Policia e Kosovës demaskoi aktivitetet kriminale të Serbisë

Politika

Policia e Kosovës demaskoi aktivitetet kriminale të Serbisë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 29 maj 2019 Në ora: 07:45
Pamje nga aksioni i Policisë së Kosovës

Njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë, e vlerësojnë si të qëlluar aksionin e Policisë së Kosovës, për arrestimin e disa të dyshuarve për krim e kontrabandë. Ata thonë se aksioni i policisë ishte rutinor, ku u tregua forca Kosovës me mandat kushtetues për ta ushtruar autoritetin në tërë territorin.

Në mëngjesin e së martës Policia e Kosovës, nisi një aksion sipas urdhrit të Prokurorisë Speciale për kryerjen e kontrollit, bastisjeve të lokacioneve të caktuara dhe ndalimit të personave të dyshuar për krim të organizuar, kontrabandë marrje të mitos dhe shpërdorim të detyrës zyrtare në shtatë komuna në veri të Kosovës.

Ky aksion hasi në rezistencën e serbëve në Zubinpotok, Leposaviq dhe Mitrovicën e veriut. Madje, ndaj këtij aksioni të Policisë së shtetit të Kosovës, reaguan dhe zyrtarë të Serbisë, të cilët nuk i kursyen as kërcënimet me ushtri.

Njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë, e vlerësojnë si të qëlluar aksionin e Policisë së Kosovës, për arrestimin e disa të dyshuarve për krim e kontrabandë. Ata thonë se aksioni i policisë ishte rutinor, ku u tregua forca Kosovës me mandat kushtetues për ta ushtruar autoritetin në tërë territorin.

Haziri: Vuçiq me deklarata vetëm për konsum të brendshëm politik

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë për "Bota sot" se pjesa veriore e vendit është gjithmonë një potencial për destabilizim tash e 20 vite.

Sipas tij, kjo ndodhur sa herë që organet shtetërore ndërmarrin ndonjë aksion kundër strukturave të krimit të organizuar, që mbështeten fuqishëm nga Beogradi zyrtar, të cilat po ashtu kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit shtetëror të Kosovës në veri.

Image
Nexhat Haziri

“Mungesa e autoritetit shtetëror të Kosovës, ka krijuar një teren të përshtatshëm, që faktikisht kjo pjesë e vendit të jetë nën ndikimin e strukturave paralele serbe, që faktikisht këto struktura kanë pushtetin real në katër komunat veriore të vendit. Ndërsa sa i përket asaj të mobilizimit të ushtrisë së Serbisë dhe policisë dhe kërcënimit me ndërhyrje nga presidenti serb Vuçiq, janë deklarata vetëm për konsum të brendshëm politik në Serbi dhe për ta vazhduar mashtrimin e qytetarëve serb në Kosovë, që ua bën Beogradi zyrtar, gjoja për mbrojtjen e tyre. Jam i bindur se edhe vet presidenti Vuçiq e di se intervenimet e tilla janë vetëm iluzion, por që ndikojnë në destabilizimin e brendshëm të vendit tonë, në raport me minoritetin serb”, është shprehur opinionisti Haziri.

Tahiri: Fatmirësisht situata u mbyll vetëm me deklarime verbale të Serbisë

Kurse, politologu Ramush Tahiri, ka pohuar se teorikët e ndryshëm, thanë se aksioni i Policisë së Kosovës, ishte vetëm fillimi i zbatimit të një skenari për ndarjen e Kosovës.

Ai ka thënë, se sipas një marrëveshje të fshehtë të arritur ndërmjet presidentëve Thaçi dhe Vuçiq, që në pamundësi të fitojnë përkrahje legale e institucionale në Kosovë e Serbi për caktimin e një kufiri të ri, do të provokonin konflikt dhe vënie përpara një akti të kryer.

Image
Ramush Tahiri

“Konkretisht Policia e Kosovës do të haste në rezistencë të armatosur dhe të kishte të vrarë e të plagosur. Serbia do ti fuste trupat e policisë dhe ushtrisë në Kosovë që do të vendoseshin në vijën e ndarjes dhe fatmirësisht gjendja nuk shkoi në këtë drejtim. Por aksioni i policisë ishte rutinor, pamë një tregim të forcës për të treguar se Kosova ka mandat dhe mundet efektivisht të ushtrojë aktivitetin në seancën pjesëmarrëse të Kosovës. Gjithashtu KFOR-i u deklarua se është i njoftuar dhe se kjo është në kuadër të mandatit të Policisë së Kosovës, ndërsa KFOR-i do të vihej në lëvizje nëse në territorin e Kosovës, hyn një ushtri e huaj, gjë që nuk ndodhi. Situata u mbyll vetëm me deklarime verbale të Serbisë dhe me propagandë mediatike”, ka thënë politologu Ramush Tahiri.

Krasniqi: Përse Kosova gjithmonë duhet të tolerojë kriminel serb?

Nga ana tjetër, politologu Faik Krasniqi ka pohuar se Kosova nuk duhet të destabilizohet për shkak të aksioneve të policisë së Kosovës, për të arrestuar kriminelë në pjesën veriore të Kosovës.

Image
Faik Krasniq

“Lind pyetja se përse Kosova gjithmonë duhet të tolerojë kriminel serb, dhe këtë e bën vetëm për shkak të hatrit të Serbisë dhe për shkak të tolerimit prej dy dekadash ndaj kriminelëve serb. Padyshim që kjo ka qenë edhe interes i politikanëve tanë për shkak të mundësisë së kontrabandës dhe aktiviteteve kriminale, veriu i Kosovës është bërë Kolumbia e Ballkanit. Serbia nuk është e çmendur që të futet ushtarakisht në Kosovë, sepse sigurinë e Kosovës e kanë në mbikëqyrje forcat e NATO-së. Ato deklarata janë për konsum të brendshëm politik”, është shprehur politologu Faik Krasniqi.

Kajtazi: Aksioni vërtetoi edhe njëherë profesionalizmin e Policisë së Kosovës

Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi, ka pohuar se aksioni policor i Kosovës, vërtetoi profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe rënien e përkrahjes së politikave serbe nga popullata lokale serbe e pjesës Veriore.

Image
Fadil Kajtazi

“Është me rëndësi që aksioni i policisë tonë po zhvillohet me një urdhër të Gjykatës, dhe ky është një veprim për zbatimin e ligjit, së dyti, mënyra e reagimit të Serbisë dëshmon edhe njëherë që ky shtet është i përfshirë në aktivitetet kriminale në pjesën veriore të Kosovës dhe ky aksion demaskon politikën serbe si predikues të paqes”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, kjo sjellje edhe njëherë vërteton se Vuçiq dhe Daqiq janë trashëguesit e politikës kriminale të Millosheviçit.

“Është shumë normale që Vuçiq të reagojë në mënyrën e vet nga se një pjesë e madhe të parave të qarkulluara nga kontrabanda përfundojnë në xhepat e tij dhe klanit që ai përfaqëson. Edhe më herët kam konstatuar që situata nuk mund të përshkallëzohet më nga shkaku i pranisë së KFOR-it dhe nga fakti se popullata e pjesës veriore është e interesuar që në atë pjesë më në fund të mbizotërojë rendi dhe ligji, sepse ata janë në hall nga strukturat kriminale të Vuçiqit të cilat po e terrorizojnë atë popullatë”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi.

Tërnava: Policia e Kosovës, sipas kushtetutës është e obligueshme që në tërë territorin e Kosovës ta ruaj rendin dhe qetësin publik

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë Hajrrullah Tërnava, ka thënë se Policia e Kosovës, sipas kushtetutës është e obliguar që në tërë territorin ta ruaj rendin dhe qetësinë publike.

Image
Hajrrullah Tërnava

“Kosova nuk destabilizohet me këso veprime, përkundrazi nëse luftohet krimi i organizuar në çdo cep të Kosovës sikur në këtë rast në veri, dhe pjesë tjera të Kosovës, qytetareve të vendit shumë shpejt do tu hapej dera në BE që është edhe ëndërr e kamotshme e popullit të Kosovës, si kushtin më të rëndësishëm që BE-ja po e pret nga Kosova. Mobilizimi i ushtrisë dhe policisë të Serbisë është një farsë politike mashtruese e manipulimit të popullit të saj në Serbi, për qëllimet politike që i bënë ajo qeveri për arritjen e efekteve për qëllimet e saja”, ka thënë Tërnava.

Ai ka pohuar se Serbia nuk ka se çka të shqetësohet si për këtë rast, kur policia e Kosovës e lufton krimin e organizuar në shtetin e saj, sepse Kosova që nga viti 1999 sipas marrëveshjes së Kumanovës, është shtet i pavarur dhe sovran, dhe me vendimin e Gjyqit të Drejtësisë Ndërkombëtare.

“Dihet që Kosovës iu ka konfirmuar e drejta në pavarësimin e saj, dhe sikur që më 17.02.2008, Kosova u shpall shtet i Pavarur, që deri më sot pavarësinë e sajë, e kanë njohur 116 shtete. Është e njohur se në Kosovë ekzistojnë edhe forcat ndërkombëtare të KFOR-it dhe NATO-së, dhe po të ishte diçka jo e zakonshme, intervenimi dhe luftimi i krimit të organizuar në veri, këto forca nuk do e lejonin një intervenim të tillë. Prandaj, ne nuk duhet të merremi me atë se çfarë politika zhvillon Vuçiqi në Serbi, dhe as në shtetet tjera si fuqi që kufizohemi me to. Neve na intereson ta luftojmë krimin në tërësi atje ku ekziston në territorin e Kosovës, dhe të jemi shembull për të mirë të jetësimit të ligjshmërisë në Kosovë. Vetëm kështu Kosova mund të ecë si e suksesshme drejt qëllimeve të saj, për në BE”, është shprehur njohësi i çështjeve të sigurisë Hajrrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat