Çakorri po rrëshqet drejt harresës

Politika

Çakorri po rrëshqet drejt harresës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 9 qershor 2019 Në ora: 08:44
Çakorri

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka deklaruar se ende nuk e kanë të përfunduar përcaktimin e vijës kufitare sa i përket marrëveshjes së arritur për Demarkacionin. Këto deklarata Markoviq i ka bërë pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke shtuar se përcaktimi i vijës kufitare do të bëhet kur të formohet një komision dhe të dyja palët të flasin haptas me njëra tjetrën.

I pyetur të komentojë deklaratat e homologut të tij Ramush Haradinaj se ”Çakorri i takon Kosovës”, kryeministri malazez Markoviq ka thënë prapë se ”të dy palët duhet të jenë reale me njëra-tjetrën”.

Në anën tjetër, më shumë se një vit pas miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Komisioni shtetëror, i destinuar për “korrigjimin”, e saj, nuk ka sjellë para opinionit ndonjë rezultat.

Guraziu kujton deklaratat e Haradinajt

Rreth kësaj, opinionisti Ragip Guraziu, ka thënë për “Bota sot” se vet Haradinaj, kishte bërë akuza të rënda ndaj ish kryetarit të Komisionit, Murat Meha, ndërsa në fund u votua versioni i tij.

Image
Ragip Guraziu

“Më kujtohet shumë mirë kur Haradinaj pat thanë: “Unë jam nga Gllogjani, dhe Deçani një pjesë të territorit të vet e ka në kufirin me Malin e Zi, si dhe Juniku, Peja dhe me m`thënë mua se nuk po hupim asnjë mm është pak rëndë”, pat thënë Haradinaj. Kryeministri po ashtu e pat quajtur Murat Mehen kriminel i korruptuar, dhe pat deklaruar se ‘’nuk e njoh kufirin me Malin e Zi’’.Ai madje e pranoi edhe vet. Kur e morri postin e kryeministrit, madje atij iu bë edhe një pyetje nga mediumet se “ Përse tani nuk po e cek më kufirin me Malin e Zi”, por Haradinaj pat thënë se “Kur po u ulka njeriu në këtë karrige, po i mendojka ndryshe”, ka cituar fjalët e kryeministrit opinionsti Guraziu.

Burjani: Tema e Demarkacionit me Malin e Zi thjesht është e mbyllur

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani ka thënë se tema e Demarkacionit me Malin e Zi thjesht është e mbyllur.

Image
Blerim Burjani

“Nuk besoj se do të ketë rishikim në situata të tilla, ku Mali i Zi e konsideron këtë linjë kufitare të kryer, dhe e tëra më tutje është marketing politik për konsum të brendshëm. Ky kryeministër ishte bërë kryeministër kritik për shkak të qëndrimit të tij duke e kritikuar PDK-në dhe LDK-në në këtë temë. Por, përderisa ai u bë kryeministër i cili harroi këtë çështje dhe se ka mbetur vetëm kohë pas kohe e përmend”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani.

Duhanaj: Duhet përmbyllet ky proces i stërzgjatur

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, ka pohuar se sipas disa deklaratave zyrtare duhet të formohen komisionet shtetërore nga Kosova dhe Mali i Zi.

Sipas tij, kjo nënkupton se çështja e demarkacionit do t'i nënshtrohet një verifikimi, dhe nëse ndodhë kështu, atëherë mund të pritet që gjërat do të shkojnë në rregull.

Image
Leon Duhanaj

“Kjo çështje duhet të shkojë në verifikim në mënyrë, që njëherë e mirë të përmbyllet ky proces i stërzgjatur. Dua të besoj që Haradinaj, nuk do të shkelë mbi luftën që e ka bërë rreth kësaj teme dhe të paktën ta verifikoj dhe ta përmbyllë në binarë normal”, është shprehur analisti politik Leon Duhanaj.

Maxharraj: Kryeministër, ke nisë ta harrosh Çakorrin

Në lidhje me këtë Prof. Dr Binak Maxharraj ka thënë se edhe pse kaloi një vit e më shumë në pritje për fillimin e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi, megjithatë ende nuk u vendos asgjë.

 “Punë si e Hashimit pa kurrfarë mbulesë jemi mësuar të shohim. Por, korrigjimi nuk po fillon, pasi premtimet i mori era. Madje nuk fajësohen aq shumë deputetet të cilët i mashtruan këta horrat e pushtetit, por fajtor janë veta horrat, banditit që i mashtruan deputetet duke ia fal 800 hektar tokë Malit të Zi. Kjo është e turpshme kjo dhe e pa falshme. Kjo është tradhti kombëtare, por Ramush Harajdinaj, prapë se prapë assesi të pajtohet. Nganjëherë po krrokatë duke thënë se do ta kthej Çakorrin, se Çakorri është i jonë se gjithmonë ka qenë joni. Kryeministër është e tmerrshme të mos pajtohesh për diçka për çka je pajtua edhe vetë. Nuk e di a të mashtruan apo u mashtrove për një copë karrige të Kryeministrit”, ka thënë Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Sipas tij, për një gjë duhet të pajtohet kryeministri Haradinaj se Çakorri është i humbur njëherë e përgjithmonë.

“Kryeministër, duhet ta kesh të qartë se Çakorrin e ke humbur, por ti prapë nuk po dorëzohesh, sepse je kokëfortë Kryeministër, dhe ende po vazhdon të thuash se nuk është ngul ende gurë në kufi me Malin e Zi. Ti nuk je më ai Ramushi kur për tri vite e ndalën orën për demarkacionin. Të admironin njerëzit, por ja që historikisht shqiptarët dorëzohen kur ju ofrohet kulaçi. Tash nuk po e bënë më zë Çakorren se ta ka nxënë rrota bishtin. Po heshtë diçka, dhe ke nisë ta harrosh Çakorrin, madje po del se krejt kjo ishte një kamuflazh e një mashtrim i Hashim Thaçit”, ka thënë Maxharraj ndër të tjera.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat