Komandanti i Koshares i kundërpërgjigjet Dilaver Goxhajt: Zëri i vetmuar i Shtabit të Përgjithshëm

Politika

Komandanti i Koshares i kundërpërgjigjet Dilaver Goxhajt: Zëri i vetmuar i Shtabit të Përgjithshëm

Nga: N.H Më: 5 maj 2019 Në ora: 22:30
Hisen Berisha

Komandanti i Koshares dhe oficeri aktiv i FSK-së, Hisen Berisha, për gazetën “Bota sot”, është përgjigjur edhe ndaj deklaratave të kolonelit shqiptar Dilaver Goxhaj.

Berisha ka thënë se Goxhaj është zëri i vetmuar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilit iu dha mundësia të bënte diçka për Kosovën.

“Misioni i kësaj lufte ishte çlirimi i Kosovës, e thash më sipër se dekorata presidenciale në 20 vjetorin e saj tregon edhe suksesin e saj. Zëri që e citoni është zëri i vetmuar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Megjithatë, Goxhaj, iu dha mundësia të bënte diçka për Kosovën. Ai është një teoricien i mirë që ka nevojë t’iu bëjë përditësim (update) njohurive të tij që i ka demantuar koha teknologjike dhe doktrinarë, për të qenë i harmonizuar me standardet e ushtrive të kohës. Por, Koloneli Goxhaj nuk la ndonjë gjurmë për tu theksuar në luftën për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Berisha.

Ai mes tjerash ka thënë se të flasim me gjuhën tekniko-ushtarake lidhur me objektivat e një lufte, atëherë duhet të sqarohet se çdo luftë ka tre nivele objektivash e që janë ai strategjik, operativë dhe taktikë.

“Në nivelin strategjik objektiv yni dhe i çdo lufte të karakterit çlirimtarë është dhe ishte çlirimi i Kosovës. Në aspektin operativ ishte zhvillimi i kapaciteteve tona luftarake dhe shtrirja e luftës me kapacitetet tona në përmasa vendore deri në armatën e Kosovës. Kurse në nivelin taktik, ne kishim detyra konkrete që na u dhanë me urdhrin për sulm që nga kapja e objektivave të afërm në fazën e parë të sulmit që u realizuan në ditën e parë, me eliminimin e të gjitha pozicioneve siguruese të Kazermës ushtarake si dhe pozicioneve përgjatë vijës kufitare nga 2 Korriku mbi Qafëmorinë deri te rrasa e zogut mbi Rrasen Koshare. Kapja e këtyre objektivave na mundësoi që kazerma të mërej ditën e dytë të luftimeve dhe brenda ditës së 11 prillit të arrijmë të riorganizojmë sistemin e zjarrit, plotësimin e kapaciteteve dhe zhvillimin e njësive për kapjen e objektivave te ardhshme dhe përmbushjen e objektivit final të Betejës përkatësisht luftës”, shprehet Berisha.

Komandanti i Koshares me tej ka treguar se si ishte zhvilluar operacioni në tre drejtime të ndryshme.

“I tërë operacioni ishte organizuar në tre drejtime operative: DO 333, që mbulonte zonën nga “Gusha e Batushës” deri në “Shkallën e Radanit”, në Qafe Morinë; DO 555, që përfshinte “Gushen e Batushës” deri në “Oplaz” të Junikut, dhe DO 777 që përfshinte “Rrasën e Koshares”, deri në “Rrasen e Zogut”. Zhvillimet e luftimeve dhe hapja në krah të luftimeve nga forcat serbe, me dislokimin ne zonën e luftimit të Korpusit të Prishtinës apo Rajonit të tretë ushtarak prej afro 15 mijë trupa, me urdhrin e Komandantit të Operacionit u zhvilluam edhe DO 999, që mbulonte zonën e luftimit nga Rrasa e Zogut deri në tre kufi. Tre drejtimet e para operative u komanduan që më Urdhrin për Sulm të Shtabit të GO3. Ndërsa, DO 999, u komandua me urdhrat plotësues që lëshoi Shtabi i GO3, përkatësisht Brigada 138 Agim Ramadani, gjegjësisht Komandanti i operacionit, Rrustem Berisha”, deklaroi Berisha për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat