Vartësit regjimit komunist dhe ish pushtetit serb kontrollojnë drejtësinë dhe sigurinë e Kosovës

Politika

Vartësit regjimit komunist dhe ish pushtetit serb kontrollojnë drejtësinë dhe sigurinë e Kosovës

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 5 qershor 2019 Në ora: 09:41
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Problemet e shumta, ngjarjet e përditshme me konotacion negativ, shumica të ndikuara nga njerëz të cilën dyshohen se paku juridikisht nga institucionet gjyqësore vendore e si ato ndërkombëtare, natyrshëm ngrehin nevojën për ligjin e lustracionit.

Politikanë dhe përfaqësues nga shoqëria civile, mendojnë se ligji i lustracionit do të sqaronte shumëçka në lidhje me akuzat e kundër akuzat e njëpasnjëshme të politikanëve, të pothuajse secilit krah politik.

Ligji i lustracionit është i paraparë që të pastrojë dhe të sqarojë shumë gjëra në raport me individin.

Bosch: Çështja është mjaft komplekse

Image
Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës, Robert Bosch, për "Bota Sot", tha se ky ligj është i nevojshëm, por se duhet pasur kujdes si kontrollohet.

Ai, theksoi se Parlamenti i Kosovës, gjegjësisht deputetët do të duhej ta votonin ligjin e lustracionit për të mirën e shoqërisë në tërësi.

"Sipas meje janë më shumë se një problemet që ngre ky ligj në planin politik, juridik dhe moral pasi çështja është mjaft komplekse, prandaj është mirë të votohet por duhet të jetë serioze çështja", tha ai.

Haxhiu: Projektligj për lustracionin ka kaluar në Komisionin për Legjislacion

Image
Albulena Haxhiu

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për "Bota sot" ka thënë se projektligji në fjalë ka kaluar në Komisionin për Legjislacion. Ajo bëri të ditur se ligji i lustracionit është në rend dite në seancë.

"Projektligj për lustracionin ka kaluar në Komisionin për Legjislacion. Tani është në rend dite në seancë. Iniciativa për pastrim të figurës është shumë e vonshme. Prandaj, duhet që sa më parë të ndodh kjo", tha ajo.

Kurse, deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, për “Bota Sot” ka thënë se duke pasur parasysh skandalin e fundit të fajdeve, klanit pronto dhe aksionin e fundit në veri, ligji i lustracionit është i domosdoshëm.

Image
Besa Gaxherri

“Është i domosdoshëm ligji për lustracion dhe të bëhet vettingu për secilin zyrtar të shtetit por këtë s’mund ta bëjnë këto parti që janë në qeverisje sepse janë përgjegjëse dhe pjesë e kësaj situatë të papranueshme për vendin”, tha ajo.

Miftaraj: Kuvendi i Kosovës, duhet të filloj me procedurat e hartimit të ligjit për Lustrim

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj, Drejtor i Institutit për Drejtësi, për gazetën "Bota Sot", tha se Kosova është ndër vendet e pakta në rajonin e Evropës Jug-Lindore, e cila nuk ka kaluar përmes procesit të lustracionit.

Image
Ehat Miftaraj

Ai, shtoi se përderisa, menjëherë pas luftës, numër i madh i personave të cilët kanë punuar apo kanë qenë pjesë e ish-pushtetit komunist, përfshirë një pjesë e madhe e tyre të kanë zbatuar edhe ligjet diskriminuese kundër popullit shqiptar në Kosovë, të cilat ligje ishin shpallur të pavlefshme nga administrata e UNMIK-ut, në vitin 1999.

“Sikurse, me ardhjen e UNMIK-ut në Kosovë, të njëjtëve iu është ofruar mbrojtje dhe përparësi në punësim kryesisht në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë. Praktika e njëjtë ka vazhduar edhe me misionin e EULEX-it dhe pas shpalljes së pavarësisë edhe nga vet institucionet qendrore të Republikës së Kosovës dhe partitë politike që kanë qeverisur me vendin që nga shpallja e pavarësisë", tha ai.

Në rrethana të tilla, sipas Miftarajt, 20 vite pas përfundimit të luftës, sot ka numër të madh të personave të cilët ata apo familjarët e tyre kanë mbajtur pozita të rëndësishme në ish sistemin dhe të cilët kanë qenë lojal ndaj regjimit komunist dhe pushtetit serb në Kosovë, duke zbatuar ligjet diskriminuese ndaj popullit shqiptar në Kosovë, sot po ashtu mbajnë pozita shumë të rëndësishme që ndërlidhen me sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës, përfshirë pozita të rëndësishme në sistemin e drejtësisë.

"Një praktikë e tillë e ndjekur veçanërisht nga politika Kosovare pas shpalljes së pavarësisë, në publik interpretohet si një mundësi unike që politika përmes këtyre personave të kontrolloj sistemin e sigurisë dhe drejtësisë, e në anën tjetër një qasje e tillë cenon rëndë besimin e qytetarëve në këto institucione dhe hap mundësinë që të komprometohet dhe cenohet dhe siguria nacionale e vet Republikës dhe qytetarëve të saj. E kur kësaj i shtohet që në sistemin e drejtësisë nuk kemi një proces të verifikimit adekuat të prokurorëve, gjykatësve dhe personelit mbështetës, kjo bëhet edhe më serioze", theksoi ai.

Ehat Miftaraj, pohoi se në këtë drejtim, Kosova ka humbur shumë vite duke lejuar një gjendje të tillë, dhe në emër të sigurisë individuale të qytetarëve të Kosovës dhe sigurisë nacionale të vet Republikës, Kuvendi i Kosovës, duhet të filloj me procedurat e hartimit të ligjit për Lustrim, i cili ligj në asnjë rrethanë nuk duhet të jetë diskriminues por që të zbuloje të vërtetën dhe të pastroj institucionet e sigurisë dhe drejtësisë nga persona që mund të jenë të cenueshëm dhe që punojnë kundër interesave të Republikës së Kosovës.

Luzha: Përgjegjësia dhe llogaridhënia duhet të jenë pjesë e sistemit

Image
Besa Luzha

Kurse, Besa Luzha, anëtarë e shoqërisë civile, për "Bota sot", tha se ligji për lustracion të institucioneve të rendit dhe ligjit, duhet të vijë natyrshëm si vullnet politik i klasës politike për të rregulluar funksionimin e ligjit për qytetarët e Kosovës.

"Policia, gjyqësia duhet të ketë mekanizma të brendshëm të rregullt për mbikëqyrje funksionale të sistemit për të mirën e qytetarëve të Kosovës pavarësisht proceseve të tjera që ndodhin përreth nesh dhe që mund t'i përdorin gabimet në sistemin tonë", tha ajo.

Luzha, është e mendimit se përgjegjësia dhe llogaridhënia si për sukses dhe si për dështim duhet të jetë diçka e rregullt dhe pjesë e sistemit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat