Ahmet Isufi: Është vështirë të arrihet një marrëveshje me Serbinë

Politika

Ahmet Isufi: Është vështirë të arrihet një marrëveshje me Serbinë

Nga: D. B. Më: 1 maj 2019 Në ora: 17:16
Ahmeti Isufi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Ahmet Isufi ka thënë për “Bota sot” se dialogu Kosovë-Serbi, nuk do të jetë i lehtë duke pas parasysh përvojat e mëhershme të dialogut dhe duke u nisur nga premisa se udhëheqja serbe nuk ka ndryshuar qëndrimin madje është duke u shërbyer me logjikën e paraprijësit të saj Millosheviçit.

“Kur kemi parasysh se janë të njëjtit protagonist të luftës makabre dhe gjenocidale që kanë zhvilluar në Kosovë vështirë se mund të arrihet një marrëveshje e cila do të rezultonte me normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke mes dy shteteve. Po ashtu, një politikë dyfytyrëshe herë pro ruse herë pro Evropë është treguesi më i mirë se do të prolongohet procesi dhe zgjidhja do të jetë shumë e vështirë”, ka thënë Isufi, duke shtuar se ky vit mund të jetë pikënisja e një dialogu më serioz, por zgjidhja mund të jetë me probleme që mund të prolongojnë procesin.

Ai ka theksuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar bazën e zhvillimit të dialogut që ka të bëjë me platformën, ligjin dhe ekipin e Kosovës për dialog.

“Rrethanat janë të ndërlikuara kur kemi parasysh angazhimin e presidentit dhe iniciativën e tij për korrigjim të kufijve e që është në kundërshtim me dokumentet bazë të shtetit dhe ekipin negociator, madje mospajtimin e të gjithë spektrit politik duke përfshirë edhe partinë prej së cilës ka dal presidenti. Megjithatë do të ishte mirë që lidershipi i Kosovës të bazohet në detyrimet që ka marrë nga Kuvendi dhe të dal me një zë”, është shprehur deputetit Isufi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat