Abdullahu tregon cili do të ishte lajmi më i mirë nga Samiti i Berlinit

Politika

Abdullahu tregon cili do të ishte lajmi më i mirë nga Samiti i Berlinit

Nga: G.B Më: 27 prill 2019 Në ora: 14:29
Faton Abdullahu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se në Samitin e Berlinit do të diskutohet edhe për liberalizim e vizave.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, duke folur për këtë çështje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se do të ishte mirë që të flitet edhe për vizat në Samitin e Berlinit, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

“Do të ishte mirë sikur në Samitin e Berlinit të diskutohet edhe për viza. Ka kohë që Kosova ka përmbushur kushtet për të siguruar vizat për qytetarët e vet. Por në anën tjetër me atë çfarë ka bërë kjo qeveri dhe përgjithësisht ky koalicion mund të thuhet se ne vetëm kemi degraduar procesin e sigurimit të vizave që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, pushtetarët nuk po tregojnë se në Berlin do të diskutohet mbi të gjitha për dialogun me Serbinë, ku pushtetarët tanë po shkojnë të përçarë për këtë çështje dhe se po ashtu do të diskutohet edhe për taksën.

“Si duket pushtetarëve aktual nuk po ju konvenon të tregojnë drejtë e troç se çfarë do të diskutohet në Berlin. Atje do të diskutohet mbi të gjitha për dialogun Kosovë – Serbi dhe kjo është çështje për të cilën pushtetarët tanë po shkojnë atje të ndarë, në të vërtetë të përçarë. Atje do të diskutohet edhe për heqjen e taksës një çështje tjetër për të cilën në Prishtinë ka mosmarrëveshje deri në vlerësime diametralisht të kundërta”, është shprehur ai.

Lajmi më i mirë nga Berlini, sipas Abdullahut, do të ishte që të sugjerohet që koalicioni PAN të shkojë në shtëpi dhe të kemi zgjedhje të parakohshme.

“Nga Berlin lajmi më i mirë mund të vijë nëse sugjerohet që koalicioni PAN të shkojë në shtëpi dhe të kemi zgjedhje të parakohshme. Thjeshtë ky koalicion nuk është në gjendje të na sjell diçka të mirë nga Berlini edhe përkundër vullnetit të mirë të Gjermanë dhe Francës”, ka deklaruar Faton Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat