Haradinaj për Demarkacionin: Unë s’e kuptoj cila është harta jonë, edhe Esat Pasha me nënshkrim i ka jep tokat shqiptare

Politika

Haradinaj për Demarkacionin: Unë s’e kuptoj cila është harta jonë, edhe Esat Pasha me nënshkrim i ka jep tokat shqiptare

Nga: Arbnore Zhushi Më: 19 maj 2019 Në ora: 21:26
Gazetarja e gazetës "Bota sot", Arbnore Zhushi dhe Nasim Haradinaj

Nënkryetari i OVL së UÇK-së Nasim Haradinaj, ka thënë se kjo Organizatë përkrah iniciativën për Themelimin e Tribunalit që do të merret me gjykimin e krimeve serbe në Kosovë, nëse Rezoluta amendamentohet dhe kërkohet të futet në ligj të Prokurorisë Speciale.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë iniciativa e Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, nëse mbetet vetëm si Rezolutë, do të ishte një farsë politike.

Haradinaj ka thënë se është i gatshëm të dëshmojë para Gjykatës Speciale dhe se nuk do të ishte i befasuar nëse ftohet nga ajo.

Nënkryetari i OVL së UÇK-së ka deklaruar se është pro korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, por jo edhe shkëmbimit të territoreve. Ai ka kritikuar Qeverinë e Ramush Haradinajt, për tradhti se ka dhënë toka për viza, të cilat nuk iu kanë liberalizuar Kosovës ende.

“Bota sot”: A mendoni që kritikat si tuajat mund të ndikojnë në zbehjen e miqësisë me këto vende mike?

Haradinaj: Jeni gabim. Mendoj se miqtë duhet kritikuar mes vete, armiqtë luftojnë. Nëse ne i pranojmë kritikat e tyre, le t’i pranojnë edhe ata tonat. Kritika nuk e ka kuptimin e zbehjes së miqësisë, sepse nëse është kështu zbehen edhe marrëdhëniet prind-fëmijë. Neve na kanë ndihmuar faktori ndërkombëtar, nuk na ka ndihmuar pse na kanë dashur, pse kemi qenë simpatikë… NATO-ja nuk ka ndihmuar pse “iu ka tek”. NATO-ja na ka ndihmuar në kohën kur ka festuar 50 vjetorin e themelimit, atëherë kur ka bombarduar në Kosovë. Pse? Na ka ndihmuar, sepse vetëm atëherë ne si faktor, e kemi bind se e kemi përnjëmend luftën për liri dhe Serbia bëri masakra që u pa haptas. Kur ata na shohin që politikanët tonë duan të bëjnë shtet, na ndihmojnë. Kur shohin cirkun që po bëhet, këto lojëra dhe pazare që po bëhen mes pozitës dhe opozitës, atëherë edhe faktori ndërkombëtar luan “macen me miu”.

Nuk mund të ftohen marrëdhëniet, pasi jemi shtet i ri. Krejt normale është, e vetmja pakënaqësi është që ne kemi shansin të ecim më shpejtë, aty ku ka qenë amaneti i luftëtarëve. Amaneti i tyre nuk është kryer, sepse ne nuk kemi pasur betim për këtë pjesë të Kosovës Administrative, sepse është tradhtuar edhe ai kufi. Kështu që Kosova e shpallur në kufijtë e pavarësisë, sot është hartë e zgrapsuar (kafshuar), asaj iu kanë marrë 11 mijë hektarë nga Mali i Zi, që sot po e quajnë mik. Por, mos të harrojmë se ana e Dukagjinit nuk ka luftuar me serbët, po pjesën më të madhe dhe vrasësit më të mëdhenj kanë qenë malazezët dhe serbët e Malit të Zi. Unë nuk e kuptoj cila është harta jonë, me u çu me e nënshkruar një Demarkacion, më turp nuk ka. As Esat Pasha ndryshe nuk i ka dhënë trojet, veç i ka nënshkruar dhe ua ka jep tokat.

Intervistën e plotë, mund ta lexoni të hënën në gazetën "Bota sot"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat