Plani i dinak i PAN-it, përdorimi i taksës për qëllime elektorale

Politika

Plani i dinak i PAN-it, përdorimi i taksës për qëllime elektorale

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 6 maj 2019 Në ora: 12:18
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës po vazhdon të jetë një ndër temat më aktuale edhe pse ka më shumë se pesë muaj që është vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Në fillim është mirëpritur nga të gjithë përfshirë edhe krerët e shtetit si dhe nga pozita dhe opozita, më pas ky vendim i Qeverisë pati edhe kundërshtime.

Pas Samitit të Berlinit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndryshuan qëndrimin e tyre.

Një ditë pasi që u mbajt, Samiti i Berlinit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media ku ka deklaruar se taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, ka qenë vendim i drejtë dhe se duhet të mbetet në fuqi.

Kurse, pas takimit me krerët e shtetit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se taksa ka qenë vendimi më dinjitoz i shtetit tonë ndaj Serbisë.

“U bë bajat për taksën, nuk kemi ndërmend të marrim vendim që e vë në qosh asnjë udhëheqës të Kosovës. Kurrë nuk i nënshtrohemi Serbisë dhe Vuçiqit. Punën e taksës largojeni se e keni bërë të madhe pa nevojë. Taksa ka qenë vendimi më dinjitoz i shtetit tonë ndaj Serbisë, pse po e bëni të madhe. Taksa është dashur të konsumohet në raport vetëm më Serbinë, kur e kam propozuar taksën 100 ka qenë përgjigje e drejtpërdrejt e Serbisë e jo SHBA, Francës e Gjermanisë. Kurrë nuk do të ketë nënshtrim ndaj Vuçiqit dhe Serbisë, do të shkojmë gradualisht”, ka deklaruar Veseli.

Loja për interesa partiake

Për analistët, këto deklarata të liderëve të shtetit për taksën ndaj produkteve serbe, nuk janë gjë tjetër vecse një lojë me qytetarët.

Lidhur me këtë çështje, analisti politik, Faik Krasniqi, për “Bota sot” është shprehur se në Samiti i Berlinit kishte paqartësi rreth dialogut dhe liberalizimit të vizave, por u varros ideja për korrigjimin e kufirit.

Image
Faik Krasniqi

Kurse, sa i përket taksës, sipas tij, kryeministri Haradinaj po i reziston mos heqjes së taksës, ndërsa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe zyrtaret e PDK-së, ka muaj që po bëjnë presion për heqjen e saj.

“Samiti i Berlinit përveç varrosjes se idesë për lëvizjes se kufijve, nuk solli asgjë konkrete. Kishte shumë paqartësi rreth dialogut dhe liberalizimit të vizave. Kryeministri Haradinaj po reziston për mos heqjen e taksës. Kurse Kadri Veseli dhe zyrtaret e PDK-se ka muaj që po bëjnë presion për heqjen e saj. Herë me presion e herë me kërcënim me prishje të koalicionit”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe ndryshimet e deklaratave të presidentit Thaçi për taksë, dhe se thekson se me këtë çështje po bëhet lojë.

“Presidenti Thaçi paradite është për heqjen e taksës, kurse në darkë bën apel për mos heqjen e taksës. Njeri i komplikuar, gënjeshtar dhe ngatërrestar. Padyshim që me taksen po bëhet lojë, por edhe ata që e kanëvendosur taksen, por edhe ata që me çdo kusht duan ta heqin s'mund ta heqin aq lehtë, sepse taksa më shumë është "luftë" mes aleateve të Kosovës dhe Serbisë, se sa "luftë" mes tyre!”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”

“Presioni serb në Prishtinë e Tiranë e degjeneron ngadalë dhe taksën”

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet se pas Samitit të Berlinit ra frika për copëtimin e Kosovës.

“Po mendoj se meqenëse ra frika për copëtimin e Kosovës, u zhduk për momentin ajo frikë pasi Gjermania e Franca nuk lejojnë copëtimin e Kosovës, asgjë tjetër nuk po merr vëmendje tani apo nuk po vlerësohet me maksimum vëmendje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Kurse sa i përket taksës, Shahu shprehet se taksa është duke e humbur fuqinë përkundër që dështoi formalisht presioni ndaj Haradinajt.

“Edhe taksa ndaj mallrave serbe duket tani po e humbet fuqinë e magjinë pasi edhe pse dështoi formalisht presioni ndaj Haradinajt në Kosovë a në Berlin, mallrat serbe e kanë gjetur udhën e mafies dhe janë prezent në tregun e Kosovës. Vendimi për taksën ndaj mallrave serbe ishte vendim i madh i një shteti sovran. Zhvillimet e më pasme e presionet e politikës të financuara nga bizneset që kanë bazë mallrat serbe filluan ta banalizojnë e degjenerojnë taksën e zbatimin e saj. Politika u nda në pro dhe kundër”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Shahu është shprehur se lobimi e presioni serb në Prishtinë e Tiranë e degjeneron ngadalë dhe taksën.

“ Tashmë kjo taksë nuk është e dashur dhe e pranuar nga të gjithë dhe natyrisht lobomi e presioni serb në Prishtinë e Tiranë e degjeneron ngadalë dhe taksën”, ka potencuar Shahu për “Bota sot”.

Në Berlin nuk kishte koordinim

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot” , ka deklaruar se në Samitin e Berlinit i është dhënënjë goditje fatale projektit për ndarjen e Kosovës.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Berlin, është një lajm i mirë për Kosovën në aspektin se në këtë samit, përfundimisht iu është dhënë një goditje fatale projektit të Thaçit-Vuçiqit-Ramës, për ndarjen e Kosovës në vija etnike si marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sa i përket, taksës ka thënë se kryeministrit të vendit, RamushHaradinaj i është bërë presion që ta largojë atë dhe se është shprehur se është për keqardhje mos koordinimi i delegacionit të Kosovës.

“Ndërsa sa i përket taksës së vënë nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë në masën prej 100%, është bërë presion të kryeministri Haradinaj, sidomos nga presidenti francez Macron për heqjen e saj, si një mundësi që Serbia e ka paraqitur për të rifilluar dialogun me Kosovën. Është për keqardhje që në këtë samit, delegacioni i Kosovës i përbërë nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj nuk kanë pasur një koordinim as për procesin e dialogut me Serbinë në këtë fazë finale e as për çështjen e taksës”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Haziri shprehet se çështja e taksës për Serbinë është duke u përdorur për lojërat politike dhe për lojërat politik.

“Ndërsa tani jemi dëshmitar se çështja e taksës, edhe pse që nga fillimi ishte popullizëm i liderëve të caktuar të koalicionit PAN, tashmë kjo shihet qartë se po përdorët gjithnjë e më shumë për lojërat e tyre politike dhe për marketing tëbrendshëm politik, deri sa tregu kosovar është i mbushur me mallra serbe që vijnë përmes kontrabandës. Unë pres që pas vazhdimit të samitit në Paris me 1 korrik, çështja e taksës do të marr një epilog, sidomos pas presioneve që do të shtohen nga Berlini dhe Parisi për heqjen e saj dhe vazhdimin e dialogut Kosovë –Serbi. Është shumë e mundshme që heqja e taksës të kushtëzohet me procesin e liberalizimit të vizave”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat