Tymnaja Patriotike e Thaçit pas dështimit në Berlin

Politika

Tymnaja Patriotike e Thaçit pas dështimit në Berlin

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 13 maj 2019 Në ora: 14:58
Hashim Thaçi

“Luftë mund të ketë, por cenim të territorit të Kosovës jo”,  kështu ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi . Po ashtu, ai ka shtuar se ideja e tij është për korrigjimin e kufijve të Kosovës, duke marrë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Këtë deklaratë Thaçi e ka bërë  për mediat shqiptare,  përderisa merrte pjesë  në samitin e procesit të Brdo-Brijun në Tiranë.

“Askush zyrtarisht nuk e ka hapur diçka të tillë por nuk do të lejoj që të jem në tavolinën ku të diskutohet për ndarje të territorit të Kosovës. Unë jam Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Luftë mund të ketë, por cenim të territorit të Kosovës jo. Ndarje jo, as sovranitet të dyfishtë jo dhe as ndonjë pretendim për krijim të Republikës Spërska“, ka deklaruar Presidenti Thaçi për Klan tv.

Krasniqi: Presidenti Thaçi është ngatërruesi me i madh në skenën politike

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me këtë, ka folur analisti politik, Faik Krasniqi, i cili në një bashkëbisedim për “Bota sot”, e ka quajtur presidentin Thaçi Gënjeshtar, mashtrues ordiner  si dhe ngatërruesin më të madh në skenën politike.

“Presidenti Thaçi është ngatërruesi me i madh në skenën politike. Gënjeshtar, mashtrues ordiner. Here flet për shkëmbim territori, herë për korrigjim të kufijve, dhe herë na tregon se si Kosova Lindore do t'i bashkohet Kosovës. Njeri me qindra fytyra. Cilit  Hashim t'i besojmë”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Sa i përket deklaratës së Thaçit se “luftë mund të ketë, por cenim të territorit të Kosovës jo”, Krasniqi ka thënë se deklarata e tij nuk nënkupton thjesht asgjë.

“Deklarata e tij nuk nënkupton thjesht asgjë. Një njeri i tillë si ai dhe mbi 90 përqind e politikaneve janë "rastësisht" në politikë. Ose më mirë të themi për shkak të rrethanave dhe vetëdijes së ulet të popullatës”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Shahu: Thaçit i ka ikë ora politike

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, analisti politik, Rexhep Shahu, ka thënë për “Bota sot” se Thaçi i ndryshon deklarata rreth pjesëmarrjes së tij në luftë dhe se ai flet sikurse nuk ka jetuar në Kosovë.

“Thaçi gjatë ditëve të fundit u shfaq si pronar i luftës, sikur e ka luftën në xhep dhe e nxjerr topin jashtë u shfaq si pronar i paqes, stabilitetit dhe si sjellës i paqes. Thaçi kur ia do puna gënjen e gjoja kam luftuar me armë në dorë për lirinë në Kosovë, kur e kap frika thotë nuk kam luftuar, nuk kam qenë luftëtar në Kosovë, por kam qenë udhëheqës polik i UÇK. Thaçi qysh se është bërë president nuk gënjen pa folur pasi e sheh edhe vetë se duke qenë president është si pensionist si kryetar i pensionistëve të Kosovës e as dua kryetar i veteraneve jo. Thaçi nuk di çfarë thotë as çfarë bën. Kalon në kufi në Vermicë dhe thotë të hiqet kufiri, pse ka radhë, pse ka kufi. Thaçi flet si Ufo, sikur nuk ka jetuar vetë në Kosovë që 20 vjet gjithmonë në pushtet”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Shahu ka komentuar edhe deklaratën e Thaçit se mund të ketë luftë por, jo cenim të territorit, ai ka thënë se kjo është tymnaja e tij patriotike pas dështimit të planit të tij në Berlin.

 “Deklarata e tij se luftë mund të ketë, por cenim territori jo, është shashka e tij patriotike pas dështimit të planit të tij në Berlin. Aktualisht Thaçi është personi i gabuar në punën e gabuar në momentin e gabuar. Po të ishte në dorë të Thaçit do ti mjaftonte të ishte shef i Kosovës pa i interesuar statusi i saj, vetëm të ishte shef i Kosovës pavarësisht se a e caktonte Beogradi apo OKB. Thaçit i ka ikë ora politike, ai han përshesh por politikisht i takon të shkuarës”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

Haziri: Gjithnjë e më shumë i braktisur

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nga goditje kjo që iu dha në Samitin e Berlinit, po e përjeton shumë rëndë dhe ka filluar të paraqitet gjithnjë i frustruar me deklaratë të partikuluara.

“Sikur presidenti Thaçi rënien e idesë dhe humbjen e përkrahjes për idenë e tij të përbashkët me presidenti serb Vuçiqi, për ndarjen e Kosovës, goditje kjo që u dha përfundimisht në Samitin e Berlinit, po e përjeton shumë rënd dhe ka filluar të paraqitet gjithnjë i frustruar me deklaratë të pa artikuluara”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Haziri ka thënë se ai po mundohet që të manipuloj opinion e brendshëm me deklarata për kohën e luftës si dhe për korrigjimin ekufirit.

“Andaj duke e parë se ka humbur fuqinë e tij politike ai tashmë po mundohet ta manipulojë opinion e brendshëm duke u paraqitur si “hero” në adresimet e veta për publikun kur herë fletë për heqje kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, herë për luftë në mbrojtje të territorit të pacenueshëm të Kosovës dhe vije të refreni i tij tashmë i bërë bajat “pro korrigjimit të kufijve”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Haziri për “Bota sot”, ka shtuar se presidenti po mundohet që  të tërheqë vëmendjen e opinionit me deklarata të tilla.

“Të gjitha këto i bënë për ta tërhequr vëmendjen e opinionit nga vetja si një njëri që është kryesori për vendimmarrje politike, por që në fakt edhe ai është i vetëdijshëm se tani më nuk e ka këtë forcë, është gjithnjë e më shumë i braktisur, dhe çdo ditë e më shumë ai po e portretizon vetën me deklarata të tilla, konfuze e mashtruese si Palaço që kërkon ta marrë vëmendjen e publikut”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat