Kosova injoron Daçiqin!

Politika

Kosova injoron Daçiqin!

Albiona Hajdari Nga Albiona Hajdari Më 10 qershor 2019 Në ora: 07:46
Ivica Daçiq

Fushata e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Iviça Daçiq, kundër Republikës së Kosovës ka ngjallur reagime të shumta.

Të shkruarit cirilik në kartëmonedha ''Kosova është Serbi'' dhe shpërndarja e fotove në rrjetet sociale, ka bërë që shqiptarët ''t'ua kthejnë përgjigjen'' në të njëjtën mënyrë me mesazhin ''Kosova është Kosovë.''

Pasi që Daçiq prishi kartëmonedhën 100 dollarëshe të SHBA-së me deklaratën ''Kosova është Serbi'', ambasada e kësaj të fundit në Beograd e ka dënuar fushatën fyese të ministrit të punëve të jashtme të Serbisë.

BE gjithashtu ka reaguar duke thënë se secila retorikë fyese është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese ndërmjet dy shteteve.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, e konsideron ''gomarllëk'' lobimin e Daçiq kundër Kosovës. Për “Bota sot”, Nitaj shprehet se Daçiq nuk është i denjë që Kosova të merret me të!

''Daçiq është një politikan joserioz, është një njeri me komplekse të mëdha. Ai është e zeza e vendit të vet.

Image
Muharrem Nitaj

Gomarllëqet e tij flasin se në ç'situatë është katandisur politika dhe shteti serb e jo për Kosovën. Unë mendoj që ai njeri nuk është i denjë që Kosova të merret me të, prandaj lëshojeni poshtë edhe ju!''

Ndërkaq profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, për “Bota sot” ka thënë se kjo fushatë i shkon për shati mekanizmave të politikës së jashtme serbe. Sipas tij, kjo është logjikë e njëjtë sikurse në kohën e Millosheviqit.

Image
Afrim Hoti

Ai më tutje ka theksuar se nuk duhet të biem pre e veprimeve të Serbisë, nuk duhet të dërgojmë notë protestë e as të protestojmë ngase në këtë formë ndiqet logjika dhe diskursi i tyre.

''Nuk është diçka për t'u befasu edhe as diçka e re që vie nga vazhda e propagandës që ka bërë Serbia tash e sa kohë. E shoh vetëm si një veprim tjetër të një politike të mbrapsht dhe të egër që synon me i sjellë favore raundit të fundit ose tashmë asaj që po njihet si zgjidhje ose si marrëveshje për normalizim të raporteve nga e cila Serbia synon me përfitu sa më shumë që është e mundur. Këto fushata i shkojnë për shtati, normalisht janë mekanizma që mundohet politika e jashtme serbe me kriju një presion të rremë siç kanë bërë gjithmonë për Kosovën si një çështje e pazgjidhur, si diçka gjithmonë e errët, që është pjesë e Serbisë etj. Mendoj që është e njejta logjikë si në kohën e Millosheviqit. Nuk besoj që duhet të biem pre e veprimeve të Serbisë, as që duhet të dërgojmë notë protestë për këtë çështje, sepse dihet dhe pozicioni zyrtar, jo vetëm një veprim i politikës së jashtme të Serbisë e cila është krejtësisht në kundërshtim me politikën tonë dhe të qëndrimit tonë. Prandaj, nuk besoj që është e rrugës të bëhet një protestë, ndoshta eventualisht një komunikatë e Ministrisë së Jashtme që denoncon edhe shpërfillë këtë veprim serb do të ishte e mjaftueshme sa për të reagu por jo me ndjekë logjikën edhe diskursin e tyre sepse mbetemi mbrapa në realizmin e strategjisë edhe planeve që ne i kemi përpara si politikë e jashtme e Kosovës'', është shprehur Hoti.

Kjo fushatë e diplomacisë serbe konsiderohet qesharake në sytë e opinionit ndërkombëtar, thotë për Bota sot, opinionisti Nexhat Haziri. Me këto provokime, sipas Hazirit, Beogradi nuk është i interesuar për të arritur një marrëveshje paqësore mes dy shteteve dhe për të kontribuar në stabilitetin e rajonit.

Image
Nexhat Haziri

''Është një fushatë qesharake e diplomacisë serbe, që nuk mund t'i shkaktojë asnjë dëm Kosovës dhe kjo fushatë e kryediplomatit serb Daçiqit përmes kartëmonedhave në sytë e opinionit ndërkombëtar, përveç që është joserioze po ashtu po tregohet se vet Beogradi zyrtar me këto provokime të nivelit banal, nuk është i interesuar për të arritur një marrëveshje paqësore dhe të qëndrueshme me Kosovën, për t'i dhënë një perspektivë të qartë dhe integruese marrëdhënieve në mes dy shteteve por edhe për të kontribuar në stabilitetin e rajonit. Në anën tjetër, unë nuk do të dëshiroja që diplomacia kosovare t'i përgjigjet në mënyrën e njejtë diplomacisë serbe, pasi ka mënyra që diplomacia kosovare të punojë më shumë dhe ta bëjë më të respektueshëm shtetin tonë në arenën ndërkombëtare dhe për të siguruar njohje të reja.''

Bota sot ka dërguar pyetje me shkrim në zyrën e kryeministrit, në komisionin për punë të jashtme, zyrën e AKR-së dhe të VV-së mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat