellin rendin dhe ligjin e po ashtu edhe të ndalin trendin e degradimit institucional.

“Kishte vetëm zhvatje të buxhetit dhe përfitim. Partitë aktuale kanë bashkëpunuar në qeverisje me PDK dhe AAK, tash janë komplet krahu I komandantëve në qeverisje të shtetit”, ka nënvizuar ai.

 Sa i përket një koalicioni të tillë, Burjani thotë se deri më tani nuk është provuar vetëm LDK dhe LVV. Sipas tij, kjo mbetet të shihet edhe pse LVV nuk ka kapacitete për të qeverisje me shtetin.

“Vërejtje ka edhe te LDK, pasi sipas tij kjo parti duhet të reformohet nga brenda, sepse disa grupacione brenda saj po e pengojnë partinë. Duhet gjetur rrugën e demokratizimit të brendshëm”, përfundoi Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat