Arroganca e Shkumbin Demaliajt ndaj LDK-së paralajmëron fundin e Qeverisë Haradinaj

Politika

Arroganca e Shkumbin Demaliajt ndaj LDK-së paralajmëron fundin e Qeverisë Haradinaj

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 maj 2019 Në ora: 13:12
Avdullah Hoti dhe Shkumbin Demaliaj

“Nëse Avdullah Hoti është kriminel, a mund ta imagjinon dikush se çfarë mund të jetë Shkumbin Demaliaj, i cili është nën akuzë për kërcenim të një prokurori të shtetit, si një njeri që është pjesëmarrës në fryrjen e listave të veteranëve të luftës së UÇK-së”, ka thënë  opinionisti Nexhat Haziri.

Në Kosovën e pas luftës  është bërë zakon që të dyshuarit për krime t'i quajnë kriminelë të tjerët. Madje, ky degradim i gjuhës fyese ndodhi në Kuvendin e Kosovës, ditë më parë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të hënën në seancën e Kuvendit të Kosovës, ndërsa po diskutohej për rezolutën e krimeve të luftës, e quajti “kriminel”, deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Demailaj, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria për rastin Veteranët, kritikoi Vetëvendosjen për bashkëpunim me LDK-në, ndërsa, Avdullah Hotin e quajti kriminel

“Lidhja e tyre me LDK-në po na befason shumë. Ku janë 63 kallëzime penale z. Kurti dhe z. Konjufca që ia keni bërë Isa Mustafës për qeverisjen lokale. A ju keni shku deri në fund apo keni gënjye? Në atë pushtet ka marrë pjesë edhe z. Hoti, është pjesë e atij kriminaliteti financiar që ka ndodhë nëse ato padi kanë qenë të vërteta. Sot marramendësisht çohet Avdullah Hoti dhe e quan kryeministrin bandë kriminale, kriminel është vetë Avdullah Hoti. Çka ka bo për Kosovën. Ku mundesh me i thanë një kryeministri bandë kriminale”, tha Demaliaj.

Bunjaku Rexhepi: Besoj në zgjedhjet e reja

Image
Valentina Rexhepi-Bunjaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Valentina Rexhepi-Bunjaku ka thënë për “ Bota sot” se gjuha e degraduar në Kuvend, në institucionin më të lartë legjislativ të një vendi, është një pasqyrë e skajshme e komprometimit të një qeverie gjithashtu të degraduar.

Sipas saj, kur një deputet akuzon apo ofendon një kolegë të një partie tjetër pa asnjë fakt në një formë të tillë si kriminel, apo edhe ofendime tjera nga deputetë tjerë, mendoj se është një argument shtesë që qytetarët të mendojnë mirë kënd ta votojnë nesër dhe të gjykojnë drejtë.

“Gjuha e tillë është edhe një shenjë se kjo qeveri tashmë nuk gjen mjete për të qenë e sigurt dhe komode sepse kjo tregon qartë se nuk e meritojnë të jenë aty ku janë sot, e madje  as në parlament, por besoj në zgjedhjet e reja”, është shprehur deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Haziri: AAK ditët e numëruara në qeverisjen e vendit

Image
Nexhat Haziri

Ndërkaq, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se ky fjalor nga një deputet si Shkumbin Demaliaj dhe nga AAK-ja, mbase është i natyrshëm, pasi sipas tij,  këta deputetë dhe ky subjekt politik, ka deficit sa i përket përgatitjes arsimore, profesionale e intelektuale, që nga lideri i saj dhe të gjithë ata që sot e përfaqësojnë këtë subjekt politik në institucionet e vendit.

“Nëse Avdullah Hoti është kriminel, a mund ta imagjinon dikush se çfarë mund të jetë Shkumbin Demaliaj, i cili është nën akuzë për kërcenim të një prokurori të shtetit, si një njeri që është pjesëmarrës në fryrjen e listave të veteranëve të luftës së UÇK-së. Nuk mendoj se AAK-ja si parti private e vëllezërve Haradinaj, ka atë komoditet sa ta quaj dikë kriminel, pasi është një nga partitë që karakterizohet me një funksionim mjaftë të dyshimtë, me njerëz që janë dënuar për krime dhe vrasje dhe dyshohet edhe për veprimtari të tjera anti-ligjore. Por eskalimin e AAK-së në një fjalor aspak politik e human, duhet parë edhe në atë se kjo parti tashmë po e sheh se i ka ditët e numëruara në qeverisjen e vendit, dhe mbase kjo po shkakton nervozizëm të zyrtarët e saj”, ka thënë opinionisti Haziri.

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se Ligji në Kosovë vlen për qytetarët e thjeshtë, por jo edhe për politikanët matrapazë dhe biznesmenët kriminelë.

Sipas tij, nga një njeri i tillë si Shkumbin Demailaj gjithçka mund të pritet.

“Çfarë mund të presësh prej një njeriu të tillë, i cili dyshohet të ketë kryer krim me fryrjen e listave te veteraneve. Para pak kohësh nëpër studio televizive, deklaronte që çdo anëtar dhe militantë të AAK-së do ta punësonte po të ishte në dorën e tij. Madje thoshte që nuk i intereson fare largimi i njerëzve drejt Evropës. Ky person është idiot i klasit të parë, dhe ky fakt tregon më së miri, se çfarë njerëz janë votuar dhe bërë deputetë. Fatkeqësisht asgjë nuk do të ndodh me aktakuzën e ngritur ndaj tij, sepse drejtësia është në duart e matrapazëve të politikës, madje edhe ky sikurse të tjerët do të shpallet i pafajshëm”, është shprehur politologu Faik Krasniqi.

Kuvendi ka degraduar

Image
Skender Zogaj

Sipas analistit politik Skender Zogaj,  gjuha në Kuvendin e Kosovës ka degraduar skajshmërisht për faktin se, pjesa dërmuese e deputetëve janë pa përgatitjen e duhur diturore, me shprehi dhe vese të bartura nga ambientet bujqësor e blegtoral, prandaj sjellja dhe gjuha e tyre vazhdon të jetë kooperativiste.

Ai ka pohuar, se kjo dukuri i ka përfshi të gjithë, dhe i rralli deputete arrin që të përmbahet nga vulgarizuara gjuhësore dhe afshi degradues i çdo lloj vlere njerëzore.

“Kjo është për tu vajtuar, sepse, bëhet fjalë për deputetët, të zgjedhurit e popullit, që nuk do të duhej të mos e kishin parasysh se janë pasqyra e vendit. Akuzat po marrin përmasa dramatike dhe, kjo nëse vazhdohet kështu, mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata. Institucionet duhet të lëvizin dhe të marrin masa ligjore”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat