Mehmet Kraja: Liria e Kosovës ishte ëndërr brezash

Politika

Mehmet Kraja: Liria e Kosovës ishte ëndërr brezash

Nga: V.R Më: 10 qershor 2019 Në ora: 10:20
Mehmet Kraja

Publicisti, shkrimtari dhe akademik Mehmet Kraja, konsideron se liria e Kosovës ishte një ëndërr brezash. Ai, për “Bota sot”, tha se ishim me fat që në kohën tonë ndodhi ngjarja më e madhe të gjitha kohërave.

“Liria e Kosovës ishte një ëndërr brezash. Ne ishim me fat që pikërisht në kohën tonë ndodhi historia: ndodhi ngjarja më e madhe e të gjitha kohëve, ndodhi liria e Kosovës. Për këtë duhet të jemi krenarë, por njëkohesisht edhe të përgjegjshëm kundrejt kësaj arritjeje kaq domethënëse”, tha ai.

Megjithatë, Kraja, theksoi se liria nuk i zgjidh të gjitha problemet.

“Ajo vetvetiu nuk i bën njerezit e lumtur, nuk zgjidh problemet e mëdha të shtetndërtimit, as te konsolidimit të shoqerisë moderne, të emancipuar, ku sundon ligji, e drejta dhe ku respektohen vlerat”, tha ai.

Në këtë njëzet-vjetor, Kraja tha se ka shumë arsye për të festuar por gjithashtu u shpreh se ka arsye edhe për të qenë të përmbajtur pasi sipas tij, janë shumë çështje të pazgjidhura.

“Në këtë njëzet-vjetor Kosova ka shumë arsye për të festuar, por ka arsye edhe për të qenë e permbajtur, sepse ka perpara një numër çështjesh të pazgjidhura, ose të mbetura pezull. Prandaj unë them se këtë festë duhet ta kthejmë në energji të re, në mënyrë që mrekullisë së lirisë t’ia gjejmë kuptimin e vërtetë”, tha ai.

Sipas Krajës, sot duhet ta mendojë secili dhe ta thote zëshëm: Kosova e lirë ka te ardhme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat