Gecaj: Pos demarkacionit dhe ushtrisë, kjo qeveri nuk ka mund të shtyjë asnjë nga çështjet e mëdha

Politika

Gecaj: Pos demarkacionit dhe ushtrisë, kjo qeveri nuk ka mund të shtyjë asnjë nga çështjet e mëdha

Nga: D. B. Më: 22 maj 2019 Në ora: 18:18
Bajram Gecaj

Opozita do të duhet të koordinohet mirë dhe paraprakisht të shihet se a janë të gjithë partitë politike, serioze në çështjen e rrëzimit të Qeverisë.

Kështu ka vlerësuar Ish-këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa,Bajram Gecaj i cili në një prononcim  për “ Bota sot” ka thënë se fillimisht duhet të sigurohet se e ka numrin e mjaftueshëm prej 61 votash, që do të thotë, se do të duhet të gjenden së paku edhe 5 vota nga radhët e partive në koalicion , përfshirë këtu edhe Listën Serbe.

“Është e vërtetë nonsens qëndrimi i disa zyrtarëve të disa partive opozitare se nuk do të rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe. Është nonsens posaçërisht nëse kjo do të ndodhte pa ndonjë kushtëzim, dhe në veçanti kur kemi parasysh faktin se Qeveria Mustafa ishte rrëzuar edhe me votat e Listës Serbe, por edhe Qeveria Haradinaj nuk do të mund të formohej pa votat e kësaj liste”, ka thënë Gecaj.

Sipas tij, kjo qeveri ka humbur legjitimitetin e nevojshëm për të qeverisur kohë më parë dhe në vazhdimësi është e kushtëzuar nga votat e opozitës për të kaluar madje edhe ligjet dhe vendimet tjera të thjeshta.

“Gjithashtu, qeverisja me këtë nomenklature ka degraduar si asnjëherë më parë, prandaj është e domosdoshme të shkohet në zgjedhje të reja, të fitohet legjitimiteti i nevojshëm dhe të ndërrohet kjo shkollë me mbrapshtë e qeverisjes. Pos demarkacionit dhe ushtrisë kjo qeveri nuk ka mund të shtyjë asnjë nga çështjet e mëdha, të propaguara aq bujshëm gjatë fushatës së tyre zgjedhore, por edhe këto dy çështje të mëdha nuk do të mund ti shtynte asnjëherë po të mos ishte LDK-ja, parti kjo e cila çdo herë ka vendosur interesin nacional para atij partiak, grupore apo individual”, ka thënë Ish-këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat