Situata në PTK, shembull se si shkatërrohet një ndërmarrje nga mafia qeveritare

Politika

Situata në PTK, shembull se si shkatërrohet një ndërmarrje nga mafia qeveritare

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 23 maj 2019 Në ora: 21:50
PTK

Që nga paslufta, telekomi i Kosovës ka qenë një burim i pashterrshëm, një “peshk i artë” për politikanët që kanë qeverisur me vendin ndër vite. Atë e kanë shfrytëzuar në format apo variantet nga më të ndryshme, si për përmbushjen e kënaqësive të “shefave”, ashtu edhe për rehatimin e militantëve me paga enorme e pa kurrfarë përgjegjësi në punë.

Secili pushtet, sidomos pas shpalljes së pavarësisë e ka shfrytëzuar këtë institucion në mënyrë të pa mëshirshme, duke mos iu interesuar rruga në të cilën e kanë orientuar telekomin, thjeshtë, për ta ka qenë fat i madh që është ndodhur aty për të akomoduar vëllezërit, motrat, fëmijët, dajat, tezet e këdo që e kanë pasur më për zemër, apo që iu ka dashur për të ia mbrojtur interesin e partisë.

Në periudhën më të mirë të tij, Telekomi ka arritur që të gjenerojë të hyra deri në 182.5 milion euro, ndërsa fitim i ka pasur më shumë se gjysmën e të hyrave, apo rreth 97.7 milion, gjendje kjo e cila ka ndryshuar në mënyrë radikale, duke e sjellë telekomin në pozitë që të gjenerojë të hyra vetëm 70.2 milion, ndërkohë tashmë nuk bëhet fjalë për fitime, por për humbje që arrijnë deri në 51 milion euro. E gjithë kjo e “arritur spektakolare” në rrënimin e kësaj kompanie publike, fajin kryesorë e ka tek ndërhyrja e pa mëshirshme e politikës në çdo gjë të gjallë në telekom. Këtë fakt, për “Bota sot” e ka konfirmuar edhe profesori Ermal Sadiku, i cili njëherit është edhe themelues i një kompanie softëareike.

Profesori Ermal Sadiku: Në vend të 3 mijë punëtorëve, në telekom ka vend vetëm për 300 punëtorë

Profesori Sadiku ka thënë se e din formulën se si të rimëkëmbet telekomi, ku sipas ti, politika duhet të t’i mbajë larg duart nga telekomi. Në pyetjen tonë për profesorin Sadiku, nëse do të ishte i gatshëm ta drejtonte drejtë “bregut” këtë kompani gjigante, ai ka thënë se këtë do ta bënte me kënaqësinë më të madhe, edhe pse shprehet mjaftë skeptik që në kushte aktuale siç funksionon telekomit, të ndodhë një gjë e tillë.

Image
Ermal Sadiku

“Normal që kisha pranu, pasi që është një sfidë, më shumë se gjithçka tjetër. Nuk është çështje financiare. Drejtori i telekomit nuk e ka pagën më të lartë se unë. Mua personalisht më pëlqejnë shumë sfidat e në këtë rast PTK apo në veçanti Telekomi, aktualisht, në gjendjen në të cilën është do të ishte një sfidë e madhe por shumë e mirë, pasi që rivitalizimi i saj, apo nxjerrja nga kjo gjendje në të cilën është, realishtë përbën interes kombëtarë. Unë them se këtu është një problem, pasi që jo Ermalin, por edhe Bill Gatesin me e pru drejtor aty, derisa është politika këmbëkryq, PTK-në nuk ka që e shpëton. Aty janë të punësuar 3 mijë punëtorë në vend se të jenë 300, janë kontratat e tmerrshme që paguajnë për qira, për marketing, të cilat për të mos thënë se janë të kriminalizuar, janë tepër të politizuara. Pastaj duhet te rregullohet kontrata me Z-Mobile sa me shpejt. Duhet të investohet në trajnim të stafit profesional, në zhvillim të infrastrukturës, produkte të reja inovative etj”.

“Nuk duhet të jesh gjeni për ta rregulluar telekomin. Nuk duhet të jesh patjetër profesor apo inxhinier. Ka shumë njerëz në Kosovë që do ta kryenin këtë punë shumë mirë, ndoshta edhe më mirë se unë. Ka shumë staf të mire edhe brenda në telekom por të cilët nuk lejohen të marrin pozita udhheqëse ose kanë frikë”, ka thënë profesori Ermal Sadiku.

Millaku: Në telekom çdo i dyti është menaxher, në fakt asnjëri nuk e din çfarë menaxhon!

Image
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke komentuar shkaqet që kanë sjellë telekomin në këtë gjendje, ka thënë se fajtore janë të gjitha partitë politike që kanë qeverisur me vendin prej vitit 2008, pa e përjashtuar asnjë.

“Rasti i telekomit është shembulli tipik i krimit të organizuar shtetërorë ku nuk ka fare mëshirë për pronën shtetërore . Punësimet familjare dhe stërngarkimi me të punësuar, kontrata me Z-mobile janë veprime të qëllimshme për ta rrënuar këtë ndërmarrje me qëllim që më vonë të sanohet situata me paratë e tatimpaguesve, pra nga buxheti dhe në fund shitja me çmim të ulët. Nëse i shikojmë në detaje vendimet e PTK-së, atëherë e vërejmë se vendimet dhe kontratat e nënshkruara janë bërë që nga 2008, atëherë kur PDK-ja ka marrë qeverisjen dhe faktikisht për këtë gjendje janë fajtorë të gjitha qeveritë që nga 2008 pa përjashtim. Çdo i dyti punëtorë në PTK është menaxher,e faktikisht asnjëri nga ta nuk e din se çfarë menaxheri është. Pra, situata në PTK tregon më së miri se si shkatërrohet një ndërmarrje nga mafia qeveritare. Strategjia e mafias, punëso- shkatërro-privatizo-përvetëso”, ka thënë për “Bota sot”, deputetja Drita Millaku.

Kadriaj: Kjo klasë politike e ka sjellë gjendjen ekonomike në vend, me keq se kur kemi dalë nga lufta

Image
Mustafë Kadriaj

Analisti për çështje ekonomike, Mustafë Kadriaj duke e komentuar situatën jo vetëm në telekom për edhe në përgjithësi në vend, ka thënë se kjo klasë politike në vend, e ka sjellë qytetarin para aktit të kryer, që të mos kenë rrugë tjetër pos të marrin rrugën e mërgimit, për një jetë më të mirë.

“Këta përfaqësues që i gjejnë vrimat ligjore me të vetmin qëllim që të përfitojnë materialisht, duke zhavatur paranë dhe pasurinë e Kosovës. Aq sa kanë arritur në atë pikën ekstreme të mos ndërgjegjes, që të bëjnë arsyetime banale edhe në rastin e telekomit. Është e pakuptimtë që gjithnjë institucionet publike po hyjnë në obligime ndaj kontraktuesve gjithnjë duke kërcënuar me arbitrazhë nëse ka dështim në menaxhim në telekom duhet së pari të ketë llogaridhënie nga menaxhmenti dhe ish menaxhmenti dhe të investigohet kontrata, por si duket dikujt i pengon kështu që po tentojnë që sa më parë të kalojnë mjetet në llogari të kompanisë në fjalë. Kjo të zgjon kureshtjen dhe të nxitë dyshimin që të gjitha partitë po bëhen gati për zgjedhje, si pozitë dhe opozitë kështu që ju duhen për përkrahje në fushata zgjedhore. Kjo elitë politike aq shumë po e lodhë ekonominë e Kosovës duke e sjellë edhe më keq se kur jemi dal nga lufta e them këtë sepse pikërisht telekomi i Kosovës me të filluar punën mbas lufte u kthye në një kontribuues buxhetor ndërsa mbas njëzet viteve pune, të bëhet për ndihma. Jemi ardhur në një pikë që qytetari të vetmen zgjidhje të mendon rrugën e mërgimit duke e lënë Kosovën në mëshirën e kësaj mafioligarkie ku çdo gjë është në shërbim të interesave te tyre”, është shprehur analisti Kadriaj.

Mehmeti: Humbësit më të mëdhenj nga afera janë qytetarët

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti Faton Mehmeti ka thënë se ditën e parë pasi që të shkojë kjo qeveri, telekomi duhet të hetohet, pasi me këtë qeveri nuk ka shpresë dhe guxim prokurorial, që të hetohet momentalisht.

“Natyrisht se afera me Telekomin është produkt i njerëzve në qeveri, për të ndarë pastaj hiset se bashku. Nga gjithë kjo aferë humbësit më të mëdhenj dhe të vetëm janë qytetarët e këtij vendi, tekat e të cilëve do të shkojnë për të pasuruar oligarkët më të mëdhenj. Andaj, Telekomi është një aferë që një ditë kur të ikën kjo qeveri duhet të hetohet, pasi me këtë qeveri ne pushtet s`ka prokurorë që guxon të hetojë drejt këtë aferë korruptive”, është shprehur analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat