Presidenti Thaçi, të dorëzojë çelësat e të shkojë në shtëpi!

Politika

Presidenti Thaçi, të dorëzojë çelësat e të shkojë në shtëpi!

Nga: N.Sh Më: 1 maj 2019 Në ora: 17:41
Hashim Thaçi

Kryetari i Republikanëve të Kosovës, prof. Faton Kurti, thotë se, nënvlerësimi dhe tonet zhgënjyese ndaj Samitit të Berlinit nga ana e presidentit Hashim Thaçit vijnë pikërisht si rezultat i frikës së tij se mund të rezultonte me "vdekjen e idesë së tij për ndarjen e Kosovës".

Kurti thotë se, kërkesa e Gjermanisë dhe Francës ishte shumë e qartë, vendimtare dhe "vdekjeprurëse" për idenë e ndarjes/këmbim territoresh nga treshja, Thaçi, Vuçiq dhe Rama - marrëveshje përfundimtare Serbi - Kosovë po, por kurrsesi me ndryshimin e kufijve.

Image
Faton Kurti

“Thirrja e Thaçit gjatë Samitit në Berlin, se pa praninë e SHBA-ve nuk duhet të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk vjen nga dashuria e madhe që ka Thaçi për SHBA-në - por vjen nga bindja e tij se lobimi i tij atje veç e ka bindur qeverinë e Trumpit se pa ndryshim të kufijve nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë! Thaçi duhet ta ketë të qartë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë si në aspektin ekonomik ashtu edhe gjeografik dhe pa mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës dy shtetet më të fuqishme në BE, për Kosovën do ishte gati e pamundur, ekzistenca dhe përvijimi i rrugës së saj si një shtet i pavarur”, thotë Kurti për gazetën”Bota sot”.

Madje, sipas tij, edhe zhvendosja e vëmendjes nga dialogu tek mospremtimi i europianëve për liberalizimin e vizave me Kosovën është i qëllimshëm nga Thaçi për tu fshehur pas tymit që ai është mësuar të krijojë kurdoherë që nga evropianët dhe sidomos nga gjermanët vijnë qëndrime të prera, veçanërisht për të mos lejuar ndryshime kufijsh në Ballkan.

“Sipas mendimit tim, meqënëse Thaçi, nuk do të heqë dorë kurrë nga ideja e tij për ndryshimin e kufijve në dëm të Kosovës, i bëj thirrje pozitës dhe opozitës të bashkojnë votat dhe qëndrimet dhe në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës të votohet unanimisht shkarkimi i menjëhershëm i presidentit Thaçi për të mbrojtur sovranitetin territorial të Kosovës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat