Ndodhë kthesa e madhe, dy më të fuqishmit e Evropës po e marrin në duar fatin e Kosovës

Politika

Ndodhë kthesa e madhe, dy më të fuqishmit e Evropës po e marrin në duar fatin e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 qershor 2019 Në ora: 11:22
Macron dhe Merkel

Drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Enver Bytyçi, në një bisedë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth pritjeve të tij nga Samiti i Parisit, i cili do të mbahet në korrik të këtij viti, për situatën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, unitetin mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, kur dihet se ketë te fundit tashme janë të përçarë, epilogun si dhe për planet sekrete që po përgatiten ndaj shtetit të Kosovës.

Bytyçi gjithashtu ka folur edhe për idenë për korrigjim të kufijve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e cila së fundi ka evoluar në atë të bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

Ai mes tjerash në këtë intervistë ka treguar edhe për temat me të cilat mund të përballet Haradinaj në Paris, për çka edhe e ka paralajmëruar të parin e Qeverisë së Kosovës, për një përgatitje të mirë ndaj ndonjë të papriture.

Formati i përfaqësimit

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

Prof. dr. Enver Bytyçi, ka thënë se në Samitin e Parisit pritet të ndryshohen disa ekuilibra, për të cilat ai mendon se do ndryshojnë si nevojë e domosdoshme e ndryshimit të projektit shkatërrues për Kosovën në favor të Serbisë së Madhe.

“Samiti i Parisit është e duhet të jetë në një farë mënyre konkretizimi i asaj që më 29 prillin e kaluar ndodhi në Samitin e Berlinit. Në këtë samit pritet që të ndryshojnë disa ekuilibra. Këta ekuilibra do të ndryshojnë si nevojë e domosdoshme e ndryshimit të projekteve shkatërruese për Kosovën në favor të Serbisë së Madhe. Së pari ndryshon formati i përfaqësimit dhe ndërmjetësimit. Formati i përfaqësimit ndryshon në delegacionin e Kosovës. Ndonëse parlamenti njeh Thaçin si kryenegociator dhe Limajn e Ahmetin si dy bashkëkryetarë të delegacionit”, ka thënë Bytyçi.

Ai deklaron se takimi mes Haradinajt dhe Merkelit para Samitit të Parisit, e bën kreun e Qeverisë së Kosovës një personazh të përfaqësimit real të Kosovës.

“Fakti që të enjten zoti Haradinaj është ftuar nga kancelaria Merkel, po ashtu fakti se kryeministri i Kosovës ishte personazhi kryesor i samitit të Berlinit në sytë e Merkelit dhe Macron-it, bën që përfaqësimi real tashmë do të jetë Ramush Haradinaj. E shoh jo si privilegj këtë rol të ri të zotit Haradinaj. Përkundrazi, duhet parë si përgjegjësi e tij. Përgjegjësia e tij kryesore është të ruajë raportin e derisotëm me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

“Ndryshimi i dytë ka të bëjë me ndërmjetësuesit. Dhe ky ndryshim është më i rëndësishmi. Në Paris nuk do të jetë Federica Mogherini ose Johannes Hahn, por ashtu si në Berlin, do të jenë dy më të fuqishmit e Evropës, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron”, shprehet ai.

Kthesa në procesin e bisedimeve

Ani pse thekson se kjo është një kthesë e madhe në procesin e bisedimeve, Bytyçi konsideron se edhe me tej nuk ka ndryshuar asgjë në delegacionin dhe projektin e Serbisë ndaj Kosovës.

“Është një kthesë e jashtëzakonshme në procesin e bisedimeve. Por, nuk ka ndryshuar asgjë në delegacionin dhe projektin e Serbisë. Ministri i Jashtëm shpalli përsëri se ‘Pa ndarjen e Kosovës, nuk do të ketë zgjidhje dhe pajtim të Serbisë me Kosovën’. Kjo e trimëron dhe Hashim Thaçin, i cili mezi pret të thotë se, ‘Ja, jua kam thënë unë, se pa ndryshimin e kufijve nuk ka zgjidhje konflikti shqiptaro-serb’. Haradinaj do të përballet në Paris e më tej me të papritura të pakëndshme, prandaj duhet të përgatitet mirë”, thekson ai për gazetën “Bota sot”.

Profesori ndërkombëtar nënvizon se Haradinaj duhet të njihet mirë jo vetëm me sjelljen historike të Serbisë ndaj Kosovës, por sidomos me të gjitha dokumentet që pasqyrojnë procesin e bisedimeve të Vjenës si dhe atyre të Brukselit.

“Duhet të njihet mirë jo vetëm me sjelljen historike të Serbisë ndaj Kosovës, por sidomos me të gjitha dokumentet që pasqyrojnë procesin e bisedimeve të Vjenës si dhe atyre të Brukselit. Ka mundësi që Thaçi publikisht të shfaqet përkrah pikëpamjeve të kryeministrit. Por, në hije do të vazhdojë zanatin e vjetër të kulisave dhe intrigave”, ka nënvizuar profesori ndërkombëtar.

Thaçi më miqësor me Vuçiqin sesa me Haradinajn

Bytyçi nuk ka lënë pa folur edhe për raportet mes presidentit Thaçi e kryeministrit Haradinaj – unitetin e këtyre para Samitit të Parisit.

Ai mendon se i pari i Kosovës do të jetë më shumë miqësor me presidentin e Serbisë, sesa me Haradinajn.

“Jam i sigurt se ai do të jetë më shumë miqësor me Vuçiqin sesa me Haradinajn. Kjo ndodh, sepse presidenti i Kosovës nuk ka hallin e Kosovës, por ka hallin e fatit të tij politik dhe moral personal. Sfida e Hashim Thaçit nuk është Kosova dhe interesi i saj, por mbijetesa e tij politike dhe morale. Është e rrezikshme kur përballesh me një personalitet që ka projektuar në trurin e tij lavdinë e ‘Aleksandrit të Madh’ dhe shikon që përfundon në një skutat e historisë së Esat Toptanit.  Thaçi ka projektuar në tru shumë gjëra, të cilat nuk kanë të bëjnë me fatin e Kosovës, por me fatin e tij politik e historik. Prandaj, zoti Haradinaj mund të përballet me reagime të pamatura të zotit Thaçi. Aq më tepër që presidenti e sheh tashmë kryeministrin si një sfidat politik jo vetëm brenda vendit, por edhe në marrëdhëniet euro-atlantike”, ka thënë ndër të tjerash ai.

Tutje, Bytyçi ka thënë se nuk beson se Berlini dhe Parisi do të orientohen nga ndonjë plan konspirativ.

Andaj, sipas tij, konspiracioni dhe diskretizmi për ndryshimin e kufijve ishte një përvojë e keqe edhe për ndërmjetësuesit e rinj.

Kërkesat e Beogradit për ta rikthyer në tavolinë çështjen e veriut

“Por, mendoj se në Paris do të vendosen shinat e kornizat e vazhdimit të bisedimeve. Do të ketë vija të kuqe dhe do t’u lihet palëve të gjejnë kompromisin, që gjithsesi nuk do të jetë kompromis me territore. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Beogradi nuk do të punojë fort për ta rikthyer në tavolinë çështjen e veriut, sidomos të Trepçës. Merkel e ka ftuar Haradinajn në Berlin me qëllim që ta përforcojë rolin e tij në bisedimet që do vijojnë, si garanci se në tryezën e këtyre bisedimeve nuk do të vihet më ideja e shkëmbimit të territoreve. Ajo nuk e njeh më presidentin Thaçi si partner të Evropës. Ajo që do të bisedohet në takimin Merkel-Haradinaj ka të bëjë me lehtësimin e dialogut. Këtu bën pjesë edhe taksa e vendosur ndaj Serbisë”, ka thënë tutje Bytyçi.

Ai gjithashtu shprehet i bindur se kryeministri i Kosovës nuk do ta heqë taksën ndaj mallrave serbe, pa ndonjë përfitim madhor të shtetit të Kosovës.

“Por nuk besoj se kryeministri do ta heqë taksën pa ndonjë përfitim madhor. Shembull, liberalizimi i vizave dhe garancia për integritetin territorial të Kosovës mund të ishin kushte të dobishme për pezullimin e taksës. Mund të kërkohet që në shtator shqiptarët e Kosovës të marrin të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza dhe në këtë moment të pezullohet taksa. Më pas pezullimi të përcaktohet për tre-katër muaj, aq sa do të duhet të arrihet një marrëveshje e pranueshme për Kosovën.

Kërkim falja ndaj krimeve në Kosovë

Krejt në fund, prof. dr. Enver Bytyçi ka potencuar se kryeministri Ramush Haradinaj duhet të kërkojë me çdo kusht nga pala serbe, që këta të fundit të kërkojnë ndjesë për krimet në Kosovë, si dhe të kthejnë eshtrat e të pagjeturve.

“Haradinaj duhet të kërkojë me çdo kusht që Beogradi të kërkojë ndjesë për krimet në Kosovë, si dhe të kthejnë eshtrat e të pagjeturve e të pranojë krijimin e një gjykate të huaj evropiane për gjykimin dhe ndëshkimin e krimeve të Serbisë në Kosovë, me të cilën shqiptarët të bashkëpunojnë dhe të dërgojnë provat përkatëse”, ka përfunduar drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ), Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat