Dështimi i Qeverisë Haradinaj, Kosova po “eksporton” të rinj drejt Evropës

Politika

Dështimi i Qeverisë Haradinaj, Kosova po “eksporton” të rinj drejt Evropës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 maj 2019 Në ora: 09:44
Ika e të rinjve nga Kosova

Ndonëse, kryeministri Ramush Haradinaj, kohë më parë ka thënë se viti 2019 është viti kur Qeveria do të merret me zhvillim ekonomik, qeverisja në duar të tij ka dështuar t`i trajtojë problemet e ekonomisë.

Njohësit e çështjeve politike dhe ekonomike vlerësojnë, se kjo qeveri nuk ka ide dhe përgatitje profesionale për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas tyre, mos stimulimi dhe mos kreativiteti i kësaj qeverie ka bërë që të stagnojë procesi në aspektin ekonomik.

Kadriaj: Nuk është e drejtë që të sakrifikohen dy milion qytetarë

Image
Mustaf B. Kadriaj

Njohësi i çështjeve të ekonomisë Mustaf B. Kadriaj, ka thënë se qeveritarët nuk duhet të luajnë me ndjenjat e qytetarëve dhe me deklarime të pa baza ekonomike.

“Kryeministrin Haradinaj nuk mund ta ndalojmë të ëndërrojë me sy çelur, por ai duhet ta kuptoj që kjo nuk është e drejtë që të sakrifikohen dy milion qytetarë dhe njëherësh të ulë inteligjencën, përderisa ata qytetarë një hap e para tentojnë që të largohen nga Kosova, pikërisht për shkak të mos perspektivës në Kosovë. Qeveritarët nuk duhet të luajnë me ndjenjat e qytetarëve dhe me deklarime të pa baza ekonomike. Sepse tani e tutje, të vetmin veprim të ndershëm që mund të bëj duke ikur në shtëpi, është që ai t’ia lëshojë rrugën një Qeverie tjetër më kredibile, sepse çdo ditë më këtë qeveri do të jetë edhe më e dobët me premtime rreth ekonomisë”, ka thënë njohësi i çështjeve të ekonomisë Mustaf B. Kadriaj.

Kryeziu: Qeveria nuk e ka përmirësuar ekonominë

Image
Nexhat Kryeziu

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike Nexhat Kryeziu, ka thënë për “ Bota sot” se rritja e pagave të sektorit publik, rritja e borxhit publik me një shpejtësi shumë të madhe sikurse edhe në proporcion jo të drejtë me nevojat reale ekonomike që do të mund të krijonin punë dhe mirëqenie afatgjatë për qytetarin e vendit, janë disa çështje që kanë mbetur të pa adresuara siç duhet nga kjo qeveri.

“Vendimmarrja Ad-hoc dhe pa kritere në çështje të mëdha që ndërlidhen edhe me sektorin real të ekonomisë, në vend të krijimit të një ambienti ekonomik konkurrues kanë shkaktuar dis-balanca edhe më të mëdha. Edhe sot, përkundër shumë subvencioneve në lëmin e bujqësisë apo përkrahjes së fermerëve, ende jemi larg që të krijojmë një prodhim vendor që do të mund të plotësohen nevojat bazike e lërë më, për të prodhuar për eksport. Kjo për faktin se nevojitet ri-trukturim i përgjithshëm i politikave ekonomike në vend nëse dëshirojmë që të kemi progres në ekonomik, e që për momentin kjo qeveri nuk e ka kurajën, e as dijen”, ka thënë njohësi i çështjeve të ekonomisë Nexhat Kryeziu.

Krasniqi: Asnjë Qeveri deri më tani nuk e ka pasur prioritet ekonominë

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka pohuar se asnjë Qeveri deri më tani nuk e ka pasur prioritet ekonominë.

Sipas tij, gjendja ekonomike në Kosovë, papunësia dhe migrimi legal, janë treguesi më i mirë se sa janë të interesuar qeveritarët për përmirësimin e gjendjes ekonomike.

“Kryeministri Haradinaj ka vetëm fjalë, sikurse paraardhësit e tij. Nuk e kuptoj se si mendojnë ta zhvillojnë ekonominë, kur shumicën e buxhetit e shpenzojnë në ndërtimin e autostradave, në luks dhe skema të ndryshme sociale e pensionale. Në një vend si Kosova me ekonomi të prapambetur dhe papunësi të lartë, gjysma e buxhetit do të duhej të shfrytëzoj për zhvillim ekonomik. Kurse tek ne ndodh e kundërta. Me këtë klasë politike nuk ka gjasa që të zhvillohet ekonomia. Eksporti më i madh i Kosovës do të jetë eksporti i të rinjve drejt Evropës”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Burjani: Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet më shpesh vetëm për ekonomi

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, Blerim Burjani njohës i çështjeve politike e juridike, ka pohuar se kjo qeveri nuk ka kapacitete për të propozuar asgjë, që do të lehtësonte zhvillimin e ndërmarrjes.

Sipas tij, mos stimulimi dhe mos kreativiteti i kësaj qeverie ka bërë që të stagnojë procesi në aspektin ekonomik.

“Në mungesë të zhvillimit ekonomik të rinjtë ikin dhe intelektualët madje edhe të punësuarit për shkak të mos perspektives. Madje shpenzimet e mëdha e kanë katandisur shtetin, pasi edhe administrata e pa reformuara dhe e mbi punësuar kur ti shtohet edhe rritja e parave për çdo qeveri që vjen në pushtet e në anën tjetër mbi 300 mijë në sektorin privat jetojnë prej 170 e deri 300 euro në muaj, të cilët faktikisht mbeten pa para në javën e parë të muajit përbën një shqetësim të madh. Pra hendeku po zgjerohet shumë dhe skema sociale pa vend ka bërë që mbi 300 milion të shkojnë për kategori sociale”, ka thënë Burjani.

Ai ka theksuar se kjo qeveri e paaftë nuk mund fare të bëjë një reformë sociale, sepse gjendja e shëndetësisë është kritike, pagat po rriten për mjek por jo edhe kujdesi më i shtuar për pacient.

“ Në Kosovë s’ka barna esenciale dhe gjëra elementare, e nëse dëshirohet të bëhet stimulim i biznesit duhet të themelohet një formë për zhvillim ku do të trajtohen star up, dhe ndërmarrjet e vogla si prioritet pastaj ato të mesme, pra duhet të ndihmohen përmes kredive afat gjata bizneset. Sepse kjo qeveri asnjë iniciativë normale nuk e ka marrë në këtë drejtim madje OJQ paguajnë taksa dhe paguajnë kot as nuk kanë para të paguajnë zyrat madje as gjëra elementare transport e ushqim”, ka thënë Burjani.

Sipas Burjanit, qytetarët janë të shtyrë të mendojnë vetëm në dy gjëra të hyjnë në punë ku shteti është punëdhënës dhe e dyta të ikin prej shtetit.

“Lind pyetja se si të arrihen të ardhurat ekonomike, kur nuk ka fare asnjë ndryshim efektiv dhe gjasat janë zero. Qytetaret janë të shtyrë të mendojnë vetëm në dy gjëra të hyjnë në punë ku shteti është punëdhënës dhe e dyta të ikin prej shtetit. Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet më shpesh vetëm për ekonomi dhe zhvillim, e jo për politik pa lidhje”, ka thënë Burjani.

Ai konsideron se Haradinaj, nuk është e nevojshme të merret tërë kohën me Serbinë.

“Këtu krejt çka është bërë interesim është demarkimi, pastaj njohja reciproke. Nëse do Serbia, nëse nuk do nuk merret kush me të, sepse po humbet vazhdimisht shumë energji koti e Serbinë, e në anën tjetër PAN, pastaj e shfrytëzon për patriotizëm. Thënë realisht patriotizëm mund të shesim, atëherë kur ti ndalojmë të rinjtë të mos ikin nga Kosova, kur t`iu ofrohen vende pune, dhe kur të kenë perspektivë për të jetuar këtu. Po ashtu këtyre personave duhet tu ofrojnë kushte të mira për zhvillim të biznesit, e pastaj të flitet. Këto janë prioritet që duhet ti ketë Kosova” ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat