Abazi: Serbia duhet të paguajë për krimet, por kjo s’bëhet nga ata që e kanë “bishtin nën derë”

Politika

Abazi: Serbia duhet të paguajë për krimet, por kjo s’bëhet nga ata që e kanë “bishtin nën derë”

Nga: G.B Më: 24 maj 2019 Në ora: 12:46
Haki Abazi

Në vitin 2015 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës u votua Gjykata Speciale dhe deri tani, shumë komandantë e ish luftëtarë të UÇK-së kanë marrë ftesa e janë intervistuar nga kjo gjykatë.

Ndërsa, së fundmi, 20 vite pas luftës në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Kosova ka iniciuar idenë e formimit të një tribunali për krimet serbë në Kosovë.

 Kjo iniciativë është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian, i cili ka thënë se nuk mbështet një gjë të tillë.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se BE e ka të qartë se kjo është një lojë e pacipë dhe protagonistët kryesorë janë Thaçi e Veseli, derisa thotë se kjo po bëhet tani kur intervistimet e njerëzve nga specialja kanë filluar dhe ka dështuar ideja për të bërë pazare me tokën e Kosovës.

“Bashkimi Evropian e ka të qartë ashtu siç edhe shumica e qytetarëve që kjo është një lojë e pacipë. Kryetari i PDK-së Veseli dhe Thaçi janë protagonistët kryesorë të themelimit të Gjykatës Speciale. Tani që mandati i kësaj gjykate nuk mund të kufizohet dhe intervistimet e njerëzve kanë filluar në njërën anë dhe dështimi për të bërë pazare me Serbinë për tokën e Kosovës gjë që është parandaluar me veprimet e njerëzve që e duan shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e saj, këta dy protagonistë kanë filluar misionet e tyre për keqpërdorimin e viktimave dhe të rënëve të luftës”, është shprehur Abazi.

Ai thotë se Serbia duhet të përgjigjet për krimet e bëra dhe gjenocidin në tentativë, por kjo nuk mund të realizohet nga ata që e kanë “bishtin nën derë” dhe që duan që krimet e Serbisë të bëhen pazare me fatin e tyre në politikë.

“Është e qartë që kjo gjë nuk ndodhë dhe krejt është blof dhe kërcënim ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht që Serbia duhet të përgjigjet për krimet e bëra dhe gjenocidin në tentativë, vrasjet e patriotëve në diasporë nga UDB dhe shërbimet tjera sekrete të ish-Jugosllavisë dhe çdo krim tjetër që është bërë ndaj shqiptarëve por kjo gjë nuk mund të realizohet me ata që e kanë "bishtin nën derë" dhe që duan që krimet e Serbisë të bëhen pazare me fatin e tyre në politikë. Serbia do të paguajë për të gjitha krimet atëherë kur Kosova do të ketë subjektivitetin e plotë ndërkombëtar e kjo gjë nuk arrihet me këtë strukturë politike e cila është duke shkatërruar subjektivitetin e Kosovës”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat