20 vite më parë, NATO gjunjëzoi ushtrinë serbe

Politika

20 vite më parë, NATO gjunjëzoi ushtrinë serbe

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 10 qershor 2019 Në ora: 09:05
Bombardimet e NATO-s

Gjatë këtyre ditëve, bëhen gjithsej 20 vite që kur NATO dhe forcat tjera perëndimore, i dhanë goditjen përfundimtare ushtrisë serbe. Goditje kjo, që solli çlirimin e Kosovës, aq fort të kërkuar dhe që u pagua mjaftë shumë, si në njerëz, si në prona dhe si në gjithçka.

Njohës e protagonistë të rrethanave politike në vend, për gazetën “Bota sot”, e kanë vlerësuar lart ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, si hapi përfundimtar që i dha fund gjenocidit dhe krimeve serbe ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës.

Alma Lama, që është në detyrë të Ambasadores së Kosovës në Itali, për gazetën “Bota sot”, tha se merita për çlirimin e Kosovës i takon sakrificave të popullit dhe luftës së tij për liri.

“Ishin vitet 90 nën udhëheqjen e presidentit historik Ibrahim Rugova, qe ndërgjegjësoi botën demokratike për represionin që ushtronte Serbia në Kosovë”, tha ajo.

Lama: Ishte një ndërhyrje ushtarake që u bë në emër te vlerave humane

Image
Alma Lama

Lama, shtoi se është bërë një punë e jashtëzakonshme për të informuar qeveritë e vendeve perëndimore edhe nga diaspora shqiptare kudo që janë, sidomos në SHBA dhe si rezultat u kuptua se cila ishte fytyra e vërtetë e Millosheviqit, e që ai që u konsiderua si pjesë e zgjidhjes në konferencën e Dejtonit, në të vërtetë ishte vetë problemi në të gjitha luftërat në Jugosllavi.

“Pas fillimit të masakrave dhe krimeve mbi popullsinë civile, NATO ndërhyri për të parandaluar gjenocidin dhe për ti dhënë fund spastrimit etnik. Kjo ishte një ndërhyrje ushtarake që u bë në emër te vlerave humane”, tha Lama.

Popullit të Kosovës iu nda dhuna e ushtruar nga forcat serbe, por nuk iu dha demokracia.

Kështu vlerësoi për gazetën “Bota sot”, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani.

Zogiani: Liderët koncentruan tek krijimi i së ardhmes personale e grupore

Image
Avni Zogiani

Zogiani, shtoi se mbasi që ndodhi çlirimi, ligji u morr nga qeveritë që u bënë pjesë e UNMIK-ut.

“Ligjin e morën në dorë të gjitha qeveritë që u bënë pjesë e UNMIK-ut. Këtu qeverisi gjithsecili për vetën, përveç popullit të Kosovës. Mirëpo, njerëzit nuk iu interesonte fort se si po merreshin vendimet mbi pasuritë, institucionet, të ardhmen e vendit ngaqë ishin shumë të fokusuar në festimin e largimit të stupcit të përditshëm”, tha ai.

Më tej, Zogiani, theksoi se si rezultat ultimativ, shoqëria e Kosovës, nuk arriti të bëjë një vendim mbi atë se çfarë shteti do, por kaloi nga një qeveri administruese në tjetrën, që në thelb nuk ishte politike por organizim pa ndonjë mendim politik.

“Meqë ishte kështu, pra meqë liderët vetëm teknikisht u hodhën në krye të vendit, por krijues të së ardhmes së tij nuk ndiheshin. Ata u koncentruan tek krijimi i së ardhmes personale e grupore, e që ishte hajnia”, tha Zogiani.

Pavarësia, vepër Amerikane

Image
Spartak Ngjela

Spartak Ngjela, publicist dhe njohës i çështjeve politike, për gazetën “Bota sot”, shkurtimisht, u shpreh se çlirimi i Kosovës erdhi nga Amerika dhe se çdo gjë tjetër që thuhet apo shkruhet është manipulim.

“Pavarësia e Kosovës është vepër amerikane. Të tjerat janë përralla”, tha ai.

Luzha: Pa këtë ndërhyrje, Kosova do të kishte humbur

Image
Besa Luzha

Anëtarja e Shoqërisë Civile Besa Luzha, është shprehur se meritore për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ishte rezistenca e armatosur për çlirim si dhe përpjekjet paqësore për ta prezantuar Kosovën si një vend ku shkelen të drejtat më themelore.

“Unë mendoj se rezistenca e armatosur për çlirim, sado jo e mirë dhe gjithanshëm e organizuar, erdhi si rezultat dhe i përpjekjeve paqësore të deriatëhershme për ta prezantuar rastin e Kosovës, si vend ku të drejtat e një populli shkelen në mënyrë sistematike nga aparati i dhunshëm i shtetit. Këto përpjekje kulmuan me ndërhyrjen e fuqishme të forcave të NATO-s që e çliruan përfundimisht Kosovën nga okupimi serb. Pa këtë ndërhyrje, Kosova do të kishte humbur”, ka deklaruar Luzha.

Ndryshe, 20 vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s, u përkujtua dhe nga lidershipi kosovar.

Thaçi: Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para NATO-s

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, tha se në këtë ditë, 20 vjet më parë, Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para NATO-s. Marrëveshja e Kumanovës do të thotë çlirim, fund i gjenocidit, paqe dhe fillim i jetës së re në liri dhe barazi për ne

“Ishte një rrugëtim i dhimbshëm, por krenar për rindërtimin e vendit dhe shoqërisë sonë. Për botën ishte një fitore e të drejtave të njeriut mbi çdo cenim në shekujt e mëparshëm. Me respektin më të madh e kujtojmë çdo sakrificë të çdo kombi që iu bashkua NATO-s në këtë luftë të drejtë. Me dhimbje, por gjithmonë duke u krenuar me heroizmin e tyre, e kujtojmë edhe çdo dëshmor që ka rënë për të bërë realitet ëndrrën tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës!”, ka deklaruar Thaçi.

Përkujtim për këtë ditë, pati edhe nga Kryeministri Haradinaj, i cili ndër të tjera tha në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja e cila përfundimisht i dha vulën të drejtës tonë për të jetuar në liri. Kjo marrëveshje e kapitullimit të Millosheviqit ndali vazhdimin e gjenocidit, agresionit dhe spastrimit etnik. NATO në këtë triumf të përbashkët me popullin e Kosovës përcaktoi se e drejta e njerëzve tanë për të thyer okupimin është e drejtë njerëzore.

“Sot kujtojmë me respekt të gjithë ata që ranë për të ndërtuar themelet e të drejtës që na takonte. Kujtojmë burrat dhe gratë e shteteve anëtare të NATO-s që u rreshtuan kundër gjenocidit dhe për lirinë, një rreshtim fisnik e sublim jo vetëm për popullin e Kosovës por për tërë njerëzimin”, tha Haradinaj.

Kurti: Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale

Përveç urimit, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte edhe kritikë për atë se çfarë ndodhi më pasë.

Kurti, tha se kur Serbia i ka okupuar trojet shqiptare para më shumë se një shekulli në Luftën e Parë Ballkanike, festën e ka rezervuar atëherë kur e ka pushtuar Kumanovën. Sot janë mbushur 20 vjet nga Marrëveshja Tekniko-Ushtarake midis Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Federatës Jugosllave dhe Serbisë e nënshkruar në Kumanovë.

“Me atë marrëveshje përfunduan bombardimet e NATO-s, sepse, në njërën anë, u vendos që të gjitha forcat serbo-jugosllave (ushtarake, policore e të tjera) do të tërhiqen nga Kosova deri më 20 qershor 1999, ndërkaq, nga ana tjetër, u vendos Zona e Sigurisë Ajrore prej 25 km dhe Zona e Sigurisë Tokësore prej 5 km rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndalohet hyrja e forcave të kësaj të fundit. Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”, deklaroi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat