Thaçi s’ka guxim ta padisë Dick Marty-n - Bota Sot
Thaçi s’ka guxim ta padisë Dick Marty-n

Politika

Thaçi s’ka guxim ta padisë Dick Marty-n

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 14 maj 2019 Në ora: 07:28
Dick Marty dhe Hashim Thaçi

Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka thënë se nuk dihet e gjithë e vërteta për krimet në Kosovë dhe se shumë fajtorë nuk janë përgjigjur për atë që kanë bërë.

“Vetëm e vërteta për konfliktin në Kosovë mund të çojë deri te pajtimi. Unë vetëm pak e kam shpalosur. Mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim”, ka thënë Marty, për gazetën serbe “Vecernje Novosti”.

Dick Marty, që është një ish prokuror i shtetit në kantonin e Ticino të Zvicrës, ka thënë se libri i tij i ri “Një ide e caktuar e drejtësisë” flet për diçka të tillë.

Sipas tij, libri përmban elemente të cilat ai i ka zbuluar gjatë hetimeve të bëra, “në të cilat shumë krime dhe kriminelë kanë mbetur të pa dënuar, siç është rasti me liderët shqiptarë në Kosovë”.

Ai thotë se ende nuk ka rezultate dhe se epilogu i tërë asaj që ka të bëjë me krimet në Kosovë është i paqartë.

“Edhe në konfliktin e Sirisë për të gjitha po përpiqen ta akuzojnë pushtetin. Gjërat nuk janë qa të thjeshta”, tha ai.

Mbi bazën e raportit të Martyt është themeluar edhe Gjykata Speciale në Hagë, e cila tashmë veçse ka nisur t’i ftojë për intervistim ish-krerët e UÇK-së.

Ndërsa, kjo deklaratë e tij vjen në kohën kur kryeparlamentari i Kosovës ka nisur iniciativën për themelimin e një Gjykate apo Tribunali për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë.

Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim në zyrën e presidentit Thaçi, për t’u informuar se a do të ketë padi ndaj DickMartit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Millaku: Thaçi nën dirigjimin e politikës serbo-ruse

Image
Drita Millaku

Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, thotë për gazetën “Bota sot” se, presidenti Thaçi po tregon se është nën dirigjimin e politikës serbo-ruse, ku sipas saj, ata e detyrojnë atë të bëhet i dëgjueshëm.

“Presidenti Thaçi ka dështuar në shumë çështje, e kjo si duket është çështja kyçe nëpërmes tëcilëskëtë e detyrojnë të behet i dëgjueshëm dhe i disiplinuar në funksion të politikës Serbo-Ruse, pra kemi një president të kapur . Nëse shikohet karriera politike e Thaçit atëherë shihet se ky njeri ka arritur deri këtu me mashtrime”, potencon Millaku.

Ajo nuk beson në padinë e presidentit Thaçi ndaj Dick Martit, por mendon se Rusia dhe Serbia do ta rrisin presionin e tyre për koncesione të mëtejme në kurriz të Kosovës, duke përdorur presidentin Thaçi.

“Nuk pritet që Presidenti Thaçi të bëjë padi ndaj Dick Martit, por pritet që qarqet Serbo-Ruse të rrisin presionin ndaj Presidentit tonë për koncesione të mëtejme në kurriz të Kosovës”, është shprehur deputetja e Vetëvendosjes.

Miftari: Raporti i Marty-t gënjeshtër, por në Kosovë u kryen edhe krime tjera

Image
Naim Miftari

Ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë për gazetën “Bota sot” se, raporti i Dick Martit është një gënjeshtër me direktiva nga prokuroria serbe dhe Rusia, por ka dyshime në një raport tjetër.

“Raporti i Dick Martit sa i përket tregtisë me organe gjatë luftës nga ana kinse e UÇK,është gënjeshtër e madhe. Këtë gënjeshtër,Dick Martit ia kishte imponuar prokuroria Serbe e shtyrë nga akademia e shkencave serbe dhe sidomos ishte ndikimi rus të Dick Marti dhe afera MEDIKUS, që propaganda dhe parat serbet e shfrytëzuan  më së miri kjo e afirmoi këtë raport të rrejshëm, por raporti i Dick Martit sa i përket krimit të organizuar, vrasjeve politike të pas luftës ku akteri dhe përgjegjësi kryesor sipas tij është Hashim Thaçi,Kadri Veseli,Azem Syla, Grabovci, atëherë ky raport del shumë i saktë, ndoshta mbi 90% është i saktë pasi gjitha raportet tjera si të NATO-s, KFOR-it, inteligjencave,EULEX, BND, DASH, etj, tregojnë qartë se Kosova ka krim të organizuar politik, ku vet pushteti, gjykatat e gjitha organet janë të kontrolluara dhe të korruptuara nga politikanët e fuqishëm që janë njëjtën kohë shumë të pasur dhe kriminelë që pos që e kontrollojnë shtetin, janë edhe kontrolluesit e krimit të organizuar. Dick Marti s`e ka vështir me gjet fakte tjera të krimit të organizuar”, thotë Miftari.

Ai mendon se padia për Martyt nuk po bëhet nga Thaçi për arsye se nuk ka guxim ky i fundit. Miftari shprehet se presidenti Thaçi do të “luaj lojën” ashtu siç i konvenon.

“Sa i përket pse Hashim Thaçi nuk e paditi për shpifje, nuk është befasi, pasi Thaçi e din mirë se Dick Marty nuk është i opozitës, ose qytetar i Kosovës që të luhet me të pingpong, por Marti është ish-senator evropian dhe ish prokurorë shumë i zoti dhe i respektuar Zviceran. Sa i përket pse nuk e ka mbajt  premtimin Thaçi që me akuzu për shpifje, Thaçi nuk e ka mbajt kurrë asnjë premtim që e ka dhënë gjer sot, si zhvillimi, vizat, inkuadrimi në OKB,INTERPOL,UNESKO, NATO, asnjë premtim të dhënë gjerë sot nuk e ka mbajt Hashim Thaçi, të cilin unë e njoh si një gënjeshtar dhe inatgji të pa shoq por inatet imban vetëm në ata shqiptarë që ja kritikojnë veprimtarin dhe të arriturat kinse të tij.

“Kur është me marr lëvdata për luftën e shenjtë të UÇK-së, ai thotë unë kam qenë njëshi i UÇK-së, lideri kryesor, por kur është puna me dhanë përgjegjësi për krimet dhe gabimet e mundshme të luftës, Thaçi e ndërron traken thotë se kurrë nuk kishte qenë në front, por arrestimi dhe vrasja e kundërshtarëve politik gjatë dhe pas luftës nuk janë bërë pa dijen dhe miratimin e Hashim Thaçit, gjerë aty shkon gënjeshtrat dhe formimi i miteve të rrejshëm sa që shoku i tij shpirtëror dhe materialisti Sami Lushtaku, thoshte në një miting të PDK se Hashimi kishte marr pjesë në një aksion kur ishin vrarë policë serbë në pritë para luftës afër Drenasit, çka nuk ishte e vërtet. Luftën e bënë luftëtarët trimat tanë por fatkeqësisht luftën e trashëguan hienat dhe profiterët e luftës pikërisht ata që e përçan popullin përçan dhe e dëmtuan vet UÇK-në e vodhën dhe e përvetësuan luftën pas luftës”, thekson ai.

Krasniqi: Një padi e tillë nuk do të ndodh kurrë

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi, e quan naiv atë që beson se Thaçi do ta padis Dick Martin. Ai ka kritika edhe për faktin që Specialja u formua pikërisht nga Thaçi, kësisoj, duke e bërë të dyshosh që e Kosova e ka sulmuar Serbinë, e kjo e kundërta.

“Kush ka besuar që Hashim Thaçi do të ushtrojë padi ndaj Dick Martit për shpifje, ose është tepër naiv ose i beson verbërisht atij. Një padi e tillë nuk do të ndodh kurrë. Faji i Hashim Thaçit na u krijua Gjykata Speciale, dhe çfarë është më e keqja edhe pse ai na e themeloi këtë Gjykatë, nuk do të preket. Themelimi i kësaj Gjykate do na lë shumë mbrapa si shtet. Me këto deklarata të Dick Martit se do paraqes dëshmi të reja për gjoja krimet që kanë ndodhur në Kosovë, të bëjnë te dyshosh që Kosova e ka sulmuar Serbinë, dhe jo e kundërta”, thotë ai.

Ai madje e quan edhe gënjeshtar presidentin Thaçi.

“Presidenti Thaçi është politikani më konfuz në rruzullin tokësor. Gënjeshtar dhe mashtrues. Ka dy dekada që gënjen edhe për gjëra të parëndësishme, e lëre me për çështje serioze. Por, fati i tij ka rastisur të jetë politikan dhe President në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...