Bandat e LPK-së dhe ato vendore, logjistikë e Millosheviçit - Bota Sot
Bandat e LPK-së dhe ato vendore, logjistikë e Millosheviçit

Politika

Bandat e LPK-së dhe ato vendore, logjistikë e Millosheviçit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 17 maj 2019 Në ora: 07:23
Foto ilustruese

Shtabistët e LPK-së, të instruktuar nga sigurimsat e Enver Hoxhës, krijuan bandat, para se të themelonin njësitë ushtarake. Ndërkohë, bandat vendore ishin të gatshme, të krijuara përgjatë përkalljes së Shqipërisë, më 1997, nga partia social-komuniste (PS-ja). Bandat i bashkon krimi, kanë një gjuhë, një zanat dhe u shkrinë, natyrshëm, në njësh.

Bandat kontrollonin të gjithë logjistikën e luftës të Kosovës, që nga Porti i Durrësi, deri në Malësinë e Gjakovës dhe të Prizrenit. Bandat e veshura me uniformën e Policisë Ushtarake, por, edhe civilë, me lista në dorë, shigjetonin ata që paguanin 3 %-in, ua merrnin pasaportat, i maltretonin me kontrolle. Dhe, policia shqiptare bënin sehir, sepse "peshku qelbët në kokë". Presidenti Mejdani, në koordinim me Fatos Klosin, neutralizuan kryeministrin Pandeli Majko dhe konspironin me shefat e LPK-së.

Vëllai në LPK, maltreton vëllanë në LDK

Ishin dy vëllezër nga Podguri i Kosovës. Vëllai i madh ishte punëtor ekonomik i viteve 70-a, në Gjermani. Vëllai, më i vogël, i cili ishte shkolluar me markat e vëllait të madh, ishte ikanak i viteve 90-a, anëtar militant i LPK-së. Ky i kishte bërë presion të parit, të japë marka për Fondin "Vendlindja thërret" dhe jo për 3 %-in. Vllai i madh ishe gjegjur se "unë prej 8 (tetë) vitesh paguaj në Fondin e 3 %-it dhe nuk e ndryshoi". Vëllai i vogël "ia bani be-në" vëllait të madh, se "do të pendohet!"

Viti 1999. Vëllai i madh vjen me Tragetin (anijen) në Durrës. Vëllai i vogël ishte në dijeni për nisjen e tij. Policia e Kosovës, në Portin e Durrësit ishte njësh me "Shqiponjat e zeza". Emri i vëllait të madh figuronte në listën ndëshkuese, të vënë nga vëllai i vogël, që menaxhonte policinë. Pyetja e parë ishte: - Për cilin fond paguani? - Për Fondin zyrtar 3 %-in. Dhe, i është marrë pasaporta, me arsyetimin se "do ta shohim këtë çështje!"

Vëllai i madh, anëtar i LDK-së, udhëton, me mjete rasti, për në Shkodër, për ta takuar familjen e ikur nga Kosova. Provon të hyjë në Port, nuk arrin. Kërkon pasaportën, nuk merr përgjigje. Duhej të kthehej në punë, në Gjermani. Nuk kishte pasaportë. Rrezikohej ta humbiste punën. Mëson se është një pikë pritëse refugjatësh, ikanakësh nga Kosova, në Mamurras të Kurbinit. E takova, dëgjova rrëfimin e tij.

- Pasaportën ta ka marrë vëllai yt. Qenke me fat se ai ka udhëtuar dje për Gjermani. Shko në Durrës, plazh, ke Restorant "Drenica", tej Urës së Dajlanit dhe thuaj se jam vëllai i madh i "filanit". Policët ma morën pasaportën, pa përmendur dialogun me policinë, - e këshillova unë.

Hallexhiu shpërtheu në vajë. "Qysh me ma punue kështu vëllai i vogël, që e kam rritë e shkollue", - tha ai në dënesje.

Vaji i vëllait plak, ishte prekës dhe punëtorët, të cilët menaxhonin pritjen dhe akomodimin e ikanakëve, të indinjuar, shpërthyen në të shara, për vëllain e vogël, të infektuar nga ideologjia sllaviste e LPK-së, që nuk njeh vëllazëri por vetëm dogmë, parti. Ai ndoqi sugjerimin tim dhe arriti ta marrë pasaportën, duke e shfrytëzuar mungesën e vëllait të vogël, pjesë e bandës së LPK-së. Paksa e rëndë, por, një ndodhi faktike, e përjetuar.

Bandat e LPK-së dhe bandat shqiptare, kanë përgjakur FARK-istët

Shantazhimi i Bandave të LPK-së dhe të bandave vendore, i mbante në tension edhe luftëtarët e Koshares, konformë detyrës. Bandat, me porosi të shefave të tyre, vranë kontraktorin e pikës ushtrimore në Kolsh e Kalimash të Kukësit, Rushit Elezin; i gremisën në humnerë kontraktorin e lokacionit të ushtrimores Papaj-Padesh, Muharrem Tafa me Qazim Jakupin; vranë shefin e Emergjencës, Ilir Konushevcin dhe Dr. Hazir Malaj, kur po shoqëronin një kamion me armë, për në Koshare, por, që këtë transport e bënin pa lejen e shefave shtabistë stalinistë.

Po veçojmë vetëm tre, nga rastet e shumta të banditizmit të bandave:

1) Më 18 qershor 1998, shoqërova një karvan kamionësh, me mjete materiale dhe ushqimore, për ikanakët e luftës, të strehuar në Malësinë e Gjakovës dhe pikën ushtrimore ushtarake në Papaj-Padesh të Tropojës. Ndërkohë që ne po shkarkonim mallin në një depo të betonuar ushtarake, duke seleksionuar edhe ushqimet për ushtrinë, një bandit i uniformuar, zbrazi kallashin brenda magazinës së betontë ushtarake. Ai edhe mund të na vriste, por, qëllimi ishte tmerrimi ynë dhe ikja, pa e mbyllur magazinën. Megjithatë, ne, të shtrirë për tokë, qëndruam. Por, javë më vonë, me lëndë plasëse "Tritol", shpërthyen magazinën dhe rrëmbyen mallin, edhe pse magazina ishte në mes të qytetit!

Për makro-skandalin, bëra një raport dhe ia dorëzova Presidentit shqiptar, Rexhep Mejdanit. Si përgjigje, një javë më vonë, bandat gjuajtën me kallash një makinë-kombi me 9 (nëntë) ndihmës mjekë të Kosovës, duke e plagosur njërin syresh. Për rrjedhojë, personeli mjekësor dhe ikanakët, filluan largimin nga Tropoja, duke zbritur në Kurbin e gjetkë. Ata na krijuan një shqetësim të madh, sepse ne ishim ende të zënë me strehimin e ikanakëve nga Malisheva e Rahoveci, të cilët ishin në pritje të pashaportave të "komandantëve"! Dhe, pushtuesi i gjakosi pamëshirshëm ata, por, jo edhe "komandantët", që kishin ikur me kohë. ,

2) Diplomanti i Universitetit të Tiranës, më vonë ushtar i Kosharës, Hasan Rexhaj, së bashku me dy shoferë, transportonin tre kamionë me armatim, për në Koshare. Një bandë priste në një lakore të rrugës, për t`i rrëmbyer kamionët me armë: Por, Hasani, që ishte i pari në kolonë, mbante kallashin mbi timon, i gatshëm për mbrojtje, nuk i bindët bandës për ndalesë. Banda gjuan me armë. Kundërpërgjigjet, me të shtëna edhe Hasani. Rritë shpejtësinë dje ikën! Dy kamionët tjerë bien pre e bandës së bashkuar LPK-e e Kosovës dhe banda vendore

Të nesërmen, në Koshare, ushtari Hasan Rexhaj e sheh njërin nga banditët e pritës së djeshme, por, tani, në uniformën e oficerit!

-"Bandit, ti ishe dje me bandën në rrugë. Çfarë kërkon sot këtu", - i drejtohet Hasani?!

-"Oficeri" dukagjinas, i inatosur nga ky identifikim, i tërbuar, filloi organizimin e hakmarrjes vrastare ndaj Hasanit, i cili, mjerisht, nuk është më në jetë.

3) Ngarkuam një karvan kamionësh me armatim, në oborrin e korracuar, me mure të larta, të Fabrikës të Blojës "Etniku", në Mamurras të Kurbinit. Për siguri të rrugëtimit, në të shumtën e rasteve, kundrejt një pagese private, karvanin e kamionëve e shoqëronte policia shqiptare, nga nisma e kufirit e deri në mbarim të kufirit regjional gjeografik: policia e Kurbinit, Lezhës, Mirditës, Pukës dhe nga Qafë Mali e tutje në regjionin e Tropojës mungonte shoqërimi. Dhe, kjo bëhej qëllimshëm, për ta lehtësuar haraçin e, pse jo, edhe grabitjen e dhunshme të ngarkesës.

Në Fierzë, zakonisht, vilej haraçi zyrtar, pasi realizohej nga policia. Brutaliteti më i ashpër, është shënuar me arrestimin dhe mbajtjen në izolim, në birucë, qeli, vetmi, për tri ditë, të shoferëve me personelin shoqërues, i cili shërbente për ndërrim gomash apo defekte tjera, sepse rruga ishte ekstrem e dëmtuar, e keqe. Kushtëzimi i lirimit ishte pagesa e haraçit prej 25.000 marka gjermane, ose sekuestrimi i kamionëve me gjithë armatimin. Çuditërisht, të gjitha ankesat tona i kanë amortizuar binomi Mejdani-Klosi. Atëbotë, në kombëtaren "Bota sot", bëra shkrimin: "Pushtetarët banditë të Tiranës, sabotojnë luftën e Kosovës".

Bandat nuk janë populli, të mos ngatërrohen qëllimshëm

Në një Akademi Përkujtimore, për Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, po shpalosja kujtimet, nga bashkëpunimi im me Kolonelin. Përmenda bashkëpunimin e bandave të LPK-së, me ato vendore, me theks të veçantë, bandat e Tropojës, që kanë shkaktuar tej 100 vrasjeve vetëm në regjionin e Tropojës. Një burrë fort i shkolluar, por, edhe kontribuues, madje, familjarisht, për luftën e Kosovës, i prekur në sedër, pse rrëfeva "xhevahiret" e bandave të Malësisë, m`u drejtua:

-"Pse bre kritikove tropojanët, kur dihet se ata kanë ndihmuar e strehuar kosovarët gjatë luftës?!"

-Jo, zotëri, çdo respekt për popullin e Tropojës dhe të gjithë Shqipërisë, për gjithçka që kanë bërë për Kosovën, popullin e saj. Por, unë fola për bandat dhe banditët, të cilët i kanë krijuar ato. Sepse, bandat nuk kanë as atdhe, as komb, as parti. Ata janë, thjeshtë, kriminelë dhe si të tillë meritojnë ndëshkim dhe jo mbrojtje, - u përgjigja unë, me shpresë e besim, se zotëria intelektual, do të më kuptojë drejt dhe pa keqkuptime.

Prandaj, bandat e LPK-së dhe ato vendore shqiptare, gjatë luftës dhe pas saj, kanë qenë sabotuese të luftës, rrjedhimisht, logjistikë e Millosheviçit. Sepse, duke qenë mirë të organizuara dhe rrastë të financuara, ishin shumë aktive në sabotimin e luftës, argatë të Serbisë.

Është bërë modë, sa herë që kritikohen individë apo grupe kriminale në Shqipëri, mediokrit, me mendësi bande, përmendin mikpritjen shqiptare gjatë luftës! Është një përgjithësim, ngatërresë e qëllimshme e bandave me popullin.

Por, populli dhe bandat i ndanë një oqean i tërë. Mikpritja e shqiptarëve të Shqipërisë londineze, është proverbiale, qëndron shumë më lartë se sa në Kosovë. Sepse shqiptarët atje, janë më afër Kanunit. E them dhe e mbroj këtë opinion, sepse kam bërë jetë të dyzuar, madje, të barabartë në kohë, në këto dy pjesë të ndara të Atdheut, të Etnikumit shqiptar. Dhe, pretendoj, se i njoh mirë shqiptarët e mi, tashmë, me dy shtete sovrane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...