“Nëse Avdullah Hoti është kriminel, a mund ta imagjinoni se çfarë mund të jetë Shkumbin Demaliaj”

Politika

“Nëse Avdullah Hoti është kriminel, a mund ta imagjinoni se çfarë mund të jetë Shkumbin Demaliaj”

Nga: Bota Sot Më: 23 maj 2019 Në ora: 14:22
Shkumbin Demaliaj dhe Avdullah Hoti

Debatet në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës në të shumtën e rasteve eskalojnë. Akuza e kundër akuza dëgjohen nga deputetët, sa herë që në rend dite janë tema të rëndësishme për të ardhmen e shtetit.

Cak i sulmeve verbale javën e kaluar ishte Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, të cilin deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, e quajti kriminel.

Por, pas këtij etiketimi nuk është se pati ndonjë reagim nga Lidhja Demokratike e Kosovë, ndonëse arsyet për të reaguar ishin të mjaftueshme.

LDK shfaqi edhe njëherë anën e saj të “butë” duke zgjedhur fjalë të buta karshi Demaliajt, i cili është edhe i akuzuar nga Prokuroria në skandalin për rastin e fryrjes së listave të veteranëve.

LDK nuk mund të mbrohet duke e quajtur deputetin që e  etiketoi Hotin si “kriminel” me fjalën “sharlatan”.

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se ky fjalor nga një deputet si Shkumbin Demaliaj dhe nga AAK-ja, mbase është i natyrshëm. Mirëpo, sipas tij, AAK-ja nuk e ka komoditetin që ta quaj dikë kriminel.

Image
Nexhat Haziri

“Nëse Avdullah Hoti është kriminel, a mund ta imagjinon dikush se çfarë mund të jetë Shkumbin Demaliaj, i cili është nën akuzë për kërcenim të një prokurori të shtetit, si një njeri që është pjesëmarrës në fryrjen e listave të veteranëve të luftës së UÇK-së. Nuk mendoj se AAK-ja si parti private e vëllezërve Haradinaj, ka atë komoditet sa ta quaj dikë kriminel, pasi është një nga partitë që karakterizohet me një funksionim mjaftë të dyshimtë, me njerëz që janë dënuar për krime dhe vrasje dhe dyshohet edhe për veprimtari të tjera anti-ligjore. Por eskalimin e AAK-së në një fjalor aspak politik e human, duhet parë edhe në atë se kjo parti tashmë po e sheh se i ka ditët e numëruara në qeverisjen e vendit, dhe mbase kjo po shkakton nervozizëm të zyrtarët e saj”, ka thënë opinionisti Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat