“Akuzat e Vuçiqit, lajm i frikshëm për Thaçin”

Politika

“Akuzat e Vuçiqit, lajm i frikshëm për Thaçin”

Nga: N.H Më: 15 maj 2019 Në ora: 12:59
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nga Tirana tronditi të gjithë më një deklaratë. Ai hapur u shpreh se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi varet prej tyre.

I pari i shtetit serb nga kryeqendra shqiptare potencoi se kreu shtetit të Kosovës vepron sipas direktivave nga Beogradi, shkruan gazeta “Bota sot”.

“Ti Hashim vepron ashtu siç të themi ne dhe ajo që ndodh në Kosovë varet prej nesh”, citohet të letë thënë Vuçiq. Vuçiq e përsëriti se ai kurrë nuk foli për zgjidhje, por për arritjen e një marrëveshjeje. Vuçiç tha se Thaçi, “mos të guxojë të përmendë Republikën Srpska”.

“Imagjinoni sikur unë të thosha në Tiranë atë që deklaron Rama kudo shkon, apo deklaron Kolinda Kitaroviçi. Deklaratat nacionaliste nuk i shërbejnë paqes në Ballkan”, ka thënë Vuçiq ndër të tjera.

Opozita deklaratën e kreut të Serbisë e quan si një lajm i frikshëm, për të cilin konsiderojnë se duhet të përgjigjet vet presidenti Hashim Thaçi.

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend, mendojnë se presidenti aktual që moti është në shërbim të Serbisë me planet e tij për ndarjen e Kosovës.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim në drejtim të Presidencës, për të marrë informata shtesë lidhur me këtë deklaratë nga ana e Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Rugova: Një individ nuk mund ta rrezikojë vullnetin e popullit

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Vuqiçit është një lajm i frikshëm, për të cilin duhet të përgjigjet vet presidenti Thaçi.

“Nëse presidenti i vendit tonë varet nga Serbia, atëherë ky është lajm i frikshëm, të cilit duhet ti japë përgjigje vet presidenti”, ka thënë deputeti i LDK-së, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, deputeti i partisë më të madhe në vend, ka theksuar se kreu i shtetit e ka rrezikuar vendin me idetë për korrigjim të kufijve, të cilat, sipas tij, i shkojnë në favor vetëm Serbisë dhe aleateve të saj. “Presidenti e ka rrezikuar vendin me ide kundër-kushtetuese dhe që i shkojnë në favor vetëm Serbisë dhe aleateve të saj. Por, e kam bindjen e thelle se një individ nuk mund ta rrezikojë vullnetin e popullit të një shteti”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat