Jo sinqeriteti i Albinit për Rugovën, zhgënjen

Politika

Jo sinqeriteti i Albinit për Rugovën, zhgënjen

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 30 prill 2019 Në ora: 07:55
Ibrahim Rugova dha Albin Kurti

Në prag të protestës madhore të 18 gushtit 2018, bëra shkrimin "Vetëvendosje e vetme  në mbrojtje të Republikës". Asaj dite isha pjesë e kësaj proteste. Albin Kurti bëri thirrje publike për pjesëmarrje, duke përcaktuar edhe Sheshin "Ibrahim Rugova", që e përmendte për herë të parë. Por, destinacioni ndryshoi, duke u ndalur në kufirin e këtij sheshi.

 U afrova pranë Tribunës, pyeta njërin nga anëtarët markant të Kryesisë: 

- Pse i pykuat protestuesit në këtë ngushticë? Mos ju pengon Shtatorja e Presidentit Rugova? E kuptoni ju sa shumë i kushton ky qëndrim Vetëvendosjes?

Anëtari i Kryesisë të Vetëvendosjes u përgjigj njerëzisht:

- "Jo, nuk na pengon Shtatorja e Rugovës, por na thanë të mos u afrohemi ndërtesave të Institucioneve. Kurse qëndrimin ndaj figurës të Presidentit Rugova, do ta shqyrtojmë me seriozitetin e duhur, kuptohet, për të mirë". 

Të njëjtin mendim, madje, më të avancuar, ka dhënë një drejtues i Kryesisë së ngushtë të Vetëvendosjes, me rastin e një vizite në Gjermani, kur është pyetur, nga një veprimtar veteran i Mërgatës shqiptare, për qëndrimin hiç fisnik të tanishëm të Vetëvendosjes ndaj Presidentit Rugova.

Fenomeni: lidër partiak!

Kishte vetëm pak muaj, që Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i LDK-së dhe një anëtar i Kryesisë e quante lidër të LDK-së, edhe pse Isa nuk ishte themelues i partisë, madje, as anëtar i saj. Duke e kalaveshur me kompetenca enorme, i rrethuar nga klani vicioz e servil, ai fitoi fuqi mbretërore dhe u bë ngulfatës i demokracisë brenda-partiake. E nisa me Isën, si rast ekstrem të liderizmit, që është jashtë çdo logjike përdorimi i kësaj emërtese, për një njeri që ka zero kontribut në parti.

Shkarkimi i drejtorit komunal, në Prishtinë, Jonuz Salihu, deklarata e tij publike për këtë rast, është pasqyrë reale, për fudullëkun, mujëshinë, deri në rrugaçëri, të liderëve partiakë të Kosovës e, ndoshta, edhe ballkanikë. Kërkesa legjitime, drejtuar kryetarit-mbret të partisë, Ramush Haradinaj, për ta mësuar shkakun e shkarkimit të tij, merr përgjigje telegrafike, elektronike: "Mos ma nguc Shpendin!" Dhe, vetëm kaq, pa asnjë reagim të dytë! Një shpërfillje cinike, për një bashkëpunëtor e shok 20 vjeçar, kuadër partiak e shtetëror: anëtar i Kryesisë, deputet, ministër... "Në AAK-a ka deputetë që nuk meritojnë të jenë as në rrugë", - shprehet, çiltërisht, Salihu. Megjithatë, Ramushi mburret që i ka 10 deputetë "të hurit dhe të litarit!"

Është bërë shumë shqetësues fenomeni - lideri i partisë -. Kompetencat, edhe ashtu të mëdha, që ia jep zyrtarisht, statuti i partisë, lakejtë rreth kryetarit ia shtojnë edhe privatisht. Sepse, duke mbetur kryetari në post, mbetët edhe klani rreth tij, duke e koracuar partinë, duke ngulfatur demokracinë brenda-partiake.

Për këtë fenomen është akuzuar, nga grupi i ndarë, tani, në PSD-e, edhe Albin Kurti. Ishte i avancuar statuti i Vetëvendosjes, i cili kufizon kryetarllëkun në dy mandate. Por, e keqja e madhe ndodhi, kur Albini nuk priti ta gëzojë Visari mandatin e dytë, edhe pse ishte shumë i suksesshëm dhe Vetëvendosja u dyfishua me anëtarësi.

Atëherë, lind dyshimi:  A i konsulton Albini shokët, kur Vetëvendosja injoron Presidentin Rugova, duke mos e respektuar, ndërkohë që bota gjithë-shqiptare e vlerëson, madje edhe më gjerë, dhe nderon figurën e Tij, që bëri më shumë se askush tjetër për Kosovën? Apo mos, vallë, Albini vepron si mendon vet, ashtu siç bëjnë "pleqtë" në Kryesinë të LDK-së, kur bëjnë koalicionin e pistë me partinë-bandë, PDK-në; zgjedhin Hashimin president, edhe pse Rugova kishte thënë se "është i rrezikshëm për Kosovën", aprovojnë demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke humbur mijëra hektarë; refuzojnë pjesëmarrjen në protesta kundër PAN-hajnisë e krimit-PAN si dhe koalicionin me Vetëvendosjen, si shans i vetëm, për largimin e bandës-PAN.  Dhe, këto batakçillëqe ia faturojnë strukturave dhe anëtarësisë së LDK-së, edhe pse, me gjithë kundërshtinë e tyre, janë shpërfillur turpshëm e kriminalisht.

Dibranët tanë kanë një urtësi stopuese për egoizmin, vetjakësinë: "Një mendje - asnjë mendje; dy mendje - gjysmë mendje; tri mendje - një mendje". Prandaj, edhe Albini është mirë ta bëjë dert, të bisedojë me shokët e tij, sepse edhe ata duhet të dijnë diçka, ngaqë në bisedën tonë, të bërë me ata, shihet qartë se për çështjen e Presidentit Rugova, nuk janë të një mendje me Albinin e tyre.

Është anakronike mendësia e vjetër, për një parti rinore 

Arsyetimi i Albinit se Rugova refuzoi një protestë të studentëve më 1997, nuk është hiç bindës. E vërteta është se Albini vazhdon të mbetet peng i mësuesit të tij, Adem Demaçit. Janë shpifjet e vrazhdëta të Demaçit, ndaj Rugovës, që e vetëdëmtuan atë, deri në shembjen e tij. Madje, në këtë pësim, Demaçi nuk është  i vetëm. Ishte durimi fisnik i Dr. Rugovës, që i mundi kundërshtarët e tij, të djeshëm dhe të sotëm. Unë jam ndjerë shumë keq, madje, deri në lot, për fundin e idhullit tim Demaç, kur kam parë përcjelljen mortore të pakët, bilëz, fatalisht të pakët, për - Simbolin e rezistencës kombëtare -!

Hapja e Zyrës në Prishtinë, nga udhëheqësi politik i UÇK-së, Adem Demaçi, me sekretar Albin Kurtin, nuk i solli asgjë të mirë Kosovës. Sepse, Serbia i referohej kësaj Zyreje, si matës i demokracisë dhe të përballjes të dy ushtrive! Ndërkohë që pushtuesi vriste fshatarët bujq, pleq e plaka dhe fëmijë, toleronte UÇK-eistat Demaçin e Kurtin në mes të Prishtinës! Demaçi e Kurti mund ta kenë statutin e veteranit, por duhet të spostohen në atë listën e 33.300 "veteranët" mashtrues.

Sjellja injoruese e Kurtit ndaj Rugovës, përkundër vullnetit të bashkëpartiakëve të tij në Vetëvendosje, e dëmton atë, kur thotë se "PSD-ja e sotme u nda nga ne, sepse nuk e duronin demokracinë në Vetëvendosje!?" Fakti se në mes Rugovës dhe Enver Hoxhës, Albini preferon këtë të fundit, flet mjaft edhe për "demokracinë" e tij. Ky orientim ideologjik, e trembë shumë brezin shqiptar, që kanë përcjellur sundimin komunisto-fashist të Hoxhës të Tiranës. Neokomunizmi, pra, komunistët e rinj, si Edvin Rama me shokë, po ia bëjnë xhëmën Shqipërisë. Dhe, çuditërisht, në mënyrën më cinike e kriminale, kanë përkrahjen edhe të ndërkombëtarëve!!

Realisht, protestat e studentëve të viteve të 90-a, në krahasim me ato të fund-vitetee `60-a dhe `80-a, ishin të zbehta, për të mos thënë të dështuara:

1) Rektori që u printe, nuk kishte pranuar firmosjen e - Peticionit të 215 Intelektualëve të Kosovës, kundër marrjes të Autonomisë së Kosovës, nga ana e Serbisë; 

2) Katërshja drejtuese e studentëve, i parë Albin Kurti, ishte emërtesë e dhunshme, nga LPK-ja, prandaj , masa studentore i refuzonte.

Ata dëgjeneruan gazetën e "Bota e re" të Ibrahim Rugovës me shokë, të viteve 70-a. Ndërruan jo vetëm emrin, por, edhe politikën redaktuese, përmbajtjen, duke e bërë leckë të kalemxhinjëve mërcënarë komunistë e stalinistë, përkatësisht, të Tiranës dhe të Prishtinës. Politika redaksuese e saj ishte në një linjë me shtypin serb të kohës, në përçarjen e shqiptarëve. E tillë vazhdon të jetë edhe sot. Këta kryegardistë të kuq, edhe sot, pas tri dekadave, kanë mbetur ushtarë besnikë të Lenin-Stalinit dhe të filosllavit Enver Hoxha.

Për rrethanat e krijuara në vitin 1997, aktivizimi numerikë i paramilitarëve serbo-sllavë, papërgjegjshmëria e tyre për krimet e bëra, kur jeta e njeriut barazohej me çmimin e një plumbi, prej 33 qindarka, impononin maturinë, deri në hezitim, të Presidentit Rugova, për ta futur në flakë rininë e pambrojtur të Kosovës.

Profesori i Analizës, Nexhmedin Spahiu, ka dhënë, në sintezë, rolin e tre protagonistëve, në udhëheqjen e Kosovës, në 5 (pesë) dekadat e fundit, kur konstaton se Kosova, për pesë dekada është udhëhequr nga bujq, bari dhe cuba. Azem Vllasi peronifikon bujkun, i cili ka mbjellur aq sa ka mundur, për të mirën e Kosovës; Ibrahim Rugovën, si bari, që ka ruajtur grixhën, pra, popullin e Kosovës, që të mos viktimozohej, siç ndodhi në Bosnje, atëherë kur gjaku nuk do të shpërblehej me liri; dhe Hashim Thaçin cub, me bandën e "komandantëve", të tij, të cilët për 20 vjet, nuk kanë bërë asgjë të mirë për Kosovën, vetëm kanë zhvatur e vjedhur.

Presidenti Rugova ishte udhëheqësi moral e shpirtëror i shqiptarëve. Aplikimi i pushtetit paralel, me Institucionet e krijuara, rast unik në epokën moniste, i dha edhe atribute faktike shtetërore, edhe pse pa polici e ushtri. Andaj, përgjegjësia e tij ishte e madhe dhe merita e shenjtëria e tij, admirohen, deri në adhurim, nga shqiptarët e kudondodhur në botë, përjashto komunistët e rreshkur. Faktojmë me shembujt në vijim:

Kadare: Gabova që e kritikova Rugovën

"Kushdo që ofshanë e shanë, kur përmendet emri i tij, të paktën koha e tregoi se ishte i vetmi politikan, këto 20 vite, që u tregua lidër, që nuk e shembën as “patriotet” që e shanë. Idealizmin s’mund ta gjesh te asnjë njeri, por jemi popull kaq miop, saqë të djeshmen e gjykojmë me të nesërmen. S’ditëm kurrë të ecim në histori me këmbët tona, por çmuam të huajin, që na kapi përdore……

Është e vërtetë që e kam kritikuar Rugovën. Ju tash mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi së e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali, në takimin që kishim në shtëpinë e tij, menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq“, - ka thënë, veç tjerash, shkrimtari, me nam, Ismail Kadare.

Patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli, i cili kishte kritikuar, madje edhe fyer me poezi satirike Rugovën, i penduar thellë, ka kërkuar falje publike, duke thënë se "unë dhe Sadia ime, po presim ngushëllime, në shtëpinë tonë, për shuarjen fizike të Presidentit Rugova".

Ndërsa Profersor Dr. Sali Berisha, thotë se Ibrahim Rugova nuk ka ndërmjetës në historinë shqiptare, që nga epoka e Skënderbeut.

Rugova bëri paqen dhe luftën

Rrjedhimisht, Rugova bëri më shumë se askush tjetër për Kosovën. Madje, gjithçka e bëri në kohën e duhur. "Të mbrohet pragu i shtëpisë", që do të thotë të mbrohet Kosova. Dhe, aktivizoi FARK-istët në pritje, që nga viti 1991, në Kosovë dhe Mërgatë. Dhe, kushtrimi-sentencë u mirëkuptua nga shqiptarët.

Andaj, është koha për reflektim edhe për Albin Kurtin. Ta lërë hipokrizinë, arsyetimin mashtrues, ta pranojë realitetin për figurën e Rugovës, sepse kjo do të ishte shumë e shëndetshme edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Është provuar, madje, katërcipërisht, se inati në politikë është humbës. Këtë ia kam thënë e përsëritur edhe Isa Mustafës. Shikoni në çfarë "derexhe" e ka sjellur LDK-në zëmadhe të Presidentit Rugova!

Ndërsa unë dhe Albini, që kemi vuajtur travajat, në rininë tonë, me referim tek idhulli ynë i përbashkët, Bacë Adem Demaçi, ta duam edhe më tej, si simbol i rezistencës, në një kohë zuzare. Por, assesi ta dëmtojmë të tashmen, me besnikërinë ndaj dogmatizmit ideologjik të tij.

Duhet të jemi realist e mospajtues, madje, edhe hulumtues, çfarë e shtyri Demaçin:

1) Të mos pranojë, më saktë, ta dështojë Marrëveshjen në Osllo, për bashkimin e faktorit ushtarak, që ishte sabotim i luftës të armatosur kundër Serbisë pushtuese?!

2) Pse Demaçi ishte kundërshtar i nënshkrimit të Marrëveshjes në Rambuje, përkatësisht, kundër bombardimit të Serbisë?!

3) Pse aprovoi, pa asnjë hamendje, vrasjen e kundërshtarëve politikë, përkatësisht, të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve FARK-istë të Ibrahim Rugovës, përfshi edhe birin e një Koloneli trim e fitimtar, tani, Hero i Kosovës, studentin Enis Zemaj?!

 O Zot, shpetoje Albinin nga dogmatizmi komunist, sepse siç thotë populli ynë: "Komunizmi është si bari i magarit, i ka rrënjët e thella".

Kërkim-falja nuk është përulje, është fisnikëri

Kemi mirëkuptim në parim, por, në një masë, për Albinin, kur thotë "si të kalohet nga një ekstremizëm, në tjetrin të kundërt?!".

Po ju nuk jeni si ata "komandantët", të cilët e kanë listuar e ndjekur, deri në shenjëstrim për vrasje, në rrugë e shtëpi dhe tani përkulën, ke varri i Presidentit Rugova. Por, nëse këtë e bëjnë në shenjë pendese të mirëfilltë, është e pranueshme, se edhe shpirti kriminal, ka nevojë për purgë, pastrim shpirtëror.

Si masë rënduese për Albinin, është edhe intelekti, zgjuarësia e tij, për ta kuptuar se ka ardhur koha, të thotë: "Rugovë, më ndjej. Jeni njëshi i Shqiptarisë. Të përkulëm për veprën madhore, të bërë për Kosovën". Dhe, kjo nuk do të ishte hipokrizi. Përkundrazi, do të ishte fisnikëri dhe shqiptarët do ta vlerësonin pozitivisht.

Kërkim-falja e bërë nga dy personalitetet elitë kombëtare, të vlerësuar me titullin e lartë - Nderi i Kombit -, Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare dhe vlerësimi sipëror për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova, është një argument, dëshmi shtesë, për të kërkuar falje edhe të gjithë ata, që, për çfarëdo arsye, u nxituan, gabuan, kritikuan e fajësuan, madje, edhe e shanë pacipërisht Atë. Unë krenohem përjetësisht, që isha nxënës i profesorëve Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, në Universitetin e Tiranës.

Refuzimi i Gjykatës Speciale, është mbrojtje e krimit

Dashakëqinjtë e Vetëvendosjes, me bujë e shpallën të dështuar protestën e fundit. Jo, ajo nuk ishte e dështuar, ishte brenda normales, duke pasur parasysh perse protestohej. Ndërsa e dështuar ishte pjesa tjetër e opozitës, e cila palogjikshëm e turpshëm e sabotoi.

Por, shkaqet që prania e protestuesëve nuk ishte më e madhe, duhet parë në gabimin që bënë organizuesit e kësaj proteste:

1) Lëvizja Vetëvendosje nuk duhej ta "ulte pazarin" në një Aleksandër dhe në një Pal, aq më pak në Krishtlindje. "Lepuri flen" gjetkë, në Qeveri e shtet. "Peshku qëlbët në kokë" dhe jo në bisht.

2) Shqiptarët i trembë jo vetëm ideologjia sllaviste e komunizmit, por edhe mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve nga Albini.

Koiçidencë, një natë para protestës, Albini ishte në bisedë dy orëshe ke T7-a. Sipas gazetarit Kërçuku, shikueshmëria ishte e madhe. Në pyetjen nëse e refuzon edhe tani  Gjykatën Speciale, Albini e rikonfirmoi, duke thënë se përkrahë vetëm Gjykatën Vendore! 

Sistemi i drejtësisë së kapur, në Kosovë, nga banda e PAN-it në pushtet, për vite me radhë, nuk ka arritur të ndëshkojë kriminelët e luftës dhe të pas luftës. Ndërkohë që Gjykata Speciale, nga një duzinë të ftuarish për hetim, rezulton se të gjithë hetohen për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, kundërshtarë politikë.

Ndërkohë, shpresa e vetme e shqiptarëve është reduktuar, pikërisht, në Gjykatën Speciale. "Komandantët" kryekriminelë, tani në krye të shtetit dhe të pushtetit, në vend që ta themelonin ushtrinë, krijuan bandat. Për dy dekada radhazi u përkujdesën për bandat, në trajtimin dhe punësimin në vendet kyçe, duke uzurpuar të gjitha Institucionet e vendit. 

Bandat - logjistikë e pushtetit kriminal

LPK-ja e kishte në natyrën e saj konspiracionin. Dhe, kjo ishte normale në kohë pushtimi. Por, këtë e vazhdoi edhe ndaj kundërshtarëve politikë brenda shqiptar. Tani në vend të literaturës, kundër armikut, LPK-ja përdori plumba kundër shqiptarëve, që mendonin ndryshe nga lëvizakët.

Për disa vrasje gjatë luftës, por, sidomos, disa vrasje tjera, mënjëherë pas luftës, UNMIK-u arrestoi disa "komandantë" kriminelë. Kryebanditët partiakë, themeluan disa shoqata, të cilat i pagëzuan me "Shoqata të dala nga lufta!" Shefat e bandave urdhëronin organizimin e protestave, pas çdo arrestimi të ndonjërit apo edhe të grupit kriminal, kryesisht, me akuzën për vrasje faktike. Dhe, krerët e Shoqatave u prinin protestuesëve, mbanin edhe fjalime të zjarrta për "komandantët çlirimtarë". 

Për ndërkombëtarët, të cilët administronin Kosovën, u krijua bindja se shqiptarët kanë prirje kriminale, sepse mbrojnë krimin dhe kriminelët. Prandaj, duhet kujdes të mos favorizohen edhe më tej, në raport me serbët. Këtë bindje të tyre e vulosën protestat e dhunshme të mars-prillit 2004, të cilat, me skenar të Serbisë, i realizuan, pikërisht, Shoqatat e dala nga lufta, të prirë nga "veteranët" e sotëm të rrejshëm.

Këto Shoqata kanë shërbyer dje, vazhdojnë të shërbejnë edhe sot, si logjistikë e pushtetit kriminal. Ato janë të gatshme për çfarëdo aksioni e proteste. Protestuan për aprovimin e ligjit për ruajtjen e vlerave të luftës; për trajtimin e veteranëve; shumëzuan në katër fish numrin e veteranëve, nga 12.700, sa janë realisht, i bënë 46.600 "veteranë". Tani, kur u propozua ndërprerja e pagesave, deri në verifikimin e listave të veteranëve, janë pikërisht këto "Shoqata të dala nga lufta", që bllokojnë këtë masë ndërprerëse!

Edhe shuma prej 390.000 euro, e ndarë, së fundi, nga Qeveria, për "Shoqatat e dala nga lufta", është në vazhdën e përforcimit të bandave, në shërbim të "komandantëve" kriminelë. 

1)Janë këto Shoqata fantomë, që Serbia, për mes tyre, realizoi protestat e dhunshme të mars-prillit 2004, duke sjellur decentralizimin, deri ke "Zajednica". Dhe, askush nuk u kërkon llogari argatëve të Serbisë, për dëmin e pariparueshëm që ata i kanë bër Kosovës!

2) Janë disa nga drejtuesit, në kohë të ndryshme, të këtyre Shoqatave, tani pjesë e Komisionit për "Dëshminë e Veteranit", që, me dijeninë e shefave të tyre, në shtet e pushtet, të cilët organizuan shitjen e këtyre "Dëshmive", duke arritur në 46.600 veteranë, prej tyre 33.300 "veteranë" të rrejshëm. 

Përfitimi material dhe elektoral, klientelë votash të përhershme të blera. Dëmi i shkaktuar, deri para sa kohe, u llogarit në 68 milionë euro dhe vazhdimi do të arrijë në miliarda euro, të zhvatura nga buxheti i varfër i Kosovës. Dhe, megjithatë, Qeveria lavdërohet për punë të mbara! Sepse një popull i mësuar me robërinë, vazhdon të gjëmojë pafundërisht! Deri kur, o skllevër të shekullit digjital?!? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat