Shahu tregon a mund dhe a duhet të ketë zgjedhje këtë verë

Politika

Shahu tregon a mund dhe a duhet të ketë zgjedhje këtë verë

Nga: G.B Më: 10 qershor 2019 Në ora: 23:20
Rexhep Shahu

Ka kohë që opozita kanë paralajmëruar se në Kuvend do të dërgojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur dhe kjo për shkak të mungesës së votave për këtë iniciativë.

Së fundmi LDK është aktivizuar për këtë çështje, duke thënë se ju duhen edhe pak vota dhe se vendi do të shkojë në zgjedhje këtë verë.

Se sa mund të ndodhë një gjë e tillë, publicisti dhe ish gazetari i luftës, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk beson që LDK do ta përsërisë skenarin e dikurshëm, që zgjodhi Thaçin president dhe pësoi duke dalë në opozitë, duke shtuar se LDK nuk ka arsye të bëjë pragmatizma për hir të karriges për ca ministra.

“Unë nuk besoj se LDK do të përsërisë skenarin e dikurshëm që me aleancat e saj zgjodhi Thaçin president të vendit dhe e pësoi duke dalë në opozitë. Nuk besoj se LDK do të bënte aleanca me majtistët për hir të pushtetit që do të kënaqte ata që marrin karrige por jo gjithë Kosovën. Nuk besoj se LDK ka arsyen të bëjë pragmatizma për hir të karriges për ca ministra, nëse  qeveria aktuale punon mirë dhe përmbush detyrat e Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, është nëse rrëzohet Qeveria, Kosova ka treguar se i përjeton zgjedhjet si tragjedi sikur Edi Rama dhe politika në Tiranë.

“Por edhe nëse ndodh që të bëhen numrat dhe të rrëzohet qeveria Haradinaj, Kosova tashmë ka treguar me vepra se nuk i përjeton zgjedhjet si tragjedi siç i përjeton Edi Rama dhe politika në Tiranë”, ka vlerësuar Shahu.

Ai nuk beson se vera është stina e duhur për zgjedhje, pasi njerëzit nuk lënë pushimet për hir të votës.

“Lehtësia me të cilën i bën zgjedhjet Kosova bën të mundur që ato të bëhen kurdo, por nuk besoj se vera është stina e duhur për shkak se votuesit kanë aq indiferencë sa nuk lënë pushimet vjetore pa bërë për hir të votës, kur kushtet janë normale”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat