Tribunali i Kadri Veselit, i destinuar të dështojë - Bota Sot
Tribunali i Kadri Veselit, i destinuar të dështojë

Politika

Tribunali i Kadri Veselit, i destinuar të dështojë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 maj 2019 Në ora: 20:25
Kadri Veseli

Ideja për formimin e një Tribunali për krime lufte, është përpjekje e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli vetëm sa për të fituar poena politike, dhe në të njëjtën kohë sa për të zhvendosur vëmendjen nga kriza brenda koalicionit PAN.

Njohësit e çështjeve politike në vend kanë pohuar se sikur PDK-ja të mos kishte veprime abuzive me pushtetin, por të synonte krijimin e një shteti demokratik dhe ligjor, sigurisht se ideja e Tribunalit do të ishte shumë më e hershme dhe do të koordinohej me botën demokratike perëndimore.

Por, sipas tyre, kur kjo paraqitet me kaq vonese dhe nga njerëz të zhytur në korrupsion dhe krim, atëherë kjo devalvon si ide dhe nuk pranohet seriozisht.

Millaku: Veselit i ka ardhur ftesa për Speciale

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku ka thënë për “Bota sot” se ideja për krijimin e Tribunalit për krime lufte, është një përpjekje e dobët për marketing politik.

Sipas saj, këtë po e bën koalicioni i krimit jo vetëm për të zhvendosur vëmendjen nga kriza në koalicionin PAN, por edhe për të ngjallur huti në opinionin mbarë shqiptar, për proceset nëpër të cilat po kalon dialogu me Serbinë, ku në një anë kemi qeverinë tonë të përçare dhe në anën tjetër palën serbe e cila po mundohet të ringjallë idenë e ndarjes së Kosovës.

“Partia Demokratike e ashtuquajtur parti e luftës, me plot gojën patriotizëm e frikësuar skajshmërish për mundësinë e humbjes së pushtetit, për të mos ndodh kjo është vu tani më në funksion të interesave serbe për ndarje të Kosovës. Pra për PDK-në më e rëndësishme është mbajtja e pushtetit, se sa interesi i Kosovës, dhe kjo tashmë manifestohet në të gjitha planet. Por mbi të gjitha duke parë lëvizjet e fundit të Kadri Veselit, pra me krijimin e një Tribunali, besoj shumë se atij i ka ardhur ftesa për gjykatën speciale dhe po mundohet me propozime te tilla po mundohet te shpëtoj. Por unë mendoj se kot ,”shpurdhë”, sepse Kadriut ja ka “hëngër pula kapsollin”, ka thënë deputetja Millaku.

Kelmendi: PDK po e humbë elektoratin

Image
Jeton Kelmendi

Profesori i shkencave të politikes, Jeton Kelmendi ka thënë se iniciativa apo ideja për formimin e një Tribunali nga Kadri Veselit, për ti ndjekur serbët për krimet e luftës në Kosovës, sikur të bëhej menjëherë pas luftës do të ishte gjëja më globale, por kjo sikur nuk ndodhi gjatë periudhës së misionit ndërkombëtar, por ndodhi pas pavarësisë , pra pas vitit 2008 sërish do të kishte efekte shumë pozitive.

Sipas tij, në qoftë se nuk do të mund ta arrijë qëllimi i kësaj Gjykatë, të paktën Kosova do ta dinte saktësisht për dëmet e bëra, nga viktimat e deri tek dëmet materiale.

“Por kjo nuk ka ndodhur, sepse as Kadri Veseli e as Hashim Thaçi dhe asnjë nga liderët e deritanishëm nuk e kanë marrë këtë punë seriozisht për faktin se nuk i ka prekur shumë kjo tragjedi dhe dorën në zemër ketë nuk janë lider nacional. Mendoj se kjo përpjekje e tanishme e Kadri Veselit me kaq trumbetim të madh, nuk është asgjë tjetër veç një bytërijnë e tij, sa për të gjetur një pjesë të opinionit për a mashtruar, pra edhe një mashtrimi i radhës se ka një krizë. Sipas burimeve ndërkombëtare të sondazheve PDK ndodhet në vota të pakta mbi 16 për qind në sondazhe, që është e afërt me Aleancën e familjes Haradinaj, diku rreth tre të katërve”, ka nënvizuar ai.

Prandaj, sipas tij, në këtë panik nuk ka më aleatë dhe i duhet me zor ta mbajë familjen Haradinaj dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, dhe nuk di se si të provoj diçka.

“Por më saktë ky opinion me kaq trumbetim është sikur kur dëshiron ti thotë Serbisë “ruaja se po dua me të sulmua”, sikur ajo loja e shahut kur i tregon me figura, ruaju nga ky pozicion se do të sulmojë nga ky pozicion”. Pra as Kadri Veseli e as Hashim Thaçi e asnjëri nga liderët politik nuk kanë nevojë që të bëjnë bytërijnë nëpër media, se do ia bëjmë kështu, e do i themi kështu. Ajo është më shumë një deklaratë primitive se kemi kapacitet për ti arrestuar etj. Por pyetja lind se përse nuk i kanë arrestuar deri më sot, por flasin në hapësirë do ia bëjmë, e do ia themi. Pra këto deklarata janë më shumë deklarata primitive se gjoja kanë kapacitet për ti arrestuar. Por këtë lider janë duke i ndihmuar Serbisë që ata të krijojnë hallka që të na padisin neve”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka thënë se po të ishin aq patriotë e të sinqertë, Veseli, Thaçi e Haradinaj, të paktën kur është bërë Gjykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së aty do të futej edhe një pjesë, ku do të kushtëzohej Bashkësia Ndërkombëtare që në këtë Gjykatë që është në Hagë do të gjykoheshin edhe serbët e jo vetëm shqiptarët.

“Prandaj mendoj se kjo është një qyqarllak i Kadri Veselit për ti mbuluar dështimet e tij me mos zbërthimin e opinioneve asgjë më shumë. Thjesht Kosova ka nevojë ti regjistrojë të gjitha dëmet, edhe nëse nuk e paditë kurrë Serbinë sepse këto deklarata nuk bëhen duke bërtitur nëpër media, por bëhet duke krijuar dikaster të posaçëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, apo cilit do dikaster, të ndahet një buxhet i paraparë dhe aty të krijohet një grup ekspertësh të cilët do ti mbledhin të dhënat dhe grupi tjetër që do ti vlerësojnë, pra të mos ketë ekzagjerime apo efekte, të jenë shifrat reale dhe gjithçka të jetë e besueshme. Sepse vetëm kësisoj ne do ta dinim e sa dëme na ka bërë Serbia. P.sh në luftën e dytë e botërore ka pasur një numër të caktuar të Gjermanëve të cilët kanë luftuar sidomos ë Hungari dhe ata me statistikat e sakta i kanë nxjerrë dëmet që ia ka bërë Serbia dhe Jugosllavia dhe ata dëme t i kanë të regjistruara madje i kanë të regjistruar sipas ndërtimeve dhe sipas kohë kamatave dhe bankës botërore në rritje dhe ata çdo herë ja tregojnë Serbisë këto lista me detaje të sakta për dëmet e bëra”.

Por sipas tij, mjerimi i Kosovës është se ne po drejtohemi nga njerëz politik të pa ditur, të cilët gjithçka kanë interesin material dhe karrierën personale politike partiake.

Zogaj: Ideja është e qëlluar

Image
Skënder Zogaj

Por analisti politik Skënder Zogaj ka thënë se ideja e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për formimin e Tribunalit për krimet e luftës, është shumë e qëlluar dhe një hap i domosdoshëm për të hulumtuar, zbuluar dhe vënë para drejtësisë kriminelët serbë.

“Dihet botërisht se gjatë luftës në Kosovë, kriminelet serb kanë zhvilluar krime të jashtëzakonshme. Andaj formimi i Tribunalit nuk duhet të keq paragjykohet, e të konsiderohet veprim për poenë politik. Jo dhe jo sepse ideja është e qëlluar dhe me të drejtë duhet të përshëndetet e të përkrahet nga të gjithë dhe kushdo që e shpjegon ndryshe bën gabim të rëndë”, ka thënë analisti Skënder Zogaj.

Voca: Iniciativë për qëllime të brendshme politike

Image
Mirsad Voca

Kurse, njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca ka thënë se duke parë rrethanat e krimeve ekonomike dhe politike aktuale në Kosovë, ideja për formimin e një Tribunali për krime lufte nga kryetari i PDK-së duket të jetë për konsum të brendshëm politik, ndërsa jashtë Kosovës do të ketë fare pak efekt apo aspak.

Sipas tij, kjo është një ide sa popullsitë aq folklorike, dhe e dhimbshme, sepse po luhet me ndjenjat e familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

“Është e papranueshme tani edhe pas 20 viteve që nga Lufta e fundit në Kosovë, kur vendi gjendet në kriza të vazhdueshme ekonomike, politike e juridike, që disa liderë të mundohen të lakojnë opinionin e brendshëm, duke u fokusuar kinse në dënimin e krimeve serbe, për t`i shpëtuar disi krizës që ka aktualisht ky farë koalicioni PAN, por edhe krizave të pa reshtura që po i shfaqen Kosovës. Krimet serbe duhet patjetër dënuar mirëpo kjo iniciativë duket të ketë më shumë qëllime të brendshme politike, sesa juridike dhe për këtë juristët specialistë të fushës duhet të prononcohen pa anime lidhur me atë se sa është e mundshme juridikisht që një Iniciativë e tillë të sjellë rezultate”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se të tillët duhet të kapen dhe dënohen kriminalet serbë duke pasur parasysh se Kosova nuk është madje pjesë e Interpolit.

“Mendoj se në këtë formë, krimet makabre serbe nuk do të mund të dënohen pra nga kjo iniciativë e krye parlamentarit. Fatkeqësisht në vend që të fokusohet në konsolidimin e Drejtësisë dhe Ekonomisë për hir të Shtetit të Kosovës, për të cilin ranë shumë dëshmorë e heronj, vetëm tani ngritën ide kinse juridike kundër Serbisë të cilat do të duhej të ngiteshin njëmend menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Thjesht nuk duket aspak serioze edhe pse qëllim mirë dhe nuk mund të besohet se do t’i sjellë drejtësinë Familjeve të viktimave të Luftës. Aktualisht para së gjithash, patriot e hero do të ishte ai që inicion e krijon një Drejtësi të pavarur nga Politika, një Drejtësi të lirë, e cila do t’i hapte rrugë zhvillimit të vendit në çdo lëmi”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

Fasadë politike

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se ideja e Thaçit për formimin e Tribunalit për Krime Lufte, është më shumë fasadë politike, sesa serioze e reale.

Sipas tij, Thaçi tani na jep këtë ide jo rastësisht, është një ide për të vazhduar dialogun me te dashurin e tij, Vuçiqin. Tribunali i Thaçit do jetë Tribunal i Beogradit sesa i Kosovës.

“Pse gjatë bisedave dy-tre vjeçare me Serbinë, Vuçiqit s'ia bëri një pyetje për krimet e serbe në Kosovë, po tani propozon për një Tribunal të Beogradit për krimet e bëra të shqiptareve ndaj serbëve, po dhe për të zbuluar të këqijat kriminele shqiptare. Ideja e Thaçit për Tribunal krimesh është më shumë është reklamuese, propaganduese që të frikësonte te kriminalizuesit e krizës koalicionit të PAN-it, dhe të poenave autoritative të tij. Propozimet dhe idetë e Thaçit për Tribunale krimesh janë mashtrimet e njëpasnjëshme e kurrgjë tjetër. Tribunali i Thaçit më shumë do anonte nga Beogradi sesa nga Prishtina”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...