Koalicioni PAN drejt fundosjes, elektorati përkrah LDK-në dhe Vetëvendosjen

Politika

Koalicioni PAN drejt fundosjes, elektorati përkrah LDK-në dhe Vetëvendosjen

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 29 maj 2019 Në ora: 10:32
Qeveria e Kosovës

Partitë politike opozitare kanë filluar t`i konkretizojnë hapat e ngritjes së mocionit për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. I alarmuar se opozita po ia lëkundë karrigen e Kryeministrit, Ramush Haradinaj, në një tubim deklaroi se partia e tij, AAK ka shënuar rritje. Por, kështu nuk mendojnë përfaqësues të partive të tjera dhe njohës të rrethanave politike në vend. Të prononcuar për gazetën “Bota sot”, ata kanë deklaruar se LDK prinë në të gjitha sondazhet, ndërsa kanë parashikuar një koalicion qeverisës ndërmjet kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryeministri i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, deklaroi në një tubim se partia të cilën e udhëheq që prej themelimit të saj, ka shënuar rritje. Sipas tij, kjo rritje vjen pasi qeveria të cilën e udhëheq ka qenë në shërbim të qytetarëve më shumë nga ç’kanë qenë qeveritë e mëparshme.

Por, jo të gjithë mendojnë si kryeministri Haradinaj.

Gecaj: Në të gjitha sondazhet LDK del të jetë partia e parë në vend

Image
Bajram Gecaj

Ish-zëvendësministri i qeverisë së mëparshme, respektivisht qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, Bajram Gecaj, theksoi se në të gjitha sondazhet, LDK-ja del të jetë partia e parë në vend.

Por, përtej kësaj, Gecaj, pohoi se LDK-ja nuk duhet të mbështetët në sondazhe, por të punoj për ngritjen e vetëdijes se qytetarëve, si e vetmja mënyrë për përmbysjen e qeverisë aktuale.

“Në të gjitha sondazhet LDK del të jetë partia e parë në vend, edhe pse ne nuk duhet të mbështetemi vetëm në sondazhe por duhet të punojmë shumë në ngritjen e vetëdijes së elektoratit për një votë të fuqishme, e cila do të përmbysë një herë e përgjithmonë këtë klasë të korruptuar e kriminale dhe të nxjerrim një shkollë të re qeverisëse, ku do të sundoj rendi e ligji”, tha Gecaj.

Ai, shtoi se partitë në pushtet do të kenë rënie të përkrahjes.

“Unë dua të besoj se partitë në pushtet do të kenë rënie serioze të përkrahjes, posaçërisht marrë parasysh këtë qeverisje më të mbrapshtë që ka pasur ndonjëherë ky vend”, tha Gecaj.

Sherifi: Synojmë 10 mandate

Image
Bilall Sherifi

Nga ana tjetër, Bilall Sherifi, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e partisë Nisma Social Demokrate, për “Bota sot”, u shpreh me siguri të plotë se në zgjedhjet e ardhshme, partia së cilës i përket, do të jenë me shumë se 10 deputet.

“Mund të ju them me siguri të plotë se NISMA Socialdemokrate kurdo që do të mbahen zgjedhjet do të fitojë mbi 10 mandate!”, tha shkurt Sherifi.

Kuçi: PSD po vazhdon zgjerimin

Image
Natyra Kuqi

Kurse, Natyra Kuqi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate, për “Bota Sot”, tha se PSD-ja, vazhdon të angazhohet në shtrirje dhe zgjerim.

Sipas saj, në vazhdimësi ka rritje të mbështetjes ndaj PSD-së.

“PSD është e angazhuar fuqishëm në shtrirje dhe zgjerim në gjithë vendin. Tashmë kemi rifunksionalizuar shumicën e degëve dhe jemi duke rifunksionalizuar edhe nëndegët. Ajo çfarë kemi parë gjatë aktivitetit në terren është rritje e vazhdueshme e mbështetjes. Dhe natyrisht që presim që ky trend të vazhdojë, pasi që puna dhe angazhimi është çdo herë më i madh”, tha ajo.

Dauti: Haradinajt nuk i ndihmon as taksa

Image
Daut Dauti

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike ndërkombëtare, Daut Dauti, për “Bota Sot”, tha se kryeministri Ramush Haradinaj me partinë e tij ka fituar një popullaritet për shkak të taksës ndaj mallrave serbe.

“Ndoshta në ndonjë lokacion të ndonjë komune partia e tij është rritur me 20% por në rrafshin kombëtar kjo parti vështirë se ka shënuar ndonjë rritje serioze”, tha ai.

Kjo qeveri, megjithatë, sipas Dautit, nga populli identifikohet me korrupsion, ndërsa shtoi se qeveria e ardhshme do të krijohet nga partitë opozitare.

“Nëse e kemi parasysh reagimin e gjerë në Kosovë, krijohet një bindje se zgjedhjet e ardhshme i fiton Vetëvendosje në koalicion me LDK-në, pa asnjë dilemë”, tha Dauti.

Haziri: Opozita e tashme, qeveria e ardhshme

Image
Nexhati Haziri

Ndërkaq, analisti Nexhati Haziri, për “Bota Sot”, tha se deklarata e kryeministrit Haradinaj se AAK është në rritje, është dëshirë legjitime e z. Haradinaj por që është larg të qenit reale.

“Mbase edhe vet kryeministri Haradinaj e ka kuptuar më në fund se qeverisja e tij i ka ditët e numëruara dhe ai nuk është i duhuri për të vazhduar për të qenë kryeministër i vendit, dhe deklaratat e tilla shërbejnë për ta ngritur moralin te anëtarësia partiake”, tha Haziri.

Haziri është i mendimit se Kosovës i duhet një qeveri në të cilën nuk duhen të jenë pjesë e saj partitë që përbëjnë aktualisht koalicionin qeverisës PAN.

“Mendoj se një qeveri e ardhshme nga partitë që aktualisht e përbëjnë opozitën do të ishte një qeveri e qëndrueshme jo vetëm me shumicë parlamentare, por që ka vizion dhe program të qartë për ti adresuar dhe gjetur zgjidhje sfidave të shumta që ka vendi”, tha ai.

Kelmendi: Sondazhet flasin për rënie të PDK-së

Image
Jeton Kelmendi

Ndërkaq, Jeton Kelmendi, njohës i rrethanave politike, për “Bota Sot”, tha se sipas sondazheve që përcjell ai, AAK-ja, jo vetëm që s’ka shënuar rritje, po është duke pësuar rënie.

“Sipas disa kompanive me të cilat bashkëpunoj kam kuptuar se Aleanca e Haradinajt ka një rritje dhe sipas sondazheve të fundit, AAK, ka 16.3 përqind kundrejt Partisë Demokratike të Kosovës e cila është e treta me radhë me 16.8 përqind”, tha Kelmendi.

Ai, më tej, shtoi se duke iu referuar sondazheve të cilat i përcjell, del se LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje do të prijnë dukshëm në zgjedhjet e ardhshme.

“E dyta sipas sondazheve me 19.9 përqind Lëvizja Vetëvendosje si dhe 26.6 përqind e para Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkohë më pak 3 përqind mbesin partia e Behgjet Pacollit si dhe partia e Shpend Ahmetit”, tha ai.

Kelmendi, përfundoi duke thënë se kryeministri ka të drejtë t’ia bëj qejfin vetës.

“Kryeministri i Kosovës ka të drejtë të mendoj se ka bërë punë të mira dhe se ka vizione por se dorën në zemër nuk din as gjërat më themelore në politikë”, tha Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat