Metamorfoza e Hashim Thaçit për taksën

Politika

Metamorfoza e Hashim Thaçit për taksën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 qershor 2019 Në ora: 07:48
Hashim Thaçi

“Është e diskutueshme nëse Beogradi do të vazhdojë bisedimet pa hequr taksën. Theksi që vë presidenti Thaçi duket se ka për qëllim që të shkarkojë barrën e tij te kryeministri Haradinaj për këtë çështje. Ndonëse, thotë se taksën e kanë vënë Enver Hoxhaj ose Kadri Veseli, me qëllim që t’i transferojë meritat për të te PDK-ja, ndërsa i ka bërë presion kryeministrit disa herë live që ta heqë taksën e "të mos i tensionojë marrëdhëniet e Kosovës me miqtë e saj", tani ka shfaqur një qëndrim krejt të kundërt”, ka thënë profesor prof. dr. Enver Bytyçi.

Këshilltarët e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, kanë ardhur me disa mesazhe të qarta në Prishtinë, ku në të gjitha takimet me liderët institucionalë të Kosovës, ata kanë theksuar se Samiti i Berlinit dhe ai i Parisit nuk kanë për qëllim të marrin rolin e lehtësuesit të dialogut apo të zëvendësojnë rolin e BE-së.

“Ne dëshirojmë të mbështesim BE-në për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, kanë thënë ata në takim me liderët politikë të Kosovës.

Makolli: Unitet është më se i nevojshëm gjatë takimit të Parisit me 1 Korrik

E në lidhje me këtë Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli ka thënë për “ Bota sot” se stabiliteti i Ballkanit i kësaj pjesë të trazuar të Evropës varet shumë nga zgjidhja e "nyjës gordiane" mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, faktori relevant ndërkombëtar po tregon angazhim të madh këtë vit dhe seriozitet për zgjidhjen e problemit shekullor shqiptaro-serb me organizimin e takimit të Berlinit, si dhe vizitën e ditë më parë të komisionit miks gjermano-francez si uverturë e takimit të ardhshëm në Paris.

Image
Vesel Makolli

“Edhe pse delegacioni gjermano-francez kanë theksuar se Samiti i Berlinit dhe ai i Parisit nuk kanë për qëllim të marrin rolin e lehtësuesit të dialogut apo të zëvendësojnë rolin e BE-së, por dëshirojnë të mbështesin BE-në për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, megjithatë ndikimi i faktorit relevant ndërkombëtar, sidomos i SHBA-as, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Francës do të jetë më se evident gjegjësisht vendimtar. Faktorit politik në Kosovë më shumë se kurrë i nevojitet uniteti i plot koncensual për zgjidhjen e problemit jetik të shtetit të Kosovës”, ka thënë Makolli.

Ai konsideron se ky unitet është mese i nevojshëm gjatë takimit të Parisit me 1 Korrik.

“Është non-sens për neve, si qytetarë të Kosovës nëse tek miqtë tanë kemi koordinim të plot për përkrahje, kurse në mes liderëve tanë ka kakofoni në qëndrime. Pra vizita e delegacionit mikës gjermano-francez duhet të na shërbej për ta unifikuar qëndrimin tonë pa ekuivokë për tërësinë territoriale të Kosovës, për njohje të ndërsjellta në mes të dy shteteve tona, si dhe ulësen e dytë shqiptare në OKB”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm në AKR Vesel Makolli.

Bytyçi: Metamorfoza e Thaçit është krejt për interesa elektorale dhe personale të tij

Kurse, profesor Enver Bytyçi, ka thënë se vizita e delegacionit qeveritar nga Gjermania dhe Franca, është cituar të jetë në kuadrin e përpjekjeve të këtyre dy vendeve për ta vijuar më tej dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, nga deklaratat e krerëve politikë të Kosovës kuptohet se në Paris në datat 1 dhe 2 korrik do të rifillojë ky dialog.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

“Të bën përshtypje fakti se presidenti Thaçi pas takimit ka përmendur në çdo paragraf të prononcimit të tij se "Kosova nuk do të heqë taksën me qëllim që t’i hapet rruga dialogut" në fakt me taksën ose më saktë me mos heqjen e saj ai po operon në diskursin e vet që prej kohës kur u bë Samiti i Berlinit. Kësaj radhe ka pranuar se BE-ja po vepron në harmoni me SHBA-të, ndërkohë që para pak kohësh bëri kritika të rrepta për atë që ai r quante "mos koordinim të Gjermanisë me SHBA-të". Ndërsa kryeministri Haradinaj në deklaratën e tij nuk përmend fare çështjen e taksës për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Përkundrazi, ai thekson se "Kosova është gati për marrëveshje gjithëpërfshirëse, për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë aktualë, dhe mirëpresim fokusin e Gjermanisë dhe Francës për të rikthyer dialogun në binarët e duhur". Ndërkaq anëtarët e delegacionit të dy shteteve themeluese dhe kryesuese të BE-së, Gjermanisë e Francës, kanë theksuar se Parisi dhe Berlini kanë vetëm rol ndihmës dhe duan që ta lehtësojnë dialogun midis dy vendeve të drejtuar nga Brukseli”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, nga e gjithë kjo panoramë deklarimesh e pikëpamjesh merret vesh se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit do të fillojë në Paris, por do të vijojë në Bruksel, sigurisht pasi që Bashkimi Evropian të themelojë institucionet e reja pas zgjedhjeve parlamentare të tij të muajit të kaluar.

“Duhet pritur se kush do të jetë shefi i ri për Siguri dhe Politika të Jashtme të BE-së, me qëllim që të kuptojmë gjithashtu se si do të shkojë dhe si do të orientohet dialogu midis dy vendeve. Megjithatë, mund të besohet se në Samitin e Parisit do të hidhen modalitetet e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Si modalitete ka shumë mundësi të përfshihet mbrojtja e kulturës dhe objekteve të kultit ortodoks të Serbisë në Kosovë si dhe mundësia që komunat serbe të kenë autonomi të gjerë në vendimmarrje për çështjet jetike si planifikimi hapësinor, arsimi, shëndetësia, punësimi, etj. Është e diskutueshme nëse Beogradi do të vazhdojë bisedimet pa hequr taksën. Theksi që vë presidenti Thaçi duket se ka për qëllim që të shkarkojë barrën e tij te kryeministri Haradinaj për këtë çështje. Ndonëse, thotë se taksën e kanë vënë Enver Hoxhaj ose Kadri Veseli, me qëllim që t’i transferojë meritat për të te PDK-ja, ndërsa i ka bërë presion kryeministrit disa herë live që ta heqë taksën e "të mos i tensionojë marrëdhëniet e Kosovës me miqtë e saj", tani ka shfaqur një qëndrim krejt të kundërt”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai konsideron se metamorfoza e Thaçit është krejt për interesa elektorale dhe personale të tij, pasi presidenti i Kosovës nuk ka asgjë të bëjë me interesin e Kosovës.

“Mbetet për t'u parë se cili do të jetë qëndrimi i kryeministrit për çështjen e taksës. Ndoshta ai mund ta kushtëzojë taksën me liberalizimin e vizave dhe nëse ndodh kjo, atëherë taksa do të vijojë të qëndrojë së paku deri në vjeshtën e ardhshme. Edhe bisedimet mendoj se do të vazhdojnë në shtator e tutje, sepse nuk mund të realizohet asnjë lloj dialogu më me pjesëmarrjen e Mogherinit. Qeveria e Kosovës duhet ta refuzojë kategorikisht pjesëmarrjen e saj. Nga ana tjetër qeveria duhet të insistojë të marrë drejtimin e dialogut dhe ta mënjanojë në këtë proces presidentin e vendit. Kjo është e domosdoshme me qëllim që të mos përsëriten më përpjekjet për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Blakaj: Ky është një shansi më i mirë për Kosovën

Në lidhje me këtë çështje njohësi i Integrimeve Evropiane, Sami Blakaj, ka thënë se vizita e delegacionit Gjermano-Francez në Prishtinë është një hap pozitiv drejt Samitit të Parisit.

Ai vlerëson se kjo vizitë ndër-qeveritare tregon edhe njëherë përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Francës për arritjen e një marrëveshje përfundimtare Kosovë - Serbi, marrëveshje kjo e karakterit gjithëpërfshirës dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja vendet.

Image
Sami Blakaj

“Konsideroj se angazhimi shtesë i Gjermanisë dhe Francës në këtë proces dialogues të udhëhequr nga BE, ka në fokus jo vetëm rifillimin e fazës finale të bisedimeve, por njëkohësisht edhe monitorimin e këtij procesi, duke mos lejuar për asnjë moment që bisedimet Prishtinë-Beograd të dalin nga binarët. Duhet ditur se tashmë jemi në fazën finale dhe Kosova nuk ka kohë më për të humbur. Samiti i Berlinit duhet të jetë shkollë për lidershipin e Kosovës dhe se çakordimi i treguar në Berlin në mes të presidentit dhe kryeministrit të Kosovës assesi nuk guxon të përsëritet”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij, tashmë jemi në prag të Samitit të Parisit dhe ky është një shans i mirë për Kosovën për të treguar qëndrueshmëri politike dhe unitet të brendshëm institucional dhe shtetëror karshi Serbisë, karshi vetë Francës dhe Gjermanisë.

“Unifikimi i liderëve institucionalë, koordinimi i agjendës nacionale dhe artikulimi i kërkesave shtetërore duhet të jetë ABC-ja e palës së Kosovës në tavolinën e Parisit dhe se preambula e agjendës së bisedimeve duhet të jetë paprekshmëria e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane, Blakaj.

Voca: Angazhimi i këtyre dy shteteve të BE-së, nënkupton edhe përshpejtim të zgjidhjes

Ndërsa, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka pohuar se këshilltarët e kancelarësh gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron kanë ardhur me disa mesazhe të qarta në Prishtinë.

Sipas tij, kjo për faktin se në të gjitha takimet me liderët institucionalë të Kosovës, ata kanë theksuar se Samiti i Berlinit dhe ai i Parisit nuk kanë për qëllim të marrin rolin e lehtësuesit të dialogut apo të zëvendësojnë rolin e BE-së.

Image
Mirsad Voca

“Çdo herë motoja e Merkel dhe Macron ka qenë: “Ne dëshirojmë të mbështesim BE-në për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, kanë thënë ata në takim me liderët politikë të Kosovës. Kurse tani bisedimet kanë rifilluar apo është ri formatuar natyra e bisedimeve me përfshirjen direkt të Francës dhe Gjermanisë si dy shtete anëtare të BE-së të cilat shtete e patën krijuar çiftin Franko-Gjerman rreth një ideje të bashkëpunimit ekonomik disa vite pas luftës së dytë botërore. Ideja thjeshtë do të mund të jetë që Serbia dhe Kosova të krijojnë një marrëveshje bazuar në çështje ekonomike me qëllim të një pajtimi politik definitiv. Besoj se bisedimet do të hyjnë në një fazë më serioze meqë angazhimi i krerëve Macron e Merkel, duket të jetë po ashtu serioz dhe sipas të gjitha gjasave këto dy personalitete respektivisht këto dy Shtete me peshë primordiale në BE, do dëshirojnë zgjidhje sa më të shpejt për këtë pjesë të Ballkanit ende me probleme politike klasike”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se angazhimi i këtyre dy shteteve të BE-së nënkupton edhe përshpejtim të zgjidhjes, sepse BE tani duket të jetë shumë më e interesuar që të përmbyll problemet e Ballkanit, përmes një marrëveshje të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Delegacioni gjerman dhe ai francez kanë udhëtuar për t’i dëgjuar palët dhe për të kuptuar pozicionin e tyre. Në Paris palët negociuese do të shfaqin qëndrimet e tyre ndërsa Gjermania dhe Franca të paraprirë nga përfaqësues të BE-së do të jenë aty për t’i ndihmuar palëve për të përafruar qëndrimet e tyre në këto negociata. Megjithatë, mendoj se do të ketë vështirësi në këtë drejtim meqenëse brenda vet palëve negociuese ka tashmë dallime në qëndrime sa i përket asaj se si do të dukej një zgjidhje finale. Në Samitin e Parisit i cili udhëhiqet nga Macron dhe Merkel, do të mund të kemi edhe fillimin e një zgjidhje përfundimtare Kosovë Serbi, përmes së cilës zgjidhje liderët e rajonit më shumë do të interesohen të fitojnë poena politik sesa që të jenë koshientë për zgjidhjen më të mirë apo kompromisin që pritet të bëhet në vazhdën e këtyre bisedimeve.”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane, Voca.

Sipas tij, nga rezultatet e këtyre bisedimeve në fakt, askush nuk mund të pretendoj të thirret si shpëtimtar apo fitimtar.

“Në këto negociata Kosova është prapë në pozitë të pafavorshme duke e ditur se Serbia nuk dëshiron t’ia di për ekzistencën e saj, ndërsa në anën tjetër në Kosovë Serbët kanë të drejta nga më të lartat në Evropë. Besoj se në asnjë mënyrë nuk do të duhej që Kosova të tkurrej apo të ofroj edhe më shumë të drejta Serbëve të Kosovës sepse nuk mund të ketë më shumë të drejta përveçse nëse Serbëve të Kosovës u dhurohet ndonjë status ekzekutiv që nënkupton de facto ndarje të Kosovës gjë që natyrisht do të shpinte në aksione të dhunshme”, ka thënë Voca.

Krasniqi: Pas zgjedhjeve në BE, formati i dialogut duhet të ndryshojë, përndryshe dialogu s'do të marr fund

Kurse, politologu Faik Krasniqi ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta qartësojë dialogun Kosovë-Serbi, sepse ka më shumë se 8 vite që zhvillohen bisedimet, dhe deri më tash asgjë nuk është arritur.

Image
Faik Krasniqi

“E gjithë kjo ka ardhur për fajin edhe të BE-se, për shkak të interesave personale të disa prej ndërmjetësuesve të tyre si Mogherini, që kishte agjendë të caktuar që duhej ta përmbushte, për interesa ruso-serbe. Pas zgjedhjeve në BE, formati i dialogut duhet të ndryshojë, në të kundërtën do të shkojnë edhe dekada të tëra dhe dialogu s'do të marr fund’, ka thënë politologu Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat