Vjosa Osmani fton PSD-në dhe Nismën: T`i parandalojmë idetë e rrezikshme ruso-serbe për ndarjen e Kosovës

Politika

Vjosa Osmani fton PSD-në dhe Nismën: T`i parandalojmë idetë e rrezikshme ruso-serbe për ndarjen e Kosovës

Nga: Valon Rogova Më: 5 qershor 2019 Në ora: 15:10
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani: Grupi i përbërë nga Shpendi Ahmeti dhe Fatmir Limaj, nuk kanë kredibilitet për t’bërë asgjë dhe për të marrë asnjë vendim

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, për “Bota Sot”, ka thënë se grupi negociator i përbërë nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, i mandatuar muaj më parë nga Parlamenti i Kosovës për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nuk ka kredibilitet për të marrë asnjë vendim,  ngase sipas saj, i njëjti  është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Baza juridike për këtë grup është akoma duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, pra ata nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim për momentin”, tha ajo.

Tutje, Osmani, theksoi se ligji për dialogun dhe me platformën e krijuar, janë bërë gabime që do të forcojnë Hashim Thaçin.

“Për fat të keq, me ligjin për dialogun dhe me platformën janë bërë gabime të tilla që, pavarësisht qëllimit, vetëm sa e kanë forcuar Thaçin” tha Osmani.

Osmani, deklaroi për “Bota Sot” se është duke shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit me partitë tjera për parandalimin e ideve të rrezikshme – siç shprehet ajo – ruso serbe.

“Përkundër kësaj, unë pres bashkëpunim edhe me PSD-në por edhe me partitë tjera, në mënyrë që të harmonizojmë qëndrimet tona në parandalimin e ideve të rrezikshme ruso-serbe për ndarjen e Kosovës”, deklaroi Osmani.

Ndryshe, grupi negociator i Kosovës do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti, që njëkohësisht është edhe kryetar i Prishtinës  dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat