Eksperti i ekonomisë: Në Kosovë çdo ditë e më shumë po rëndohet mirëqenia

Politika

Eksperti i ekonomisë: Në Kosovë çdo ditë e më shumë po rëndohet mirëqenia

Nga: N.H Më: 10 qershor 2019 Në ora: 23:58
Foto ilustrim

“Kjo qeveri në realitet nuk ka prekur anën ekonomike e cila ndikon në cilësinë e jetës së qytetarit”. Kështu ka deklaruar njohësi dhe eksperti i ekonomisë në vend, Mustafë Kadriaj.

Ai për gazetën “Bota sot”, këto deklarime i bëri, duke e komentuar punën e deritanishme të Qeverisë Haradinaj.

Kadriaj mes tjerash ka thënë se edhe vendimi për taksën ndaj mallrave serbe ka një prapavijë për konsum të jashtëm dhe të brendshëm politik.

Image
Mustafë Kadriaj

“Kjo qeveri në realitet nuk ka prekur anën ekonomike e cila ndikon në cilësinë e jetës së qytetarit, sepse vet që u rëndua edhe më shumë dhe si rezultat po kemi largim të fuqisë punëtore për një jetë më të mirë. Por, siç është politika tek ne, që tenton të krijon kauza dhe tenton që t’i imponohet opinionit që ka bërë diçka të mirë, duke ia kujtuar qytetarit në çdo moment taksën 100 për qind, pra edhe ai vendim i taksës u tregua që ka një prapavijë për konsum të jashtëm dhe të brendshëm politik”, ka thënë Kadriaj.

Eksperti i ekonomisë gjithashtu ka theksuar se qytetarit në Kosovë çdo ditë e më shumë po i rëndohet mirëqenia, dhe si asnjëherë më parë nuk ka pasur pesimizëm më të madh për të jetuar.

“Pra, me këtë dua të theksoj që përgjatë këtij mandat pa marrë parasysh trumbetimin e kryeministrit që po bënë diçka të mirë për qytetarin, këtij të fundit çdo ditë e më shumë po i rëndohet mirëqenia dhe si asnjëherë më parë nuk ka pasur pesimizëm që në Kosovë ende ka arsye të jetohet, dhe më absurdja që kryeministrit aspak nuk po i bënë përshtypje kjo gjendje me deklaratat e tij skandaloze, duke iu uruar atyre që po e lenë Kosovën punë dhe jetë me të mirë ku do që shkojnë.

Me ketë, duhet ta ketë të qartë kryeministri se as në vitet e 90-ta nuk ka pasur kaq ikje nga Kosova, përkundër presionit politik dhe ekonomik nga ish-Jugosllavia e mbetur, konkretisht politika agresive serbe”, ka përfunduar ai, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat