Ish gazetari i luftës: Komandantët në Kosovë zhvatën pasurinë dhe rrëmbyen pushtetin si mallkim

Politika

Ish gazetari i luftës: Komandantët në Kosovë zhvatën pasurinë dhe rrëmbyen pushtetin si mallkim

Nga: G.B Më: 14 maj 2019 Në ora: 23:09
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Ambasada Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin për veprimin e qeverisë së Kosovës, për emërimin e individëve të pakualifikuar dhe me aktakuza për krime të rënda, përcjell Bota sot.

“Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurt se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare. Nominimi i këtyre individëve të pakualifikuar minon besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privon vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve. Po ashtu, kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ambasadës.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është lajm special nëse ndodh përkrahja e qartë amerikane, pasi bota shqiptare ka vuajtur nga emërimet e kriminelëve në pushtet.

Image
Rexhep Shahu

“Është lajm special nëse ndodh kjo përkrahje e qartë amerikane. Fatkeqësisht bota shqiptare ka vuajtur dhe po vuan rëndë nga emërimet e kriminelëve në pushtet, ne poste, nga emërimet e hajnave, kopukëve, dallkaukëve, oligarkëve, haracistëve. Bota shqiptare ka vuajtur atë që vuajti Shqipëria pas luftës së dyte botërore kur analfabetët morën pushtetin dhe i bënë gjëmën Shqipërisë”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, komandantët në Kosovë zhvatën pasurinë e saj dhe rrëmbyen pushtetin dhe kur të shpëtojë Kosova nga njerëz me akuza për krime, atëherë do të ketë qetësi.

“Edhe Kosovës i ndodhi kjo kur komandantët përveç zhvatjes së pasurive të Kosovës rrëmbyen gjithë pushtetet në Kosovë dhe kjo erdhi si mallkim. Kur të shpëtojë Kosova nga pushtetarët, njerëzit me akuza për krime, atëherë do të ketë qetësi”, ka vlerësuar Shahu.

Ndërsa, sa i përket asaj se sa do të mund të merren parasysh këto kritika nga qeveria, ai thotë se nuk dihet, pasi kapot në pushtet i bëjnë karshillëk edhe Amerikës.

“Por sa do merren parasysh këto vërejtje amerikane, nuk e di, sepse kapot e veshur me pushtet i bëjnë karshillëk edhe Amerikës”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat