Takimi Merkel-Haradinaj, reagon Gecaj: Ramushi po e kopjon Thaçin

Politika

Takimi Merkel-Haradinaj, reagon Gecaj: Ramushi po e kopjon Thaçin

Nga: G.B Më: 6 qershor 2019 Në ora: 15:05
Ramush Haradinaj dhe Angela Merkel

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Pas takimit, ai ka thënë se ka folur edhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshje që siç e ka quajtur ai “Vendimi i Madh”, në të cilën do të jenë të përfshira SHBA-të, Gjermania dhe Franca.

Haradinaj thotë se është shumë skeptik së një marrëveshje e tillë mund të arrihet shumë shpejtë, por thotë që këtë energji të perëndimit duhet shfrytëzuar për të arritur të paktën një “Marrëveshje Kornizë”, që më pas do të negociohet nga një përfaqësues i lartë, që potencialisht do të jetë nga Gjermania, e që do të qëndrojë i kyçur gjithmonë në procesin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Image
Bajram Gecaj

Se sa mund të arrihet një marrëveshje e tillë dhe a do të shënonte kjo fundin e idesë së presidentit Hashim Thaçit për korrigjimin e kufijve, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Haradinaj ka filluar ta kopjojë Thaçin me retorikën e tij, pasi SHBA, Gjermania dhe Franca janë të përfshira në dialogun Kosovë-Serbi.

“Kryeministri Haradinaj ka filluar ta kopjoi Presidentin Thaçi me retorikën e tij. SHBA ka qenë në vazhdimësi e involvuar në procesin e dialogut. Gjermania dhe Franca gjithashtu kontributin e tyre e kanë japë përmes BE-së, ndërsa tani, për shkak të stagnimit, janë inlvolvuar më drejtpërdrejtë dhe në mënyrë më të dukshme”, është shprehur ai.

Sipas Gecajt, Samiti i Berlinit i ka dhënë lëndim fatal çështjes së prekjes së kufijve por duhet të jemi ende të kujdesshëm.

“Dialogu nuk mund të zgjidhet as pa SHBA-të por as pa BE-në, ndërsa në BE janë Gjermania dhe Franca ato që “kolliten” më së shumti. Unë besoj që konferenca e Berlinit i ka dhënë një lëndim thuajse fatal çështjes së prekjes së kufijve, por se duhet të jemi të kujdesshëm shumë sepse kjo çështje ende merr frymë, edhe pse me vështirësi të mëdha”, ka deklaruar Bajram Gecaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat