Alarmojnë ekspertët: Parada ushtarake në Nish, demonstrim i forcës kundër Kosovës

Politika

Alarmojnë ekspertët: Parada ushtarake në Nish, demonstrim i forcës kundër Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 maj 2019 Në ora: 07:55
Parada në NIish

Serbia në qytetin e Nishit zhvilloi një paradë ushtarake, nga ku tregoi edhe armatime të reja e pajisje artilerie të dhuruara nga Rusia. Kjo për të parin e këtij shteti, ishte një demonstrim i progresit që ka arritur vendi i tij dhe sa është fuqizuar ai.

Por, ngjarja e mbajtur në “Ditën e Fitores” në Serbi është përshkruar si një paralajmërim kërcënues për shtetin e Kosovës. Kështu këtë ngjarje e kanë cilësuar njohësit e fushës së sigurisë në vend.

Ekspertët e sigurisë për gazetën “Bota sot”, kanë deklaruar se parada ushtarake e mbajtur në Nish, është një demonstrim i forcës kundër Kosovës, dhe vula e këtij demonstrimi ishte pjesëmarrja e kriminelit të luftës Lazareviq në këtë ngjarje.

Sipas këtyre njohësve, diplomacia në Kosovë të udhës duhet ta kishte që të kërkonte mbledhje urgjente në Këshillin të Sigurimit dhe këtë ta paraqes si një demonstrim kërcënues ndaj shqiptarëve kudo në Ballkan.

Kajtazi: Parada ushtarake, demonstrim i forcës kundër Kosovës

Image
Fadil Kajtazi

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se ngjarja e së premtes në Nish është demonstrim i forcës kundër Kosovës, dhe vula e këtij demonstrimi është pjesëmarrja e kriminelit të luftës Lazareviq në këtë paradë.

“Parada ushtarake është demonstrim i forcës kundër Kosovës, dhe vula e këtij demonstrimi është pjesëmarrja e kriminelit të luftës Lazareviq. Nuk e di se çfarë duhen argumente më të shumta për të kuptuar se lidershipi i tanishëm serb është vazhdimësi i atij të Millosheviqit. Edhe Vuçiq, edhe Daçiq kanë qenë pjesë e aparatit shtetëror të Millosheviçit dhe janë vazhdimësia e politikës se tij. Këtë e pranoi edhe vet Vuçiq vitin e kaluar në Mitrovicë”, është shprehur Kajtazi.

Kajtazi me tej ka shtuar se Kosova tani për tani nuk është e rrezikuar nga ndonjë ndërhyrje ushtarake nga Serbia, derisa këtu të jetë i pranishëm KFOR-i dhe ShBA-të.

“Kosova për momentin nuk është e rrezikuar nga ndonjë ndërhyrje ushtarake nga Serbia derisa këtu të jetë i pranishëm KFOR-i dhe ShBA-të. Por, kjo nuk do të thotë se mund të vazhdoi kështu. Klasa e tanishme politike që tani udhëheqë me Kosovën, ka ulë kredibilitetin e vendit në raport me aleatët për shkak se si kulturë të qeverisjes se saj ka instaluar krimin dhe korrupsionin. Kjo ka bërë që institucionet tona të jenë të dobëta gjë që shteti të konsolidohet me vështirësi”, shtoi ai.

Ndërsa, ai ka theksuar se konfliktin e krijuar nga qeveria aktuale me ndërkombëtarët, shteti serb i ka dëshiruar që nga paslufta.

“Ky stil i të qeverisurit ka krijuar konflikt me ndërkombëtarët të cilin Serbia e ka dashur që nga paslufta. Dhe kjo është gjëja që i shkon përshtati Serbisë dhe i krijon gjasa për një agresion eventual”, ka thënë në fund, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.

Drizan Shala: Serbia e orientuar që të imponohet si faktor ushtarak dhe politik në Ballkan

Image
Drizan Shala

Drizan Shala, ekspert i sigurisë dhe njëherit edhe shef për planifikime në “East Bridge Academy Danimarkë”, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar paradën e mbajtur në Nish.

Eksperti Shala fillimisht ka folur për kapacitetet ushtarake që ka në dispozicion ushtria serbe.

“Le të ndalim pak në aspektin real të kapaciteteve ushtarake që posedon ushtria e Serbisë . Sipas ëeb faqes së ministrisë së tyre Serbia ka 90.000 mijë personel ushtarakë, prej tyre aktiv 40.000 dhe rezervë 50.000. 12 avionë luftarakë (dhuruar 3 nga Rusia). 225 tanke pjesërisht moderne, 450 APC, artileri, VHF radar. 40 helikopterë nga Rusia dhe 4 nga Britania e Madhe, UAV nga Kina dhe Rusia nga 2020-2022, ndërsa buxheti i Mbrojtjes 830.000.00 milion USD”, ka thënë Shala, për gazetën “Bota sot”.

Shala ka potencuar se Serbia është e orientuar që të imponohet si faktor ushtarak dhe politik në Ballkan.

“Serbia është gati të modernizojë kapacitetin e saj ushtarak për rreth 230 milion euro se pari kjo është shumë qartë, pra 6 MiG 29-30 tanke luftarake nga Rusia dhe investime në UAV nga Rusia / Kina. Dhe nëse merret përbazë edhe një fakt tjetër në këtë paradë ka marrë pjese Konstantin Kostacov – koordinatori i komitetit ndërkombëtar të këshillit të federatës ruse dhe ministrit të mbrojtjes të Greqisë kjo dëshmon që Serbia është e orientuar që të imponohet si faktor ushtarak dhe politik në Ballkan”, potencoi Shala.

Ai mes tjerash ka thënë se pas kësaj ngjarje në Serbi, diplomacia në Kosovë të udhës duhet ta kishte që të kërkonte mbledhje në Këshillin të Sigurimit, që sipas tij, të paraqes si demonstrim kërcënues ndaj shqiptarëve kudo në Ballkan.

“Dhe nëse ndalim edhe në deklarimin e para një kohe të presidentit serb që, “Kosovën e kemi humbur”, atëherë kjo është një deklaratë e cila shpresojmë që nuk do zgjedh rrugën ushtarake për të rimarr në formën ushtarake Kosovën. Mirëpo diplomacia jonë ish dashtë të kërkoi mbledhje në Këshillin të Sigurimit dhe të paraqes si demonstrim kërcënues ndaj shqiptarëve kudo në Ballkan si kërcenim ndaj Maqedonisë së Veriut që u nisë drejte NATO-s dhe kërcenim ndaj Malit të Zi për dënim të rusëve ndërsa Bosnjës dhe Republika Srbska trimërohen në planin e tyre për bashkim me Serbinë”, ka thënë ai.

Tutje, eksperti i sigurisë është shprehur se serbët nxitën trazira dhe mosnjohje të institucioneve në Kosovë në mënyrë që të krijohen kushtet për shkëmbim territoresh.

“Serbët e Kosovës nxitën për trazira dhe mosnjohje të institucioneve në Kosovë në mënyrë që të krijohen kushtet për shkëmbim territoresh kinse me qëllim të shmangies së konflikti. Çka nëse do të ketë në probabilitet një intervenim ushtarakë nga ana e Serbisë në Kosovë si do kishte me u duke ky lloj intervenimi nëse nuk do kishte me intervenu NATO dhe Rusia?”.

“Trazirat në zonat e dominuar nga serbët në Kosovë, lajme të rreme, për të lënduar politikanë serbë, forcat speciale serbe do të veprojnë brenda Kosovës në pikat vitale dhe kryesore të Kosovës (termocentral/ sistem të ujit). Vija kufitare nga Veriu deri Jug dhe nga Lindja në Perëndim do të monitorohet dhe do të bombardohet rëndë nga ana e kompetentes ajrore dhe ateleris. Tanke dhe automjete të blinduara do të përdoren dhe angazhohen për t’i eliminuar dhe neutralizuar të gjithë rezistencën në terren të hapur. Ushtria Serbe do të orientohet në drejtim të jugut drejt kufirit me Shqipëri për të ndërprerë çdo furnizim të mundshëm dhe mbështetje ushtarake. Pastaj, okupimi do të fillojë ti kontrollojë qytetet si të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit deri në kufirin Maqedonisë se Veriut dhe Malit të Zi”, shtoi ai.

Krejt në fund, Shala ka theksuar se krerët institucional janë deklaruar për Vladimir Lazareviç, ndërsa, sipas tij, një gjë të tillë nuk e bënë edhe për paradën në Serbi.

“Krerët institucional janë deklaruar vetëm për Vladimir Lazareviç si i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte dhe as një deklarim mbi paradën e saj”, ka përfunduar eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për gazetën “Bota sot”.

Tërnava: Parada ushtarake, kërcënim për Kosovën

Image
Hajrullah Tërnava

Edhe eksperti tjetër, Hajrullah Tërnava, ka deklaruar se parada e ushtrisë serbe gjithsesi se duhet të konsiderohet si kërcënim për Kosovën.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se serbët si të tillë që i njohim, kështu i njeh edhe gjithë bota.

“Serbët si të tillë që i njohim, i njeh edhe bota. Mos të harrojmë se dy luftërat botërore që janë bërë si shkak ka qenë kjo Serbi. Kjo paradë ushtarake e serbe afër kufirit gjithsesi duhet të konsiderohet si kërcënim për Kosovën. Mos të harrojmë që kufijtë e Kosovës janë të mbrojtur nga KFOR-i dhe NATO-ja dhe se ky kërcënim duhet të ju shkaktojë serbëve dëme të pariparueshme për regjionin, sepse, haptas po shihet kush është kërcënuesi dhe se serbët me këtë po e tregojnë se ata gjithnjë janë faktori destabilizues i kësaj hapësire, dhe se ata prapë po vazhdojnë me politika të njëjta si gjithherë”, ka deklaruar Tërnava.

Eksperti me tutje ka paralajmëruar se Kosova duhet të jetë syçelë dhe e gatshëm për gjithçka karshi Serbisë.

“Është e kuptueshme se ne si Kosovë megjithatë me aq forca që i kemi duhemi të jemi syçelë dhe të gatshëm për gjithçka po edhe për ndonjë sulm të mundshëm nga ana e Serbisë, po që është nevoja. Megjithatë, populli i Kosovës e dinë se garantues i kufijve të Kosovës është Amerika me aleatët e saj. Këtë gjë e dinë mirë edhe Serbia, prandaj, po na sulmuan ata, bëhet pyetja se a do të ekzistojë ma vet Serbia? Diplomacia kosovare tani duhet të jetë e zhdërvjellët dhe të bënë çmos që këto sjellje dhe kërcime të Serbisë t’i publikojë mes kanaleve diplomatike dhe të jetë vigjilente në hapë me kohën me miqtë, që me aq informata që i kanë t’i furnizojnë KFOR-in dhe tjerët, si në vend ashtu edhe jashtë, që kjo situatë e krijuar nga Serbia mos të jetë e panjohur për miqtë dhe forcat ndërkombëtare që e kanë për detyre ruajtjen e qetësisë në Kosovë dhe rajon”, potencoi ai.

Në fund, Tërnava ka kritikuar qasjen e krerëve të shtetit, për të cilët ka thënë se janë vetëm sa për dekorim dhe asgjë më shumë.

“Krerët e shtetit tonë si gjithherë janë vetëm për dekorim se sa për t’i përngjajë udhëheqjes së shtetit, se po të ishin më të zhdërvjellët ndryshe Kosova do t’i kishte punët tani, që po bëhen 20 vite nga çlirimi dhe ne po qëndrojmë edhe me tutje po aty ku kemi mbet pasluftës, mos të lavdërohemi me ato lavde sikur dinë të lavdërohen skena politike: jo e shpallem pavarësinë, e krijuam ushtrinë, na njohën 116 shtete...etj, e në realitet askush nuk merret me atë pse po zbrazet Kosova, pse gjithë kjo papunësi, pse gjithë ky krim i organizuar e shumë çka tjetër të keqe që nuk ia vlen për t’i përmendur”, tha në fund Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat