Luta, përkrahës i pakusht i presidentit Thaçi

Politika

Luta, përkrahës i pakusht i presidentit Thaçi

Nga: G.B Më: 8 qershor 2019 Në ora: 21:48
Hashim Thaçi, Lutfi Haziri, foto ilustrim nga "Bota sot"

Profesori Enver Bytyçi, ka komentuar lidhur me shkuarjen e Ismet Beqirit në emisionin e Baton Haxhiut dhe mundësinë që Lutfi Haziri, i cili ka përkrahur Hashim Thaçin në disa çështje, të zgjidhet kryetar i LDK-së.

Bytyçi ka thënë për gazetën “Bota sot” se derisa është nënkryetar i LDK-së dhe ka karrierë, kandidimi i Hazirit duket normal.

Por, sipas tij, ai njihet si përkrahës i pakusht i Thaçit, sidomos për shkëmbimin e territoreve, që ka qenë më i zellshmi për këtë çështje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës po zhvillon zgjedhjet partiake në degët e saj në Kosovë dhe përgatitet për Kuvendin e radhës të vjeshtës, ku do të zgjidhet edhe kryetari i ri. Mesa duket Isa Mustafa nuk do të kandidojë më, ndaj dhe në këtë garë për numrin një të Lidhjes Demokratike kanë hyrë ose do të hyjnë disa figura politike të kësaj partie. Lutfi Haziri është njëri prej tyre. Ai është nënkryetar i LDK-së dhe nga një vështrim i karrierës së tij nga jashtë duket normale kandidimi tij. Por, Luta është dalluar si përkrahës i pakusht i presidentit Hashim Thaçi, madje dhe në çështjen e përfolur e të kontestueshme prej shumicës së politikës e popullsisë shqiptare në Kosovë, atë të shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Janë shumë pak ata politikanë që kanë përkrahur idenë e shkëmbimit të territoreve të Kosovës me Serbinë dhe ndër këta më i zellshmi ka qenë Luta”, është shprehur profesori.

Sipas tij, çdo kandidat, përfshirë dhe Lutfi Haziri dhe ata që lobojnë për kandidatë të dëshiruar nga Thaçi, do ta kenë në dispozicion ekranin e Baton Haxhiut.

“Për këtë arsye mendoj se çdo kandidat, përfshirë dhe Lutfi Hazirin, i cili ka mbështetjen e Hashim Thaçit do ta ketë sa herë të dojë në dispozicionin ekranin proserb të Baton Haxhiut. Dhe jo vetëm këta, por edhe ata që lobojnë për kandidatët e dëshiruar ose të emëruar pre presidentit Thaçi, si p.sh ky Ismet Beqiri”, ka vlerësuar Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Partia e Rugovës ka humbur shumë nga identiteti i saj fillestar”

Ai thotë se Thaçi ka interes që LDK-në ta shndërrojë nga parti të ideve e idealeve të Ibrahim Rugovës, në parti të perversitetit, atë çka përfaqëson vetë ai dhe nëse kjo ndodhë, sipas profesorit, LDK nuk do të jetë më e Kosovës, por do të identifikohet me Thaçin, më shumë se PDK-ja, që e ka formuar vetë ai.

“Interesi themelor politik i Hashim Thaçit është që LDK-ja të shndërrohet plotësisht nga një parti politike e ideve, vizioneve dhe idealeve të Ibrahim Rugovës, në një parti e perversitetit, çfarë përfaqëson Hashim Thaçi. Nëse ndodh kjo, atëherë nuk do të ketë me Lidhje Demokratike të Kosovës. Edhe kështu si është partia e Rugovës ka humbur shumë nga identiteti i saj fillestar. Por, me komandimin në krye të saj të benjaminëve direkt të Thaçit ajo do të identifikohet me presidentin e sotëm më shumë sesa vetë Partia Demokratike e Kosovës, të cilën e ka themeluar Hashimi”, ka vazhduar më tej Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, ka liderë të LDK-së, që rrinë afër Thaçit më shumë se Kadri Veseli e që promovohen me pasion nga Baton Stanishiqi.

“Në perceptimin tim ka disa liderë të LDK-së, të cilët qëndrojnë më afër Thaçit sesa qëndron pranë tij Kadri Veseli. Kjo kategori politikanësh brenda Lidhjes Demokratike promovohet dhe do të promovohet me pasion nga Baton Stanishiqi. Se ata kanë të njëjtin begraund si Batoni, këtë nuk mund ta them. Por që mendojnë si Batoni dhe Hashim Batonoviçi, kjo është e sigurt”, ka theksuar Bytyçi.

Profesori thotë se LDK në krye të saj duhet ta ketë një person me integritet të plotë, një personalitet me eksperiencë politike të mjaftueshme, me histori dhe begraund patriotik të spikatur, me cilësi si ato të Rugovës, pasi nëse zgjedh njerëz që promovon Batoni, do të ishte vetëvrasje e saj politike, e kështu do të bëhej një fuzion politik me PDK-në.

“Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të ketë në krye të saj një person me integritet të plotë, një personalitet me eksperiencë politike të mjaftueshme, me histori dhe begraund patriotik të spikatur, me cilësi si ato të Rugovës, ku të spikatin urtësia, maturia, mençuria dhe aftësia për të përballuar sfidat politike të ardhshme. Së paku për një periudhë kohe duhet të jetë kësisoj, dhe gjatë kësaj periudhe të përgatitet me dijeninë e anëtarësisë së LDK-së një djalë ose një vajzë e re, që të garantojë jo vetëm të sotme, por edhe të ardhmen e LDK-së. Nëse Lidhja Demokratike do të zgjedhë në krye të saj njerëzit që promovon Batoni, atëherë kjo është vetëvrasje e saj politike. Ajo do të shuhet dhe të krijojë një fuzion politik me PDK-në, nëse do ta pranonte këtë Kadri Veseli”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat