SHBA dhe Britania ashpërsojnë kritikat, a po i vjen fundi pushtetit të përfshirë në krime?

Politika

SHBA dhe Britania ashpërsojnë kritikat, a po i vjen fundi pushtetit të përfshirë në krime?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 maj 2019 Në ora: 16:05
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Partitë politike opozitare çdo ditë e më shumë janë duke i bashkërenduar veprimet e tyre për ngritjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Këto ditë po konsiderohen si më të vështirat për qeverinë e drejtuar nga koalicioni PAN, e shkak për këtë është ngecjet e shumta në zhvillimin e vendit, përkatësisht në fushat si politika, ekonomia e drejtësia.

Madje, për këtë të fundit po vijnë reagime të njëpasnjëshme të ambasadorëve të shteteve mike të Kosovës, të cilët thonë se drejtësia është e ndikuar nga politika.

Ambasadori i Amerikës në Kosovë Philip Kosnett, ka reaguar pas lirimit nga akuza për korrupsion e Sami Lushtakut në rastin e njohur si KEK.

Deklaratën e ambasadorit Kosnett, e ka përkrahur edhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell, përcjell Bota sot.

O’Connell ka deklaruar se dështimi i Kosovës për të luftuar korrupsionin, dëmton të gjithë, përveç kriminelëve dhe miqve të tyre.

“Bërja e gabimit të njëjtë një herë apo dy herë mund të jetë për shkak të paaftësisë ose papërvojës. Trajnimi do të ndihmonte në zgjidhjen e kësaj. Por, Kosova ka vite që trajnohet. Në vend të kësaj, duke e bërë të njëjtën “gabim” kohë pas kohe, pas një kohe duket si një strategji e qëllimshme për të lejuar që kriminelët të ecin lirshëm. Dështimi i Kosovës për të luftuar krimin na dëmton të gjithëve, të përveç kriminelëve dhe miqve të tyre”, ka shkruar ambasadori britanik Ruairi O’Connell në Facebook.

Kosnett: Protestoni kundër të keqes

Gjithë këto reagime lënë të nënkuptohet se ndërkombëtarët po e duan dhe po e kërkojnë qeverisjen me duar të pastra në Kosovë.

Po kështu, javë më parë, ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, duke folur në një debat të hapur, i ka dhënë një mbështetje Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se populli duhet ta ngrisë zërin dhe të protestoj kundër të keqes.

“Ka shumë mjete që qytetarët e Kosovës kanë në dispozicion për t’i sfiduar vendimet e Qeverisë, që ata i konsiderojnë të padrejta. Folni, organizohuni, demonstroni. Demokracia nuk nënkupton që është një sport që e luan vetëm në ditën e zgjedhjeve. Është sport ku qytetarët duhet ta luajnë për çdo ditë. Flas si mik i Kosovës, si përfaqësues i vendit, i cili ka çështjet e veta ligjore dhe politike. Mendoj se në demokraci një oligarki mund të marr kontrollin vetëm nëse njerëzit e lejojnë atë. Dy prej rreziqeve më të mëdha janë: nëse dikush heqë dorë dhe pajtoheni. Dhe kur njerëzit heqin dorë kjo është e tmerrshme. Njerëzit në Kosovë kanë luftuar për të ndërtuar një demokraci, një vend ku besohet në sundimin e ligjit dhe për të drejtat e të të gjithëve”, theksoi Kosnett.

Kjo mbështetje nga ambasadori Kosnett ka ardhur në kohën kur opozita po koordinohet për ngritjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Millaku: SHBA- të frymojnë bashkë me popullin e Kosovës

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e ka konsideruar si pozitive deklaratën e ambasadorit Kosnett, duke thënë se Bashkësia ndërkombëtare duke i përkrahur njerëzit e korruptuar.

“SHBA të frymojnë bashkë me popullin e Kosovës dhe kjo simbiozë tashmë janë të bindur se vetëm VV ja mund të bëjë kthesën dhe ndryshimin e madh”, thotë Millaku.

Ajo thotë më tutje për “Bota sot” se, viti 2019 do të sjellë ndryshime me Albin Kurtin kryeministër.

“Bashkësia ndërkombëtare është ngopur duke i përkrahur njerëzit e korruptuar. Dhe jam e bindur se viti 2019 do të sjell ndryshime në qeverisje dhe kjo do të bëhet me kryeministër Albin Kurtin, dhe për këtë jam shumë e sigurt”, thotë deputetja Millaku.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike thonë se deklaratën e ambasadorit Kosnett e shohin si një përkrahje për ndryshime në vend dhe tejkalim të krizës politike.

Zogaj: Çdo nënçmim i situatës mund të jetë me pasoja të rënda

Image
Skender Zogaj

Kështu analisti Skender Zogaj, thotë se SHBA-ja gjithmonë e ka përkrahur Kosovën dhe nuk mund të rrinë duarkryq derisa Kosova po ballafaqohet me një krizë të thellë.

“Përkrahjet e SHBA-ve janë të përhershme ndaj të gjitha iniciativale demokratike që kanë për qëllim kundërshtimin e gjendjeve penguese të zhvillimeve, e sidomos kur kanë të bëjnë me pushtetet e inkriminuara dhe krizat që ua krijojnë vendeve të tyre. Ky është rasti i Kosovës e cila po ballafaqohet me thellim krize dhe SHBA-të nuk mund të qëndrojnë duarkryq, por do të përkrahin opozitën si faktorin kryesor me të drejtën kundërshtuese të pushtetit aktual”, thekson analisti Zogaj.

AI thotë më tutje se nuk është fjala për përkrahje të Vetëvendosjes, por për ndryshime pozitive dhe SHBA-ja këtë po e kërkon, pasi çdo nënçmim i situatës mund të jetë me pasoja të rënda.

“Pra, nuk është fjala për përkrahjen e Vetëvendosjes, por kemi të bëjmë me përkrahjen e nevojës për ndryshimin pozitiv të gjendjes dhe tejkalimin e krizës politike! Ndryshimet janë shumë të nevojshme dhe SHBA-ja këtë po e kërkon, gjë që koalicioni qeverisës duhet ta analizojë dhe të tregohet sa më i arsyeshëm, sepse, çdo nënçmim i situatës mund të jetë me pasoja të rënda”, thotë Zogaj.

Krasniqi: Presioni duhet të jetë më i madh nga ana e SHBA-së

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti tjetër, Faik Krasniqi këtë deklaratë e sheh si shpresë për ndryshim. Ai thotë për “Bota sot” se, Vetëvendosja dhe Albin Kurti janë e vetmja shpresë për ndryshime pozitive në vend.

“Edhe pse e vonuar, është shumë pozitive përkrahja e SHBA-së për Lëvizjen Vetëvendosje. Do të thotë që ka shpresë për ndryshime kur përkrahja vije nga superfuqia më e madhe në botë siç është SHBA. Edhe amerikanët më në fund e kanë kuptuar që Lëvizja Vetëvendosje, dhe lideri i saj Albin Kurti, mbeten e vetmja shpresë për ndryshime pozitive në Kosovë”, vlerëson Krasniqi.

Ai thotë se të njëjtin mendim amerikanët nuk e kishin para disa viteve.

“Por, siç duket i kanë hequr syzet për ta kuptuar që vendi nuk mund të ec përpara me kriminelët e klanit Pronto dhe bishtat e tyre. Përveç SHBA-së edhe shtetet tjera po e përkrahin Vetëvendosjen për ndryshime në vend. Sidoqoftë, presioni duhet të jetë më i madh nga ana e SHBA-së dhe shteteve tjera për ta shporrur këtë klan mafioz nga pushteti, dhe jo vetëm deklarata mediatike. Ata e dinë se në çfarë mënyre ta përdorin këtë presion. Vetëm Albin Kurti dhe Vetëvendosje mund ta ndryshojnë gjendjen, përndryshe ky vend do të zbrazet i tëri”, thotë analisti Faik Krasniqi.

Ambasadori amerikan Kosnett gjatë këtij debati kishte folur edhe për çështje tjera, duke u treguar kritik sidomos për punësimet partiake. Ai për këto tha “Njerëzit marrin vende pune vetëm pse janë të lidhur me njerëzit me ndikim”.

Kosnett përveç këtyre, pati një lëvdatë për një të arritur në Kosovë. Ai tha se përderisa Kosova po hynë në dhjetë vjeçarin e dytë të pavarësisë, ka institucione të afta dhe ligje të shëndosha që burojnë nga Kushtetuta e saj dhe po e mahnitë botën si prijëse në rajon sa i përket transparencës në prokurimin publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat