Flet eksperti i sigurisë: Reagimi i Serbisë dëshmoi se ajo është e përfshirë në krimin në veri

Politika

Flet eksperti i sigurisë: Reagimi i Serbisë dëshmoi se ajo është e përfshirë në krimin në veri

Nga: G.B Më: 28 maj 2019 Në ora: 21:56
Fadil Kajtazi

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës ka filluar një aksion në veri, kundër korrupsionit, kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Në këtë aksion ku ishin dhe Njësia Speciale, u plagosën pesë policë dhe si pjesë e aksionit u arrestuan disa persona.

Lidhur me këtë aksion, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është me rëndësi që aksioni u zhvillua me urdhër të gjykatës dhe se reagimi i Serbisë tregon që ky shtet është i përfshirë në aktivitetet kriminale në veri të Kosovës.

“Është me rëndësi që aksioni i policisë tonë po zhvillohet me një urdhër të gjykatës, dhe ky është një veprim për zbatimin e ligjit, së dyti, mënyra e reagimit të Serbisë dëshmon edhe njëherë që ky shtet është i përfshirë në aktivitetet kriminale në pjesën veriore të Kosovës, dhe ky aksion demaskon politikën serbe si predikues të paqes”, është shprehur ai.

Sipas Kajtazit, sjellja e serbëve tregoi që Vuçiq dhe Daçiç janë trashëgues të politikës kriminale të Millosheviqit, ndërsa që aksioni vërtetoi profesionalizmin e Policisë së Kosovës.

“Kjo sjellje edhe njëherë vërteton se Vuçiq dhe Daçiç janë trashëguesit e politikës kriminale të Millosheviqit. Aksioni gjithashtu vërtetoi profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe rënien e përkrahjes së politikave serbe nga popullata lokale serbe e pjesës Veriore. Është shumë normale që Vuçiq të reagojë në mënyrën e vet nga se një pjesë e madhe të parave të qarkulluara nga kontrabanda përfundojnë në xhepat e tij dhe klanit që ai përfaqëson”, ka vlerësuar Kajtazi.

Ai thotë se situata nuk mund të përshkallëzohet për shkak të pranisë së KFOR-it dhe për faktin se popullata në pjesën veriore është e interesuar që të ketë rend dhe ligj.

“Edhe më herët kam konstatuar që situata nuk mund të përshkallëzohet ne nga shkaku i pranisë së KFOR-it dhe nga fakti se popullata e pjesës veriore është e interesuar që në atë pjesë më në fund të mbizotërojë rendi dhe ligji, sepse ata janë në hall nga strukturat kriminale të Vuçiqit të cilat po e terrorizojnë atë popullate”, ka deklaruar Kajtazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat