Kush i dha krahë Baton Haxhiut, e kush ia këputi pastaj, në lidhje me “korrigjimin e kufijve” - Bota Sot
Kush i dha krahë Baton Haxhiut, e kush ia këputi pastaj, në lidhje me “korrigjimin e kufijve”

Politika

Kush i dha krahë Baton Haxhiut, e kush ia këputi pastaj, në lidhje me “korrigjimin e kufijve”

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 8 maj 2019 Në ora: 07:56
Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu, foto ilustrim nga "Bota sot"

Përkundër asaj se presidentit Thaçi për ta shitur më mirë planin për korrigjim, vazhdimisht e ka përmendur bashkëngjitjen e Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës, kjo ide ka hasur në rezistencë e madhe si nga ana e pozitës, ashtu edhe e opozitës e shoqërisë civile. Kjo pasi që duket e pa besueshme që Serbia t’ia falë Kosovën Lindore, Republikës së Kosovës pa e pasur ndonjë interes të fshehur, ku ky interes mendohet të jetë cenimi i integritetit territorial të Kosovës, gjegjësisht futja e duarve të Serbisë në pjesën veriore të vendit, duke tentuar ta tkurrë territorin e vendit për qindra kilometra katrorë.

Njeriu i cili në Kosovë më së shumti i ka qëndruar “gatitu” kësaj ideje duke u munduar që ta shes tek populli, tash e sa muaj është Baton Haxhiu, drejtor i një televizioni në vend. Haxhiu nuk ka ngurruar që shpesh nëpër debate të organizuara edhe nëpër televizione tjera si në Kosovë si jashtë saj, ta promovoj këtë ide, madje të nxjerr shpesh edhe informacione “ekskluzive” nga ky proces, pra nga takimet publike e të fshehta mes presidentit Thaçi, Vuçiqit e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Lidhur me arsyet e “çuditshme” të cilat e shtyjnë Baton Haxhiun që me mish e shpirt të e mbrojë e promovojë idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë, të cilat shpesh herë janë jo vetëm të pakuptimta por edhe idiote, ka folur kohë më parë edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili në një paraqitje të tijën në një televizion kishte thënë se është e pakuptimtë pse duhet kaq shumë me i dhënë zor ky Baton Haxhiu kësaj ideje, pse duhet me aq kujdes ai të mundohet të na bind se sa i mirë është ky opsion, ai ka thënë se Haxhiun e sheh si skajshmërisht të involvuar në një agjendë, e cila nuk i takon atij.

“Unë nuk e kuptoj misionin e z. Haxhiu dhe ndonjë Haxhiu tjetër në shoqërinë tonë që me shku e me na shpjegu neve sa i mirë është ky opsion. Pse s’po rrin ai në media të vetë…S’e kuptoj çka i vyn atij një rol i këtillë. Nuk e marr vesh nga i buron detyra. Nga ai e shoh një kampanjë realisht. Unë e shoh z.Haxhiu të involvuar skajshmërisht në një agjendë që s’ka pse me qenë aq e rëndësishme për të” kishte thënë Haradinaj.

Lepaja: Kemi të bëjmë me konfrontim idesh globale, Baton Haxhiu veç shërbëtor

Në lidhje me arsyet të cilat e nxitin Baton Haxhiu ta marrë me kaq “dashuri” avancimin e çështjes së korrigjimit të kufirit, për “Bota sot” ka folur analisti Fadil Lepaja i cili këtë ide e ka ngritur mbi Hashim Thaçin e Baton Haxhiun, duke thënë se kemi të bëjmë me konfrontime të ideve në nivelin global e që Baton Haxhiu është veç një shërbëtor i mirë i oligarkëve shqiptarë në Kosovës e Shqipëri dhe serb në Serbi.

Image
Fadil Lepaja

“Lufta s`ka të bëjë fare me Batonin dhe as me Hashimin madje, krejt kjo është një konfrontim global i dy koncepteve , jo vetëm për Ballkanin Perëndimorë por edhe për vet BE-në. Batoni është veç një ofrues i shërbimeve të mira në mes oligarkëve serb dhe shqiptarë, andej dhe këndej kufirit. Koncepti ruso-serb i ndryshimit të kufijve, nuk është në interesin e Gjermanisë si fuqia kryesore në BE dhe kjo vlen edhe për disa vende tjera të fuqishme. Aktualisht, administrata amerikane e presidentit Trump, nuk është kaq kategorike kundër marrëveshjeve ku përfshihet edhe ndryshimi i kufijve me dakordimin e palëve, por as nuk ka shfaqur interes për të sforcuar këtë. Deklaratat se pa SHBA nuk ka marrëveshje, janë përpjekjet e z. Thaçi dhe palës serbe, me e mbajtë gjallë këtë ide, edhe pse siç e dimë, SHBA nuk janë aq entuziaste për idenë edhe pse nuk e kundërshtojnë atë. Sidoqoftë, idejabie përfundimisht, vetëm kur të arrihet një marrëveshje mbi parimet e njohura tashmë të pranuara nga BE dhe Bashkësia ndërkombëtare. Angazhimi këmbëngulës, individual i presidentit, pavarësisht dhe përkundër pjesës tjetër të klasës politike, tregon pafuqinë e krejt klasës politike në raport me oligarkinë kosovare, drejtues i së cilës është z. Thaçi”, ka thënë analisti Lepaja.

Haziri: Kancelarja Merkel ia preu krahët jo vetëm Batonit, por edhe Thaçit, Vuçiqit e Ramës

Image
Nexhat Haziri

Ndryshe nga Lepaja, analisti Nexhat Haziri mendon se komandantët e Rognerit të cilët menjëherë pas luftës në vend sollën një pushtet vrastarë dhe janë pikërisht ata të cilët i kanë dhënë krah Baton Haxhiut, të cilin e kanë shfrytëzuar për përafrimin e presidentit Thaçi me atë serb Vuçiq.

“Mendoj se Baton Haxhiut, si një njeri i afërt komandantëve nga grupi i Hotel Rognerit dhe strukturave të ish-LPK-së, që menjëherë pas lufte vendosen një pushtet vrastarë në Kosovë, për këdo që kundërshtonte uzurpimin e pronës shoqërore, vrasjet e kundërshtarëve politik, përndjekjet, haraçi, janë pikërisht këta që i dhanë krahë z. Haxhiu dhe që po ashtu ky i fundit iu shërbeu këtyre edhe për lidhjet e biznesit me biznesmen serb të afërt me politikën zyrtare në Beograd. Duke qenë i tillë z. Haxhiu, ai në këto vitet e fundit, sidomos në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ishte njeri kyç i përafrimit të presidentit Thaçi me atë serb Vuçiqi, dhe po ashtu me ndihmën e Haxhiut, edhe kryeministri shqiptar Edi Rama u bë pjesë e idesë të ashtuquajturit korrigjim kufijsh e nënkuptonte edhe ndarjen e Kosovës në vija etnike si marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe tashmë kjo ide është e vdekur, për faktin se ishte kancelarja Merkel ajo që në Samitin e Berlinit, ua preu krahët jo vetëm Baton Haxhiut por edhe presidentëve Thaçi dhe Vuçiq dhe kryeministrit Rama, sa i përket prekjes së territorit të Kosovës”, është shprehur analisti Haziri.

Mehmeti: Në Berlin u shfaq fytyra e vërtetë e Baton Haxhiut

Image
Faton Mehmeti

“Në Berlin është shfaqur fytyra e vërtetë e argatit të Serbisë nga ana e Baton Haxhiut”, kështu shprehet në një prononcim për “Bota sot” analisti Faton Mehmeti i cili thotë se është pikërisht Baton Haxhiu ai koordinatori i të gjitha markave të lidershipit të Kosovës ndaj atdheut të tyre e në favor të Serbisë. “Baton Haxhiu në Berlin u shfaq fytyra e argatit të Serbisë. Takimi i përzemërt me Vuçiqin nuk ishte i rastësishëm, që nënkupton lidhjet e gjatë të Batonit me Serbinë. Ky njeri po kordonin të gjitha «markat» e lidershipit te Kosovës ndaj atdheut të tyre e në favor të Serbisë. Fatmirësisht, Gjermania e hodhi poshtë idenë e Batonit dhe Thaçit për ndarje. Kjo dyshe është rrezik për vendin, por që duket që Kosova po shpëton fal Gjermanisë. Përmes Batonit, Serbia vazhdon të jetë prezente në Kosovë duke shpalosur idetë e saja shoveniste. Batoni duhet të largohet nga ndikimi në institucionet tona në raport me Serbinë”, është shprehur analisti Faton Mehmeti.

Krasniqi: Haxhiu nuk ka aq tru, sa t’i shkonte mendja për korrigjim kufiri

Image
Faik Krasniqi

Ideja e korrigjimit të kufirit është Ruse dhe Serbe, me mbështetje nga Franca dhe Austria e sidomos kjo e fundit. Sipas analistit Faik Krasniqi, “Baton Haxhiu është njo korrier i UDB-së i cili si i tillë ka për detyrë të zbatojë urdhrat e shefave”.

“Gjermania si superfuqia më e madhe e Evropës, gjatë Samitit të Berlinit, varrosi njëherë e përgjithmonë idenë e korrigjimit të kufijve. Baton Haxhiu nuk ka aq tru që t’i shkonte në mend korrigjimi i kufijve. Kjo ide është e Rusisë dhe Serbisë dhe mbështetjen që kishte nga Franca dhe Austria, e sidomos nga kjo e fundit. Ai është veçse një korrier i UDBsë, dhe korrierët duhet të zbatojnë urdhrat e shefave. Një gjë e tillë e ka dëshmuar edhe para luftës. Raportet e tij me Jovica Stanishiqin, madje krenohej për këto raporte që kishte me ish shefin e UDB-së. Mua më çuditë një fakt. Si ka mundësi që njerëzit që udhëhoqën luftën, një tradhtarë e spiun si Baton Haxhiu ta bëjnë njeri shumë të rëndësishëm? Faktor në politikën e Kosovës dhe Shqipërisë. Njeri që vendos edhe për emërimin e ministrave. Shumë e çuditshme, si një bashkëpunëtorë i Jovica Stanishiqit, ka mundësi që din shumë për të kaluarën e tyre, prandaj këta «trimat» i rrinë gati-tu!”, është shprehur Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...