“Reformimi i PDK-së larg, më parë shkatërrohet se sa të reformohet”

Politika

“Reformimi i PDK-së larg, më parë shkatërrohet se sa të reformohet”

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 30 prill 2019 Në ora: 22:23
PDK

Partia Demokratike e Kosovës është duke i mbajtur zgjedhjet e brendshme nëpër komunat e Kosovës.

Para pak ditësh,është rizgjedhur kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ku ka marrë mbështetjen e plotë të delegatëve në kuvendin zgjedhor, për të udhëhequr degën e PDK-së në këtë komunë dhe për ta zbatuar platformën “Dekada e Re”. Po ashtu, Sokol Bashota është zgjedhur me unanimitet të plotë kryetar i Degës së PDK-së në Klinë, Qemail Mustafa në Gjilan etj.

Të dy këta të fundit janë duke u përballur me akuza nga Prokuroria lidhur me punën sa ishin kryetar të Komunave përkatëse.

Por, pavarësisht kësaj, PDK-ja thekson se mbetet lidere në shumë ndryshime, në sjelljen e figurave të reja në skenën politike, njerëz profesionistë, si dhe për hapësirën që u ka dhënë grave e të rinjve dhe do të vazhdojë edhe më fuqishëm në konventën e ardhshme zgjedhore.

Gazeta “Bota sot”, ka tentuar të kontaktojë edhe me zyrtar të kësaj partie, se si është duke ecur procesi i brendshëm dhe se a ka reformime në këtë proces zgjedhor, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Tahiri: Të gjitha partitë në Kosovë janë parti lideriste

Image
Ramush Tahiri

Politologu Ramush Tahiri, thotë për “Bota sot” se gjitha partitë në Kosovë janë në proces zgjedhor, ngase siç thekson ai, këtë e kanë mund edhe dëshirë për t’u reformuar, por para së gjithash e kanë obligim ligjor që çdo katër vjet t’i nënshtrohen procesit të zgjedhjeve dhe të kenë strukturat dhe organet me mandat të ri dhe për këtë proces ta njoftojnë me shkrim KQZ-në.

“Të gjitha partitë në Kosovë janë parti lideriste me hierarki dhe meritokraci të bindjes ndaj liderit. PDK-ja po zgjedh kryetarët e saj të deritashëm me ndonjë përjashtim të vogël nëse ndonjeri shkon më lartë në politikën e kuadrove, pra ndonjë drejtori, bord apo zëvendësministër ose në diplomaci”,tha analisti dhe politologu, Ramush Tahiri.

Tutje, Tahiri shtoi se Partia Demokratike e Kosovës është e interesuar për vazhdimësi të politikave dhe për rolin që ka edhe pse ka paralajmërime se do të ketë ndryshime në shekullin e ri.

“PDK-ja është e interesuar për vazhdimësi të politikave dhe për rolin që e ka me gjithë paralajmërimin për shekullin e ri dhe për ndryshime duke e deklaruar liderin e saj si kryeministrin e ardhshëm të Kosovës e duke konsideruar se nuk duhet hequr dorë nga kuadrot e vjetra e të dëshmuara që i ka të strukturuara në shtet dhe në agjencitë”, përfundoi Tahiri.

Gashi: PDK-ja e ka të vështirë të ketë reforma brenda organeve të saj

Image
Kenan Gashi

Ndërsa, Kenan Gashi, drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare AVONET, ka thënë se, siç është raportuar edhe në medie, disa nga incidentet në disa nga nëndegët të degëve të ndryshme që ka pasur problem, edhe duke mos përjashtuar edhe përleshjet fizike, kjo tregon se në këto degë ka tendencë që mos të kenë një demokraci dhe liri.

“Vërehet se në shumicën e degëve të PDK-së nëpër komuna, nuk kemi një ndryshim të figurave si atyre në kryesitë e degëve dhe po ashtu nuk kemi vërejtur dallim të theksuar që një kryetar i ri ka ardhur si kryetar dege”, tha Gashi.

Gashi shtoi se PDK-ja ka një praktikë brenda degëve që nuk bëjnë lëvizje të mëdha, sepse mendojnë që mund të ndikojë në elektoratin e tyre dhe një numër i madh i degëve ka grupacione, që në mënyra direkte apo indirekte ndikojnë.

“Shembull,në Skenderaj ka ndikimin e familjes Lushtaku që nuk ka mundur në një periudhë të tillë që të ketë ndryshime, edhe pse kjo degë ka probleme të theksuara. Një shembull më ndryshe dhe i mirë nga shumë degë është Komuna e Shtimes, kjo degë për disa mandate nuk ka pasur të njëjtin kryetar që është rizgjedhur apo për disa mandate as kryetari i komunës nuk ka qenë kandidat për kryetar dege të PDK-së edhe pse këtë komunë e udhëheq PDK-ja”, tha Gashi.

Ai, më tutje, shtoi se, shembull tjetër i keq është i degës se Vitisë, Podujevës dhe Deçanit, ku këto degë janë opozitë me të njëjtin kryetar dhe strukturë, ku asnjëri nuk kanë pasur rezultate.

 “Dega e Ferizajt e cila  udhëhiqet nga PDK-ja dhe e cila është e vetmja komunë e madhe që qeverisë PDK-ja, që në vitin 2012, e 2013 ka pasur thyerje për shkaqe të zgjedhjeve të brendshme të PDK-së dhe kjo thyerje ka ndikuar në humbjen e pushtetit në vitin 2013 – 2017, që vitin 2017 ka marrë pushtetin, por kjo degë ka vazhduar të ketë të njëjtin kryetar dege edhe të rizgjedhë prapë me unanimitet”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, Gashi tha se kjo tregon se PDK-ja e ka të vështirë të ketë reforma brenda organeve të saj dhe po ashtu shpesh kjo ka ndikuar në qeverisje si nivel lokal dhe qendror.

Burjani: PDK më parë shkatërrohet se sa të reformohet

Image
Blerim Burjani

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani thotë se PDK është në krizë të thellë,  ngase siç thekson ai, kjo garniturë aktuale në PDK,është fundi i këtij subjekti politik në periudhën 3 deri 5 vitet  e ardhshme.

Burjani është shprehur se ndryshime nuk priten në një parti që ka kapur shtetin e që është pasuruar pa bazë.

“Ky subjekt politik më mirë do të ishte të pezullojë plotësisht veprimtarinë e vet dhe të bashkëpunojë me organet e rendit për njerëzit e këtij subjekti që e kanë kapur shtetin, pasuritë publike dhe që bëhet shkaktar pse ikin rinia dhe të gjithë tjerët nga shteti”, tha Burjani.

Burjani shton se kjo parti është e tipit feudal sikur në kohën e bujkrobërve kur janë rebeluar për feudalët, parti që nga sistem i të jetuarit bujkrobër,  janë shndërruar në pasanik kapitalist.

“Pra, duhet një reformë e skajshme të ndodhë sa më parë aq më mirë.  Kadriun nuk e lë të ketë një kryesi profesionale dhe vizionare, nuk ka njerëz për vete , Kadriu nuk i do servilët, por ende servilët e Thaçit janë të fuqishëm në këtë subjekt, kjo po i bënë dëm të madh Kadriut i cili ka meritë edhe për Thaçin që ka fituar zgjedhjet prej vitit 2007 e tutje. Realisht, ky subjekt ka probleme të mëdha sa i përket keqbërësve të saj në shtet”,ka thënë Burjani.

Tutje, Burjani ka thënë se kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli,  duhet të punojë në drejtim të reformimit të plotë ,me njerëz të përkushtuar, profesionalë dhe të talentuar e të përgatitur mirë për të udhëhequr politikën shtetërore.

Ai shton se, ky subjekt ka mentalitet të njëjtë si të vitit 2000, pra s’ka asnjë lëvizje tjetër pozitive . Burjani tha se, këtë subjekt e karakterizon patriotizmi dhe pasurimi pa bazë, dhe se është shndërruar në një pengë të madh për shtetin, do të ishte mjaft pozitive sikur të ndodhë një reformim i plotë i këtij subjekti.

“Ky subjekt duhet të largojë të gjithë njerëzit, përfshirë në rastin Pronto nëse do të ndryshojë dhe të përmirësojë imazhin e saj, e njerëz që janë pasuruar pa bazë të cilët janë të shumtë. Kjo parti ka edhe shumë njerëz "argat" që marrin rroga nëpër borde komisione të pavarura, gjithashtu kjo parti nuk e ka lënë as ombudspersonin të zgjidhet i pavarur , pra ka shume gjëra të këqia”, tha ai.

Sa iu përket zgjedhjeve të deritashme, sipas Burjnait, janë të kota dhe nuk do të ketë ndryshime fare as në kryesi,as në këshillin drejtues e as në dikaster qeveritar.

“Hashimi Thaçi e pengon Kadriun, ai do të rikthehet prapë në PDK pas mandatit të presidentit. Larg është çështja e reformimit  të këtij subjekti, më parë shkatërrohet se sa të reformohet”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat