Dëshmi rrëqethëse për vrasjet e pasluftës: Vrasësit pushonin në restorantin e këtij ‘komandanti’

Politika

Dëshmi rrëqethëse për vrasjet e pasluftës: Vrasësit pushonin në restorantin e këtij ‘komandanti’

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 30 maj 2019 Në ora: 08:09
Shefqet Kabashi

Ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefqet Kabashi në një rrëfim televiziv ka tronditur qytetarët e Kosovës me disa deklarata. Ai ka përmendur edhe rastin kur atij i ishte dhënë urdhër nga komandanti që të vras gazetarin e “Bota sot”, Rrok Berisha. Komandanti i tij aso kohe ishte Alush Agushi.

Kabashi thotë se gazetarin Berisha nuk e kishte vrarë pasi ia njihte familjen.

“Rok Berisha ka pasur për të shkuar në Prishtinë, te qeveria e Ibrahim Rugovës për të parë se çka po ndodh. Ai ka shkruar në Jabllanicë dhe u ka thënë se e keni çu njeriun për ta vrarë. E morën vesh të gjithë që kam marrë urdhrin për ta vrarë”, ka treguar Kabashi.

Ai në këtë rast përmend edhe emrin e kryeministrit Ramush Haradinaj, për të cilin thotë se i kishte dërguar një letër për t’i treguar për urdhrin, por ky i fundit i kishte thënë se nuk është në dijeni për këtë rast.

Ndonëse Rrok Berisha i kishte shpëtuar këtij urdhri për vrasjen e tij, fatin e njëjtë nuk e kishin edhe dy gazetarët tjerë të “Bota sot”, tashmë të ndjerë, Bardhyl Ajeti e Bekim Kastrati. Të dy u vranë nga persona të caktuar, vrasja e të cilëve nuk u zbardh asnjëherë.

Gazeta ka provuar ta kontaktoj ish ushtarin e UÇK-së, Shefqet Kabashin, se cilat mund të kenë qenë arsyet për këtë urdhër-vrasje ndaj gazetarit Berisha, mirëpo ai nuk e ka komentuar më tutje këtë rast.

Kurse, Rrok Berisha për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore nuk ka pranuar të flas lidhur me këtë cështje.

Prokuroria nisë hetimet

Image
Hekrem Lutfiu

“Bota sot” ka pyetur edhe Prokurorinë e Shtetit nëse janë duke shqyrtuar deklaratat e Kabashit, dhënë në një intervistë televizive.

Hekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka thënë se menjëherë kanë filluar vërtetimin e këtyre deklaratave, e më pas për të ndjekur procedurat e nevojshme.

“Prokuroria Themelore në Pejë, pasi ka analizuar emisionin e televizionit T7, përkatësisht emisionin “Pressing”, ku mysafir ishte Shefqet Kabashi, për ketë rast me datën 29 maj të këtij viti, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, ka përpiluar një shënim zyrtar, me cilin ka hapur rast me qellim të verifikimit të informatave të lartcekurit, ku do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Naim Miftari: Në restorantin e Agushit u thurën shumë vrasje

Image
Naim Miftari

Ndërkaq, ish ushtari i UÇK-së dhe pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari ka thënë se këto deklarata janë të vërteta, madje ka njohuri për disa urdhra të tillë për vrasje.

“Pohimet e z. Kabashi që nuk e njoh fare janë shumë të besueshme dhe reale. Kisha punuar edhe vetë në atë kohë për t’i ndaluar me çdo kusht këta vrasës që ishin të lidhur thellë me politikë, me pushtet, por edhe të ndihmuar nga zyrtarët të korruptuar të UNMIK-ut”, thekson Miftari.

Ai më tutje tregon edhe për komandantin e aso kohe, Alush Agushin, për të cilin thotë se ishte mik i Presidentit Hashim Thaçi, Azem Sylës e Sabit Gecit.

“Alush Agushi (gjeneral Kerrhaqi) anëtar i shtabit të përgjithshëm, mik i Hashim Thaqit, Azem Syles dhe Sabit Gecit, përndryshe pronari i Restaurant Thanes afër Klinës, nga ku pas luftës u thurën shumë vrasje. Aty pushonin vrasësit e Llapit dhe Drenicës (gupi i A_S dhe i Rudit R_ SH) aty ju silleshin armët dhe radiolidhjet, aty vrasësit i ndërronin numrat e telefonave kur u nisni killerat për të vrarë në Dukagjin dhe Drenicë e Llap”, rrëfen Miftari.

Ai thotë më tutje se po në atë vend filluan vrasjet e Smajl Hajdarajt, Tahir Zemës e të tjera vrasje të pasluftës.

“Nga aty u nisën ta vrisnin Smajl Hajdarin, Tahir Zemen dhe shumë vrasje tjera. Policia ndërkombëtare, KFOR-i britanez, por edhe policia e Kosovës, kishin shumë informacione të sigurta dhe qindra përgjime të telefonave të tyre dhe bisedave. Kur të bien për toke klani Pronto, me dosta të tyre ato hetime, incizime, raporte do të dalin në publik dhe në prokurori pa u keqpërdorur”, thotë ndër të tjera Naim Miftari.

Naim Miftari deri më tani disa herë ka përmendur vrasjet e pasluftës, personat që mund të kenë qenë të involvuar dhe disa raste si kanë ndodhur. Miftari ka qenë kritik ndaj njerëzve në pushtet, duke thënë se ata ishin në dijeni për shumë vrasje, e madje edhe se i kanë dhënë vetë disa urdhër-vrasje.

Haziri: Gazeta “Bota sot” të jetë shënjestër e grupeve kriminale

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se deklarata e tilla të Kabashit, e pasqyrojnë një pjesë të errët të drejtësisë në Kosovë, e cila është e ndikuar po nga të njëjtit njerëz që kanë dhënë urdhra për vrasje të tilla.

“Deklarata e Shefqet Kabashit dhënë një televizioni, ku deklaroi se i është dhënë një urdhër për vrasjen e një gazetari të Gazetës “Bota Sot”, por edhe për ngjarje të tjera që lidhën me historinë më të re të Kosovës që ka të bëjë me periudhën e luftës, është realitet i një pjese të errët të kësaj historie të cilën drejtësia në Kosovë e ndikuar nga po të njëjtit njerëz që kanë urdhëruar për vrasje të gazetarëve, por edhe të personaliteteve ushtarake, siç ishte vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit e të tjerëve, nuk ka lejuar për të hedhur dritë dhe urdhërdhënësit,si ajo për vrasjen e gazetarit të “BOTA SOT” ta marrin dënimin e merituar si kriminel”, thekson Haziri.

Haziri thotë se mosndëshkimi i tyre ka bërë që gazeta “Bota sot” të jetë shënjestër  e grupeve kriminale, siç u vranë gazetarët Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, e po ashtu edhe akti i përgatitur terrorist nga Jeton Lleshi në Cyrih.

“Mos ndëshkimi i tyre ka bërë që gazeta “Bota Sot” të jetë për një periudhë të gjatë si shënjestër e grupeve kriminale, në tentim për ta vrarë fjalën e lirë dhe të vërtetën, siç ishte rasti për vrasjen e Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit, por akti terrorist i Jeton Leshit në Cyrih ndaj redaksisë së kësaj gazete”, thotë Haziri.

Ai thotë më tutje se deklaratat e z. Kabashi janë rrëfim autentik se si kanë funksionuar një pjesë e “komandantëve” të UÇK-së në zona të caktuar.

“Të cilët gjoja si “luftëtarë lirie” kanë planifikuar vrasjen e personaliteteve politike të cilët i kanë parë si pengesë për t’i realizuar ambiciet e tyre për pushtet dhe plaçkë, e që këto plane për vrasje i kanë realizuar edhe pas mbarimit të luftës ku janë vra personalitete të shquara të jetës politike dhe shoqërore të vendit”, thotë analisti Nexhat Haziri.

Shefqet Kabashi në këtë intervistë televizive kishte folur edhe për vrasje të tjera të pasluftës, e madje thotë se ishte i ftuar edhe nga Gjykata Speciale për të dëshmuar për këto vrasje. Mirëpo ai thotë se kishte refuzuar këtë ftesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat