Bernabiq person non-grata në Kosovë, por MPJ nuk iu dërgoi letër proteste zyrave të rëndësishme botërore

Politika

Bernabiq person non-grata në Kosovë, por MPJ nuk iu dërgoi letër proteste zyrave të rëndësishme botërore

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 qershor 2019 Në ora: 12:24
Behgjet Pacolli dhe Ana Brnabiq

Deklarata fyese ndaj shqiptarëve i kushtoi me ndalimin përgjithmonë të hyrjes në Kosovë, kryeministres serbe, Ana Brnabiç.

“Keni të bëni me njerëz që vijnë nga mali, të cilëve nuk u intereson nëse është gjendje lufte apo jo dhe kjo më frikëson”, tha ajo.

Pas kësaj deklarate ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, vendosi që t’i ndalojë asaj hyrjen në Kosovë.

Ndërsa, në rrjete sociale politikanë, figura publike e qytetarë nisën një fushatë, duke publikuar foto nga male të ndryshme të trojeve shqiptare, nën sloganet “I sapodalë nga mali” dhe “Qëndrimi racist i kryeministres serbe”

Zemaj: Malet e tyre janë Karpatet

Image
Armend Zemaj

Lidhur me këtë deklaratë të Brnabiç, vendimit të ministri Pacolli dhe se a duhet të veprohet kështu me të gjithë ata që bëjnë deklarata të tilla, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se duhet injoruar fyerjet e atyre që historikisht përdorin gjuhën e urrejtjes.

“Injoroni fyerjet e atyre që historikisht përdorin gjuhën e urrejtjes. Ata janë inferiorë sepse malet e tyre janë “Karpatet”, ndërsa malet tona janë territori ynë shekullor Iliro-Dardan”, është shprehur ai.

Sipas Zemajt, qëndrimet e qeverisë janë periferike ndaj fyerjeve dhe gjuhës së vazhdueshme primitive që e përdorin zyrtarët serb.

“Ndërsa qëndrimet e kësaj qeverie janë periferike ndaj injorimit, fyerjeve dhe gjuhës së vazhdueshme primitive që përdorin zyrtarët e shtetit serb, këtë e kanë provuar edhe në prani sidomos gjatë takimeve në korridoret botërore”, ka deklaruar deputeti Zemaj për “Bota sot”.

Tahiri: Edhe Millosheviqi ishte njeri kyç në Marrëveshjen e Dejtonit

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri vlerëson se ekziston një fjalor i tillë si nga udhëheqja e Kosovës dhe e Serbisë për njëri-tjetrin, që është fjalor denigrues dhe ata duhet të ulen e të bisedojnë për një marrëveshje normalizimi.

“Është një qëndrim stereotip që e kanë udhëheqja e Kosovës dhe e Serbisë për njeri tjetrin. Edhe kryeministri i Kosovës thotë se Vuçiq dhe Daçiç ishin njerëz të Millosheviqit që bëri luftë e krime në Kosovë. Gjithashtu Vuçiq thotë se nuk e ka lehtë të ulet e të bisedojë me një kriminel si është Thaçi i cili është edhe rrenc që nuk mund t’i besohet asgjë.. Pra ky është fjalor denigrues i dy shteteve që duhet të ulen e bisedojnë dhe të bëjnë marrëveshje për normalizim...”, është shprehur Tahiri për “Bota sot”.

Ai përmend Millosheviqin si njeri kyç në Marrëveshjen e Dejtonit, por që më vonë ishte i akuzuar për krime kundër njerëzimit në Hagë, duke shtuar se udhëheqësit i zgjedh populli.

“Po edhe Millosheviqi ishte njeri kyç në Marrëveshjen e Dejtonit, ndërsa pesë vjet më vonë shkoi si i akuzuar për krime kundër njerëzimit në Gjykatën e Hagës... Pra secili popull vet i zgjedh udhëheqësit e vet, dhe derisa e përfaqësojnë shtetin janë legal e legjitim. Bërnabiq është kryeministre e Serbisë që e ka fjalorin personal dhe politik. Gjithashtu edhe qëndrimet zyrtare pa marrë parasysh a i pëlqejnë dikujt apo jo. Bërnabiq ka bërë keq që e ka marrë si diçka të keqe malin, sepse kjo është një nga pjesët më të mira të natyrës në Tokë”, ka vlerësuar politologu Ramush Tahiri.

Abazi: Deklaratat e politikanëve janë për popullizëm

Image
Haki Abazi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi e vlerëson të mirë deklaratën e Brnabiç, pasi thotë se ajo tregon se ku ka mbetur shoqëria dhe politika në Beograd, ndërsa për reagimet ndaj kësaj deklarate thotë se janë për të treguar patriotizëm të kamufluar.

“Deklarata e kryeministres serbe është shumë e mirë për faktin se tregon se ku ka mbetur shoqëria serbe dhe politika në Beograd. Reagimet e personaliteteve politike ndaj deklaratës së kryeministres serbe Bernabiq janë përpjekje për të treguar patriotizëm të kamufluar”, ka thënë ai.

Abazi thotë se nuk duhet pritur asgjë nga njerëz që e kanë mendësinë e shekullit të kaluar dhe që e kanë shpallur Millosheviqin hero në mes të Kosovës.

“Nuk mendoj që Brnabiq ka thënë ndonjë gjë të re në fakt, nuk duhet pritur ndonjë gjë të re nga njerëzit që kanë mendësinë e shekullit të kaluar dhe që kanë shpallur Millosheviqin hero në mes të Kosovës. Vuçiq ka thënë në mes të Kosovës se Millosheviq ka qenë njeri i mirë por ka bërë gabime. Është e njëjta strukturë që e ka përkrahur gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka përkrahur dhe vazhdon të përkrah njerëzit që kanë udhëhequr operacionet e pastrimit etnik gjatë luftës në Kosovë. Para dy javësh ish i dënuari i Hagës Lazarevic ishte në krye të paradës së ushtrisë së Serbisë”, është shprehur Abazi.

Ai thotë se deklaratat e politikanëve janë për popullizëm, derisa shprehet i bindur se nga MPJ nuk i është dërguar asnjë letër zyrave të rëndësishme botërore.

“Reagimet deklarative të politikanëve nga Kosova janë reaksion medial për popullizëm, jam shumë i bindur që asnjë letër proteste nga Ministria e Punëve të Jashtme apo ambasadat në vendet kryesore nuk ju kanë shkruar letër zyrave të rëndësishme botërore”, ka vlerësuar Haki Abazi për “Bota sot”.

Sipas tij, Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë, ndërsa që zyrtarët e Kosovës janë takuar me po ata njerëz pa ju vënë kushte, derisa shton se shpallja non-grata e zyrtarëve serb është vetëm për konsum të brendshëm.

“Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe vazhdon të mohojë krimet e bëra në Kosovë, ndërsa zyrtarët e Kosovës me lehtësi janë takuar me po ata njerëz pa vënë kushte që ata të kërkojnë falje dhe të ballafaqohen me të vërtetën dhe të kaluarën dhe kjo ju ka mundësuar që udhëheqësit në Serbi dhe shoqëria serbe të jetojë në një realitet krejt artificial dhe të krijojë narrativen e viktimës për të përfituar nga proceset politike. Shpallja e zyrtarëve serb si person non-grata është vetëm për konsum të brendshëm dhe nuk ka asnjë efekt real në jetën e përditshme. Më shumë ka të arrestuar shqiptarë me akuzat nga koha e Millosheviqit se sa që ka të arrestuar serb për veprat dhe krimet ebëra nëkohën e Milloshviqit. Kjo të tregon se sa në realitet institucionet e Kosovës janë efektive në sjelljen para drejtësisë”, ka përfunduar Abazi.

Shahu: Vendimet e ashpra nga pala shqiptare ndaj saj nuk e heqin fyerjen e saj

Image
Rexhep Shahu

Kurse, publicisti dhe ish gazetari i luftës, Rexhep Shahu mendon se si kryeministrja serbe Brnabiç, po ashtu dhe kryeministrat para saj, kanë fyer shqiptarët me qëllim që të rrinë në pushtet.

“Fyerja e kryeministrit-res serbe ndaj shqiptarëve është e radhës nga ata sepse fyerja e kryeministrave serb ndaj shqiptareve është kali që ata shalojnë domosdo me mbetet në pushtet. I pari ose fyesi me i madh e poshtërues ndaj shqiptarëve është kryeministri serb Vlladan Gjeorgjeviq që shkroi librin Shqiptarët e Fuqitë e mëdha dhe i quajti shqiptarët me bisht. Të gjithë kryeministrat serbe i kanë sharë shqiptarët se është kusht të qëndrojnë në pushtet në Serbi”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, me këtë deklaratë ajo ka fyer veten dhe racën e saj inferiore, derisa shton se vendimet nga pala shqiptare ndaj saj, nuk e heqin atë fyerje.

“Me cilësimet e saj ndaj shqiptarëve si njerëz mali ajo para se të fyejë shqiptarët fyen veten dhe racën e saj inferiore pasi inferiorët fyejnë. Ajo veç tjerave vuan dyzimin e saj devijacionin fatkeq këtë sëmundje që përpiqet ta shfaqë si fat e privilegj prej zotit. Vendimet e ashpra nga pala shqiptare ndaj saj nuk e heqin fyerjen e saj. Ndoshta asaj i duhet bërë ndonjë ftesë nga ndonjë burrë shqiptar, eja në mal me shqiptarin që të bëhesh e të ndjehesh femër dhe ta shijosh mrekullinë e të ndjerit grua. Ajo e vuan këtë. Një femër që nuk ndjehet grua e nënë, pavarësisht racës, ajo bëhet përbindësh”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat