Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se e kanë seriozisht rrëzimin e Qeverisë.
Ai ka deklaruar se janë në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se kanë kontakte me PSD-në, për ta inicuar në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë.
Se sa pritet të ndodhë kjo, analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën "Bota sot" se për momentin opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e Qeverisë dhe se nëse qeveria rrëzohet me vota të PDK-së, atëherë kjo parti do të jetë sërish në pushtet.
"Nuk janë pak vota që i duhen opozitës për ta rrëzuar Qeverinë. Për momentin opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e Qeverisë. Atyre ju duhen edhe votat e deputetëve të shumicës. Nëse deputetët e PDK-së votojnë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, do të thotë që PDK edhe mandatin tjetër do të jetë pjesë e pushtetit. PDK-ja nuk i jep votat për rrëzimin e Qeverisë ashtu koti", është shprehur ai.
Krasniqi nuk beson se PSD i jep votat për rrëzimin e Qeverisë, ndërsa që nëse qeveria rrëzohet me vota të PDK-së, sipas tij do të thotë që Isa Mustafa ka marrëveshje me PDK-në që pas zgjedhjeve të bëjnë prapë koalicion.
"Por as PSD-së nuk i besoj që i jep votat për rrëzimin e Qeverisë, sepse dihen raportet e mira mes Shpend Ahmetit dhe Ramush Haradinaj. Nëse kjo Qeveri rrëzohet me votat e PDK-së, atëherë do të thotë që Isa Mustafa ka marrëveshje me PDK-në që pas zgjedhjeve të bëjnë prapë koalicion. Nuk është zgjidhje që PDK të jetë në pushtet, sepse kjo parti është fajtorja kryesore për shkatërrimin e vendit. Por Isa Mustafa dhe garda e vjetër e LDK-së nuk e kanë problem një gjë të tillë, vetëm e vetëm të jenë pjesë e pushtetit", ka vlerësuar Krasniqi.
Sipas tij, koalicioni i duhur për ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje është LDK-VV, përndryshe më mirë mos të ketë zgjedhje ku në pushtet është PDK-ja.
"Koalicioni LDK-VV është koalicioni më i duhur për ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje. Përndryshe, më mirë mos të kemi fare zgjedhje, sepse në pushtet ku është PDK-ja, nuk është zgjidhje por vetëm thellim i krizës dhe vazhdimësi e krimit dhe korrupsionit", ka deklaruar Faik Krasniqi për "Bota sot".