Majlinda Shala, bija e invalidit të luftës, të cilës shteti po ia lë ëndrrat në gjysmë

Politika

Majlinda Shala, bija e invalidit të luftës, të cilës shteti po ia lë ëndrrat në gjysmë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 maj 2019 Në ora: 11:06
Majlinda Shala

Aplikoi 6 herë për tu pranuar si studente e Fakultetit Juridik në Universitetin Hasan Prishtina, aplikoi edhe në Policinë e Kosovës dhe së fundi në Ministrinë ë Forcës së Sigurisë. Por, të gjitha këto përpjekje të 23 vjeçares Majlinda Shala, nuk rezultuan të suksesshme. Ajo nuk u bë pjesë e asnjërës nga këto institucione. Të gjitha këto kanë shtyrë Majlindën dhe familjarët e saj të pretendojnë se institucionet e lartpërmendura ia bënë të padrejtë.

E veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilën babai i saj kishte luftuar gjatë luftës, e madje edhe ishte plagosur, Majlinda Shala ia kishte mësyrë zyrave të redaksisë së gazetës “Bota sot”, duke e konsideruar si derën e fundit për ta shpalosur shqetësimin që e ka përcjellë tash e gjashtë vite.

E reja 23 vjeçare nga fshati Mleqan, i Komunës së Malishevës, pretendon se në vazhdimësi i është bërë padrejtësi nga institucionet shtetërore. Konkurrimet e saj në Fakultetin Juridik, në Policinë e Kosovës dhe së fundi në FSK, i sollën dëshpërim. Ajo nuk u pranua, ndërsa asnjëherë nuk iu dha mundësia që ta mësonte arsyen se përse nuk u pranua.

6 herë aplikoi në Fakultetin Juridik

Duke shpalosur realitetin e hidhur ajo tregon se sa padrejtësi ishin bërë ndaj saj dhe familjes së saj 9 anëtarësh, e cila mbijeton vetëm me një rrogë të babait të saj.

“Unë jam vajza e një invalidit të luftës. E kam të mbaruar shkollën e mesme në drejtimin e Administratës të Shërbimeve të Zyrës, dhe studioj në Kolegjin ISPE drejtimin e sigurisë. Kam aplikuar 6 herë në Fakultetin Juridik, dhe nuk jam pranuar asnjëherë edhe pse i kam përmbushur të gjitha kriteret. Po ashtu, kam aplikuar edhe në drejtimin që e kam dashur me zemër në drejtimin e Policisë, por as aty nuk jam pranuar. Po ashtu, kam aplikuar edhe në konkursin e fundit të FSK-së, mu aty që e ka dëshiruar prindi im dhe unë, por as aty nuk jam pranuar. Babai im Muharrem Shala, i cili ka shërbyer në Brigadën Mujë Krasniqi e Beqir Gashi, ka kontribuar në Kosovë. Ai ka qenë i plagosur në luftë, dhe ka pasur dëshirën që edhe unë të vazhdojë hapave të uniformës,  por vajza e tij nuk po mundet ta realizoj as dëshirën e vet, dhe të familjes së vet, në mënyrë që të jem pjesë e FSK-së. Të them të drejtën ne ende nuk i dimë arsyet, se a është shkaku te politika, apo tek paraja, ata i dinë këto gjëra më mirë, për të cilën edhe duhet dhënë llogari”, ka thënë Majlinda.

Ankesa tek Ministri i FSK-së

Ajo ka treguar se si është drejtuar edhe Ministrit të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berishës si dhe Gjeneralit të FSK-së, Rrahman Rama, por asnjëherë nuk ka marr përgjigje nga asnjëri.

 “Ata nuk më janë përgjigjur fare, madje unë kam pritur që Gjenerali të ma jep një përgjigje, e kam pritur  shumë orë por nuk ka dalë nga zyra, dhe unë përsëri kam shkuar në datën të cilin ai e ka caktuar, por ai i ka qitur vartësit e tij, tjerët të mos më pranojnë edhe pse vetë më ka caktuar takimin. Edhe gjenerali i FSK-së më ka premtuar në telefon që do të takohet. Unë e di që i kam përmbushur testin fizik dhe kam qenë e para, madje më kanë premtuar që puna e FSK-së do të përfundojë me “po” por edhe pse unë kam aplikuar 8 herë në të gjitha fushat. Një gjë e di dhe jam e sigurt, se unë si vajzë në testin fizik kam qenë e para. Ne ende nuk e dimë sa janë pranuar në FSK-ë sepse ende vazhdon testi mjekësor, por e dimë që ka listë politike. Por unë dyshoj se mua më kanë lanë personalisht jashtë kësaj, Komuna e Malishevës Nisma. Unë nuk e di pse Nisma me kanë lanë jashtë, kur e di që i kam përmbushur kriteret. Por, a ka qenë në pyetje paraja apo çfarë nuk di, por një gjë e di,se edhe mua dhe babit na kanë prezantuar se puna e FSK-së ka me qenë e kryer dhe do të përfundojë me “ po” por fakti që na kemi aplikuar 8 herë në Republikë të Kosovës në shtetin tonë për të cilin jemi krenar, nuk i dimë arsyet se përse kemi mbet jashtë”, ka thënë Majlinda.

Ajo ka thënë se si pjesë e invalidëve të luftës i është bërë një padrejtësi asaj, për faktin se  nuk iu është bërë vetëm në polici e FSK-së por edhe në Fakultet, ku gjithsej kishte provuar 8 herë në të gjitha drejtimet.

“Duke e parë që janë hyrë minoritetet pa i dhënë testet fare në Polici të Kosovë, unë e di shumë qartë që minoritet janë hyrë më urdhër të  Kryeministrit të Kosovës, kurse unë me shumë pikë kam mbetur jashtë edhe pse kom dëshiruar dhe kam punuar shumë në këtë drejtim, për të hyrë në këtë drejtim, sepse e kam dashtë këtë lëmi, madje e kom vizituar shumë edhe atë shkollë të Policisë, por nuk e kam marrë asnjëherë atë të drejtë që të bëhem pjesë e saj ani pse e kam dashur me shpirt”, ka treguar Majlinda e dëshpëruar.

Komunitetet e “diskriminuara” pozitivisht

Ajo ka bërë të ditur se kishte bërë edhe ankesë ndaj kësaj padrejtësie, por nuk kishte marrë përgjigje, ani pse ankesën e kishte dorëzuar në zyrën e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Unë kam bërë ankesë rreth kësaj por nuk kemi përgjigje, iu kam drejtuar kryeministrit të Kosovës Ministrit të Punëve të Brendshme, po prej tyre nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kemi dashtë si familje të shkojmë në mënyrë transparente duke iu drejtuar me ankesa, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Tani për neve ka mbetur vetëm rruga ligjore e Gjykatës sepse ne nuk po shohim në shtetin tonë drejtësi, dhe nuk kemi asgjë kundër askujt por duke e parë që komunitete po kanë përparësi para neve dhe më shumë se fëmijët e invalidëve të luftës dhe fëmijët e dëshmoreve. Unë kisha pas dëshirë me qenë o të barabartë, ose ata të kalojnë testet dhe të bëhen më të aftë se ne, e jo si në Polici të Kosovës, që janë hy me 20 pikë e 30 pikë, ku qohet  në këmbë një person i komunitet turk, dhe thotë “ fëmijët e mi pranoni patjetër”. Por duhet ditur një gjë se edhe në jemi Shoqatë e Invalidëve që duhet dikush të merret me neve’, ka thënë Majlinda.

Ajo çuditet me mos ndihmën dhe përkrahjen e Shoqatës së Luftës, duke bërë pyetjen se nuk di se ku ma mbetur Shoqata e Invalidëve të Luftës.

“Kjo Shoqatë na kanë premtuar që edhe në Fakultet do të pranohemi e unë jam refuzuar 8 herë dhe nuk janë marrë me neve kurrë. Madje vitin e fundit që unë kam aplikuar në fakultetin juridik, Shoqata e Invalidëve nuk na ka lëshuar fare vërtetime, na ka dërguar vetëm deri tek Ministria e Arsimit , dhe Ministria e Arsimit na ka thënë ne nuk merremi me këtë punë po merret Shoqata, ka thënë është problemi në Qeveri dhe ne kemi mbet askund dhe faji ka mbet jetim. Ne jemi të zhgënjyer komplet si fëmijë të invalidëve, sepse duke e parë parasysh që ne jetojmë me një rrogë, të prindit gjithë familja dhe nuk e kemi askënd të punësuar. Unë detyrona të paguaj edhe në Fakultet Privat, ndërsa shtetit i ka takuar një përqindje që të na ofroj neve hapësirë që më studiu në Fakultetet shtetërorë. Nuk po them me na dhanë komplet të drejtat por ne e kemi merituar përparësi, e jo veç komunitetet dhe atë që kanë para dhe forcë politike. Unë thashë që nuk jam asgjë kundër atyre, po o duhet të jemi të barabartë o edhe ne të pranohemi aty, por ne pe shohim që neve nuk po na japin të drejtë dhe përparësi. Ne vazhdojmë të  jetojmë me një rrogë  të babait tim, i cili non- stop ka folur nëpër emisione të FSK-së, kurse unë kam folur nëpër emisione të Policisë sepse e kam dashur me shpirt. Unë kam kërkuar çdo kund shpresë po askund s’kam parë asnjë një dritë të vetme. Po ashtu kam udhëtuar nga fshati Mleqan në Malishevë, kam paguar mujore 50 euro në muajt  plus shpenzimet tjera dhe mezi ia kam përballuar veç sa për tu shkolluar. Tash unë udhëtojë nga fshati për në Prishtinë për studime, sepse nuk kam mundësi të paguaj banesë me qira, me përjashtim kur ndonjëherë shkoj të axha në Prishtinë, kur nuk mundem të udhëtojë në orët e mbrëmjes varësisht prej ligjëratave”, ka thënë Majlindja duke shpresuar që ëndrra e vet e kamotshme për ti veshur uniformat të realizohet një ditë qoftë në polici apo qoftë në FSK.

Ndryshe, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, lidhur me këtë rast mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat