Rugova: BE dështoi me dialogun, taksa të mos hiqet deri në arritjen e qëllimit

Politika

Rugova: BE dështoi me dialogun, taksa të mos hiqet deri në arritjen e qëllimit

Nga: G.B Më: 31 maj 2019 Në ora: 15:15
Naser Rugova

Zyrtarët e lartë të BE-së për politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe komisioneri Johanes Hahn kanë kërkuar sërish nga Kosova heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe që të vazhdojë dialogu.

Derisa kanë prezantuar raportin vjetor të Komisionit Evropian, derisa thanë se Kosova duhet të heq tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa Serbia duhet të krijojë ambient më të përshtatshëm për vazhdimin e dialogut.

Për këtë, kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me shefen e BE-së, Natalya Apostolova që ia dorëzoi raportin e KE-së, të gjeturat i quajti të përziera, ndërsa sa i përket taksës tha se nuk do të hiqet pa njohje nga Serbia.

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se BE që po e kërkon vazhdimin e dialogut, ka dështuar në menaxhimin e këtij dialogu.

“BE-ja vazhdimisht ka kërkuar këta muajt e fundit vazhdimin e dialogut, si ndërmjetësuesja kryesore e këtij procesi, vlerësoj se ka dështuar në menaxhimin e këtij dialogu. BE duhet t’i trajtojë të dyja palët, duhet të respektohet parimi i reciprocitetit, nëse nuk ndryshohet qasja dhe koncepti i ndërmjetësimit vështirë se mund të priten rezultate konkrete”, është shprehur ai.

Sa i përket taksës, Rugova thotë se kur ajo vendoset nga një shtet sovran, duhet të qëndrojë deri në arritjen e objektivit.

“Unë mendoj se pas vendosjes së taksës nga qeveria e një shteti sovran, ajo duhet të qëndrojë deri sa të arrihet objektivi që qeveria i ka parashtruar vetes me këtë vendim”, ka deklaruar deputeti Rugova për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat