Plani i rrezikshëm për ndarjen e Kosovës, destabilizim me pretekst vizat

Politika

Plani i rrezikshëm për ndarjen e Kosovës, destabilizim me pretekst vizat

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 maj 2019 Në ora: 07:52
Foto ilustruese

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të izoluar, duke mos e gëzuar të drejtën për lëvizje të lirë në zonën Schengen.

Para shkuarjes në Samitin e Berlinit, krerët e shtetit thanë se kjo ishte një mundësi e mirë për liberalizimin e vizave dhe se do të flisnin atje edhe për këtë.

Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Berlinit, kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi të drejtat për lëvizje të lirë, sikur vendet e tjera.

“Kancelare, President, të nderuar Krerë të Delegacioneve Shtetërorë - ne ndajmë me ju jo vetëm një perspektivë evropiane, por edhe perspektivë globale. Ne nuk duam asgjë më shumë se të drejtat e njëjta siç i gëzojnë vendet tjera - dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave. Ne dëshirojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë të plotë si anëtare e Aleancës Perëndimore, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese e zgjidhjes, së bashku me Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Berlini, tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që po mashtrohemi nga BE-ja.

“Kemi arritur ta bëjmë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që ka qenë kriteri i fundit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Mirëpo e kam theksuar edhe në takim se realiteti i sotëm dëshmon se ky kriter i fundit ka qenë vetëm mashtrim e asgjë më tepër. Pra premtim mashtrues”, tha Thaçi.

Pra, nga Samiti i Berlinit, të organizuar nga kancelaria Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, nuk pati asgjë konkrete sa i përket liberalizimit të vizave.

Tahiri: Përfitimet janë më të mëdha nga vizat se sa nga taksa

Image
Ramush Tahiri

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë se nëse është e vërtetë se në Samit Haradinajt i është premtuar liberalizimi i vizave me kusht heqjen e taksës, është dashur të pranohet.

“Nëse është e vërtetë se brenda Samitit në pjesën që u diskutua për Kosovën dhe për marrëdhëniet me Serbinë, nga Kancelarja Angela Merkel dhe nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron i është premtuar Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, se nëse Kosova e heq taksën ndaj mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia e nga Bosnja e Hercegovina, atëherë Bashkimi Evropian do t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Republikës së Kosovës, atëherë është bërë gabim që nuk është pranuar ky kusht”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, përfitimet janë më të mëdha nga vizat se sa nga taksa.

“Mediat po shkruajnë se pas këtij refuzimi Macron është kërcuar se për Kosovën një kohë nuk do të ketë liberalizim të vizave, gjë që është shumë keq sepse më mirë është që vizat të lirohen për një muaj se sa që taksat Kosova t’i mbajë dhjetë vjet. Përfitimet nga vizat janë shumë më të mëdha se sa mbajtja e taksës”, ka vlerësuar politologu Tahiri.

Por, ai po ashtu thotë se mosliberalizimi i vizave është edhe turpi i BE-së, pasi Kosova me të gjitha vendet e rajonit është shumë ma përpara në plotësimin e kushteve për lëvizjen e lirë.

“Përndryshe, mos liberalizimi i vizave është edhe turpi edhe moskonsekuiteti joparimor i Evropës. Kosova me të gjitha vendet e rajonit është shumë përpara në plotësimin e të gjitha kushteve për lëvizjen e lirë, ndërsa me asnjë parametër nuk mund të krahasohet me Ukrainën e Gjeorgjinë. BE dhe SHBA kanë investuar dhe kanë pasur misione të fuqishme në Kosovë dhe s’kanë arritur kinse t’i plotësojë kushtet për ta siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Evropës”, ka deklaruar Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Abazi: Territori për lirinë nga Specialja

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se përshtypja që Samiti i Berlinit ka pasur për qëllim liberalizimin e vizave është bërë krijuar me qëllim, derisa ajo ka qenë për çështjen e integrimit të Ballkanit në Evropë.

“Është krijuar me qëllim përshtypja që Samiti i Berlinit ka pasur për qëllim edhe liberalizimi i vizave. Në fakt thirrja e liderëve Ballkanik në Berlin ka pasur për qëllim çështjen e integrimit të Ballkanit në Evropë por duke hequr iluzionin që Ballkani bashkohet pa i zgjedhur problemet e brendshme”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, Thaçi ka shkuar i vetëm në Berlin me idenë për ndarje në këmbim për Gjykatën Speciale.

“Ajo që u pa qartë në Berlin është se Thaçi ka shkuar atje i vetmuar me idenë për të sabotuar Berlinin duke mbajtur shpresën për opsionin e ndarjes që është këmbim për Gjykatën Speciale. Ai në mënyrë të tërthortë e tha se duhet në marrëveshje gjithëpërfshirëse, që do të thotë ndarja e Kosovës në kompensim të amnistisë së dyanshme por posaçërisht për akuzat që Gjykata Speciale mund t’i ketë ngritur ndaj Thaçit”, ka vlerësuar Abazi.

Liberalizimi si kamuflazh

Ai ka theksuar se liberalizimi është përdorur si kamuflazh nga Thaçi, derisa shton se në deklaratat e tij ka shtrembërime dhe keqpërdorime.

“D.m.th edhe njëherë liberalizimi si një çështje e ndjeshme për qytetarët u përdor si kamuflazhe për qëllimet e Thaçit ashtu siç është përdorur në rastin e demarkacionit. Gjithashtu vizat si temë janë përdorur edhe për të mbuluar çështjen e asociacionit të komunave. Nga deklaratat e Thaçit kemi disa shtrembërime dhe keqpërdorime: Manipulimi me vizat dhe mandej akuzat e tij drejtuar BE-së për këtë gjë, tentimi për të marrë kredi nga fjalimi i Vasfije Krasniqit, e cila foli për dhunimet për të cilat Thaçi nuk ka folur që 20 vite e as në dialog në Bruksel, dhe manipulimi me Amerikën, duke tentuar që të lidhë bisedimet në Berlin dhe Paris me Ëashingtonin por në fakt është duke kërkuar që Rusia të përfshihet sepse çfarëdo involvimi amerikan i administratës së Trump drejtpërdrejt do të thotë edhe rihapje e çështjes së statusit për shkak se Serbia do të kërkojë pjesëmarrjen e Rusisë”, ka thënë ai.

Abazi thotë se duhet pasur kujdes nga aventurat e Thaçit.

“Kjo gjë nuk duhet të lejohet të ndodhë ashtu siç edhe duhet pasur kujdes nga aventurat e Thaçit sepse mendoj që po mundohet të arsyetojë hapat e destabilizimit të Kosovës nëpërmjet kinse hidhërimit të qytetarëve për viza, gjë që nuk është e vërtet dhe sigurisht që këtë skenar të vitit 2004 nuk e blen më askush”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

“Mjafton të përmendet rasti i gylenistëve”

Image
Faton Abdullahu

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se askush nuk mund të na ndihmojë me këtë çështje, derisa përfaqësuesit e shtetit nuk janë unik dhe se për këtë fajtor kryesor është koalicioni PAN.

"Nuk mund të përfitojmë nga askush as nuk mund të na ndihmojë askush pavarësisht dëshirës së mirë e vullnetit pozitiv përderisa përfaqësuesit tanë jo që nuk janë unik por janë të përçarë. Parimisht tash sa kohë ne i meritojmë vizat. Kemi përmbushur kushtet. Por duket se tani jemi më larg tyre se që ishim. Për këtë fajin kryesor e ka koalicioni PAN. Mjafton të përmendet rasti i gylenistëve. Kur kësaj i shtohen edhe çështja e taksës bashkë më propozimin nonshalant për korrigjimin e kufijve mund ta kuptojmë më mirë hezitimin nga Brukseli. Kjo bëhet edhe alarmante kur i shtohet edhe mosluftimi i korrupsionit", është shprehur ai.

Sipas Abdullahut, duke qenë të përçarë, ata as nuk dinë të ankohen e të kërkojnë drejtësi, derisa për këtë zgjidhje e sheh shkuarjen në zgjedhje.

"Në të vërtetë, për shkak se përfaqësuesit tanë nuk janë unik, jo vetëm që nuk mund të përfitojnë shumë benefite nga askush, pra as nga Samiti i Berlinit, por nuk po ju shkon për dore as të ankohen si duhet, as të kërkojnë drejtësi sa duhet. Nuk shoh rrugëdalje tjetër nga kjo gjendje, pa strategji unike të koalicionit PAN, përveç që t'i jepet mundësia qytetarëve të Kosovës që para kutive të votimit të vendosin se kush do të vendosë për fatin e tyre në të ardhmen e afërt", ka deklaruar Faton Abdullahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat