Të rrezikshmit që po e shkatërrojnë ekonominë e Kosovës

Politika

Të rrezikshmit që po e shkatërrojnë ekonominë e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 qershor 2019 Në ora: 15:40
Qeveria Haradinaj

“Ç' punë mund të bëjnë pesë, gjashtë zëvendës ministra përveç punëve të pista, harxhimeve të kota parash nga fondet e ndryshme qeveritare. Zëvendësministrat e Kosovës mund t'i krahasojmë si ogiça të rrezikshëm të Kosovës të cilët vetëm dëmtojnë e shkatërrojnë ekonominë e Kosovës e asgjë tjetër”, ka thënë profesor Sulejman Mehazi.

Numri i madh i zëvendësministrave që rrinë kot, është zhvatja kryesore e buxhetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kjo ka bërë që Qeveria e Kosovës të nisë hartimin e Ligjit për Qeverinë, i cili parasheh që qeveria e Kosovës të ketë më së shumti 14 ministri, shkruan “Bota sot”.

Analistët konsiderojnë se Qeveria e Kosovës nuk duhet assesi t`i ketë më shumë se 10 ministri.

Kujtojmë se, aktualisht shumica e dikastereve të Qeverisë së Kosovës, kanë nga 5 apo 6 zëvendësministra, performanca e të cilëve rrallë herë del në shesh.

Nëse nuk aprovohet Ligji për zvogëlimin e zv/ministrave, buxheti i Kosovë do të vazhdoje të zhvatet pamëshirshëm nga partitë politike.

Gashi: Numri i madh të ministrive buron nga koha e UNMIK-ut

Avokati Tomë Gashi, lidhur me këtë cështje, ka thënë për “Bota sot” , se Ligji për zvogëlimin e ministrive dhe të zv/ministrave, duhet patjetër të aprovohet, kjo për faktin se me këtë ligj ndalohet edhe numri kaq i madh i ministrave.

Image
Tomë Gashi

“3 herë Qeveria e Kosovës, ka më shumë ministra sesa që ka Japonia, që është një ndër shtetet super më të zhvilluar. Dhe kur vije tek zhvatja, apo vjedhja e taksës së popullit më të varfër në Evropë, pra vjedhja e buxhetit të shtetit atëherë të gjitha Qeveritë që nga viti 2008 edhe pse e shanë UNMIK-un. Thonë se ky prognozim me Mega numër të ministrave është faktikisht që nga koha e UNMIK-ut, kur ata e dizajnuan dhe e caktuan numrin e ministrave e që janë 21 ministri. Dhe që të jetë edhe më keq sot kemi rreth 100 zv/ministra e që ata janë të emëruar vetëm për ti punësuar militantet e partive në pushtet dhe për favore të shumta të natyrës private”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Sipas tij, që të jetë qershia mbi tortë për zhvatje pa mëshirë të buxhetit të shtetit tonë të varfër, e tregon edhe fakti që edhe pas 20 vjet pas lufte Kosovës, po i siguron ujë të pijshëm shteti zviceran.

“Ne e kemi të emëruar numrin e pa kufizuar të këshilltarëve në Qeverinë e Kosovës e që janë disa qindra të tillë, numrin e saj thuajse nuk e din askush. Dhe për të gjitha këto dhe një milion arsye tjera duhet me ligj të përcaktohet numri i ministrive dhe numri i zv/ ministrave së bashku, në mënyrë që ky numër të jetë absolutisht në përpjesëtim me territorin dhe numrin e banorëve të Kosovës, dhe me ligj të përcaktohet ky numër shumë herë më i vogël se që është tani. Pa dyshim se me kësi mentaliteti nuk shkon, ashtu siç ka thënë edhe Ambasadori Kroat në Kosovë : “Politikanët e Kosovës e trajtojnë Kosovën si lopë për ta mjelë, por të cilën se ushqejnë fare”. Me siguri që numri shumë herë më i vogël i ministrave e zv/ministrave dhe këshilltarëve të tyre të panumërt do të bëjnë që Kosova, me politikan të tjerë, e jo me këta që i kemi provuar për 20 vjet, të mbijetojë dhe të bëhet sado pak shtet normal”, është shprehur avokati Tomë Gashi.

Burjani: Keqpërdorimi kryesor i buxhetit të qytetarëve në vend

Njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot” se numri i madh i këtyre zëvendësministrave është keqpërdorimi kryesor i buxhetit të qytetarëve në vend.

Sipas tij, këto para do të duhej të shkonin diku ku ka më shumë nevojë se sa, në vend që këta njerëz të marrin paga koti, duke ndenjur nëpër karrige duke harxhuar nëpër shëtitje luksi.

Image
Blerim Burjani

“Këto para të shpenzuar nga buxheti i Kosovës shumë më mirë do të ishte sikur të shkonin e të shpenzoheshin për çështje tjera të shumta që ka shteti. Mendoj se shume më mirë do të ishte, që këto para të shkojnë për SOS Kinderdorf (Fshatrat e fëmijëve ) për fëmijët bonjak, se sa për disa individ që punojnë në qeveri, dhe që nuk kanë idenë fare as se çka flasin, dhe çfarë bëjnë. Por, të tillët dihet se i ka dërguar partia PAN, me marr para koti në ‘kokërr të shpinës’ siç thotë populli, duke mos bërë asgjë të nevojshme për shtetin. Pra ka shumë gjëra të këqija në këtë qeveri të quajtur PAN, duke filluar nga skandalet e shumta e deri tek shpenzimet e parave të rezerva deri në fund”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, kjo nuk është aspak e drejtë kur shumë njerëz rrinë kot dhe paguhen me paga të majme.

“Secila ministri dihet se i ka nga 5 deri në 6 zëvendësministra, andaj kjo është katastrofike për një shtet të varfër, që qytetarët e saj jetojnë, shumica prej 250 eurove deri në 300 euro, e që janë të katandisur në sektor privat. Qeveria e Kosovës nuk duhet assesi t`i ketë më shumë se 10 ministri, me nga 2 zëvendës ministra dhe 3 këshilltar politik. Pra ka deformim të vazhdueshëm dhe zhvatje të madhe të parasë publike të kontrollit të madh të asetëve publike, dhe kjo gjendje e mjerë vazhdon që 20 vjet pas luftës. Në asnjë mënyrë shteti nuk po arrin të konsolidohet, madje nuk po arrin as gjerë tek minimalja, për t`i zgjidhur problemet në fushën e shëndetësisë apo sigurimin shëndetësor adekuat dhe mbrojtje efektive sociale ashtu siç do të duhej”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani.

Krasniqi: Duhet të aprovohet ligji për zvogëlimin e ministrive dhe të zv/ministrave

Ndërsa politologu Faik Krasniqi ka thënë se Kosova është vend i vogël që të ketë kaq shumë ministri dhe armatë të madhe të zv/ministrave të cilët janë të panevojshëm.

Image
Faik Krasniqi

“Të tillët janë vetëm ngarkesë të buxhetit të shtetit dhe asgjë më shumë, pasi është absurde që në çdo ministri të ketë nga 5-6 zv/ministra, një zv/ ministër për çdo ministri do të ishte e mjaftueshme. Numri i madh i zv/ministrave është bërë për t’i rehatuar anëtarët e partive politike. Prandaj edhe shpikin poste tjera, si p.sh koordinator në çdo ministri e shumë tjerë. Duhet të aprovohet ligji për zvogëlimin e ministrive dhe të zv/ministrave, përndryshe, buxheti i Kosovës do të vazhdojë të zhvatet pamëshirshëm nga partitë politike”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Mehazi: Ç'punë mund të bëjnë pesë, gjashtë zëvendës ministra përveç punëve të pista

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka pohuar se zv/ministrat janë ogiçat më të rrezikshëm të Kosovës.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës më shumë ushtron poste ministrore, sesa mirëqenie shtetërore e popullore

Image
Sulejman Mehazi

“Llogariteni çfarë shteti është Kosova, çdo dikaster ministror ka nga pesë apo gjashtë zëvendësministra. Se në planë të parë janë interesat partiake të tyre, sesa shtetërore se pazaret koalicionuese për zëvendësministra janë në dëm të Kosovës, qeverisë e në dobi të dembelëve të korruptuarve të Kosovës. Dikasteret ministrore kanë kuptime operative të punës e jo të zëvendësministrave të pa punë që kënaqen duke e shfrytëzuar pushtetin pa fije angazhimi. Ç' punë mund të bëjnë pesë, gjashtë zëvendës ministra përveç punëve të pista, harxhimeve të kota parash nga fondet e ndryshme qeveritare. Zëvendësministrat e Kosovës mund t'i krahasojmë si ogiça të rrezikshëm të Kosovës të cilët vetëm dëmtojnë e shkatërrojnë ekonominë e Kosovës e asgjë tjetër”, ka thënë profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat